Këndet e lojërave në Tiranë, hekurishte të ndryshkura që kërcënojnë fëmijët

Collage

Tema më e nxehtë e ditëve të fundit është padyshim ndërtimi i këndit të lojrave për fëmijë në brendësi të Parkut të Liqenit Artificial. Punimet për projektin pilot, siç konsiderohet nga Bashkia e Tiranës, priten të zgjasin 6 muaj dhe do të kushtojnë rreth 700 mijë dollarë.

Sipas deklaratës së para pak ditëve të kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj, ky kënd lojrash do të ketë hapësira për t’i shërbyer të 200 mijë fëmijëve të Tiranës. Por, ky projekt nuk është pritur me dashamirësi nga qytetarë, ambientalistë dhe nga shoqëria civile.

Vetëm në javën e fundit janë organizuar dy protesta kundër vendimit të Bashkisë së Tiranës, për të ndërtuar brenda parkut të Liqenit Artificial. Aktivistët kanë kundërshtuar prerjen e pemëve në një Park Kombëtar, por edhe fshehtësinë dhe procedurën ligjore që është ndjekur për ndërtimin e këtij projekti, e cila lë hapësirë për abuzime klienteliste.

Një dokument i Agjencisë së Prokurimit Publik për Masterplanin e Parkut të Liqenit, që mban datën 25 shator 2015, është publikuar së fundmi në media dhe duket se i jep të drejtë aktivistëve. Përveç këndit të lojrave, aty pritet të ndërtohet një “Grand Kafe” e cila nuk figuron në asnjë nga njoftimet e bashkisë dhe as në videot e shpërndara nga kryetari Veliaj e Kryeministri Rama.

Pak ditë më parë Veliaj postoi fotot e projektit, duke e krahasuar atë me parqet e Hollandës dhe shtoi se Tirana është i vetmi qytet ku fëmijët luajnë në qendra tregtare e jo në natyrë. Por nëse këto 700 mijë dollarë do të shpenzoheshin për të rijetëzuar parqet fantazmë të lojrave dhe hekurishtet e ndryshkura që janë nëpër lagjet e Tiranës, fëmijët do të luanin më pak në qendrat tregtare.

Ne bëmë një vëzhgim në disa lagje të Tiranës për të parë gjendjen e këndeve të lojrave ku supozohet të luajnë fëmijët. Sipas kryetarit të bashkisë, Tirana ka 200 mijë fëmijë, pra mesatarisht 14 mijë fëmijë të çdo njesie vendore (Tirana ka 14 njesi vendore) luajnë në këndet e rrënuara të lagjeve të tyre.

Më poshtë shihet situata e këndeve të lojrave për fëmijë në disa prej zonave më të banuara të Tiranës si: “Ish-blloku”, “21-Dhjetori”, “Komuna e Parisit”, “Zogu i Zi” dhe qendër.

Këndi i lojrave për fëmijë në lulishten pranë Presidencës

Lulishtja pranë Presidencës dikur ka qenë një ndër vendet më të frekuentuara nga prindërit dhe fëmijët. Ndërsa sot aty gjen vetëm disa të moshuar të ulur në stolat që i kanë rezistuar kohës. Siç shihet edhe nga fotot, nuk ka më lodra në këtë park, por vetëm lisharëse të thyera dhe pjesë metalike të ndryshkura që mund të rrezikojnë jetën e fëmijëve.

“Unë kam qenë punonjës në këtë park dhe e di shumë mirë se çfarë është bërë që në fillim. Deri tani nga 80 stola që kanë qenë, 40 i kanë shkulur dhe shumë pemë i kanë prerë”, tha për Historia Ime një prej të moshuarve.

Pamjes së shëmtuar të rrënimit të këndit të lojërave i është shtuar së fundmi dhe prerja e pemëve në lulishten aty pranë, e cila është një prej 11 hapësirave publike që pritet të shndërrohet në parkim nëntokësor.

Këndet e lojrave për fëmijë në rrugën e Barrikadave (Mbrapa Pallatit të Kulturës)

Në qendër të Tiranës ndodhen dhe dy hapësira që duhet të shërbenin si kënde lojërash për fëmijë. Por edhe këto janë tërësisht jo-funksionale.

“Ja, këto janë parqet ku i nxjerrim fëmijët çdo ditë. Nuk kemi ç’bëjmë, ku ti çojmë tjetër?!Po na sëmuren fëmijët nëpër baltë e nëpër ndryshk”, tha për Historia Ime një prej prindërve që kishte dalë me fëmijët në këtë park.

Kënd lojrash për fëmijë në rrugën Komuna e Parisit

Zona e quajtur “Komuna e Parisit” është një nga pjesët më të populluara të Tiranës, por veç pallateve shumëkatëshe rrallëherë sheh ndonjë lulishte apo kënd lojërash.

Këtë fushë basketbolli e ka inaguruar Kryebashkiaku i atëhershëm Edi Rama, duke luajtur përpara kamerave me të rinjtë dhe madje ka shënuar edhe një 3 – pikësh. Nëse Kryebashkiaku i tanishëm do të dëshirtonte të bënte të njëjtën gjë, nuk do të gjente më as rrjetën, as koshin e as të rinjtë që luajnë aty.

Kënd lojrash pranë 21-Dhjetorit

Situata në lagjet e zonës së 21-dhjetorit është edhe më e rëndë. Një nga banorët i pyetur se ç’mendim kishte për parkun e ri tek Liqeni na tha: “Të rregullojnë njëherë këto parqet nëpër lagje, se deri tani vetëm kanë prerë pemët, asgjë tjetër nuk kanë bërë. Pastaj le të bëjë Bashkia parkun e madh te liqeni.”

Kënd lojërash në rrugën Mine Peza

E njëjta situatë është edhe në një hapësirë midis pallateve në fund të rrugës “Mine Peza”. Dikur një ambient i këndshëm për prindër e fëmijë, sot një vend i lënë pas dore.

Ndonëse për mirëmbajtjen e këtyre këndeve duhet të kujdesen edhe vet qytetarët, në to nuk është vënë dorë prej vitesh për zëvendësimin apo krijimin e hapësirave të reja nga ana e bashkisë së Tiranës.

/m.g/ /l.k/

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest