Arlinda Guma: Maskilizmi historikisht i ka përjashtuar gratë nga podiumet e rëndësishme

11944510-957281290960706-1444161251-n-c1200x600

Në një intervistë me autoren e romanit të suksesshëm “Bulevardi i Yjeve” për tituj të “peshës së rëndë” e bestsellera “pupël”, për feminizmin në letërsi e qarqe artistike dhe maskilizmin mbytës të agallarëve në të, Arlinda shprehet për Gazetën Telegrafi:

– Ekziston një lëvizje feministe në letërsinë shqipe?

Jo, nuk mendoj se ekziston. Por ama kemi “lëvizjen e burrave dërdëngë të zamanit”, fotot e të cilëve na shfaqen në çdo panair, ndërkohë që fotot e shkrimtareve femra janë krejt të përjashtuara. Përgjithësisht, femrat në qarqet artistike (dhe jo vetëm) janë tepër të zëna duke luftuar njëra-tjetrën, në vend që të bashkohen për kauza më fisnike. Nuk kemi sindikata… e as lëvizje feministe…. në letërsi e më gjerë se kaq. (por këtë nuk e them me euforinë me të cilën e thotë kryeministri)

Shikoj në Parlament kur ndonjë grua ngre zërin, burrat e sulmojnë duke i thënë; Je bërë si burrë! Dhe ajo intimidohet disi nga këto goditje të ulëta.

Feminiteti nuk humbet kur ngre zërin, por kur nënshtrohesh. Kur ngre zërin, përkundrazi, ai bëhet më i hijshëm e dinjitoz.

Kam dëgjuar një deputet njëherë, në një emsion ku diskutonte për kuotat e grave (me mendje të vet i dukej se ishte në mbrojte të tyre), i cili thoshte se gratë duhet të jenë në Parlament për të zbutur burrat! Më la me gojë hapur ai njeri. Pra, gjithçka në funksion të burrave!

Gratë nuk duhet të jenë në Parlament për të zbutur burrat! Ata le të zbuten vetë! (Nëse nuk ia arrijnë me forcat e tyre, le të marrin ndonjë arush pellushi e ta vërtisin nëpër duar gjatë seancave…)

Gratë duhet të jenë në Parlament për kauza të mëdha, me të drejta te barabarta, dhe jo me “misone geishash”!

Fola për Parlamentin, ngaqë të gjitha këto pasqyrohen edhe në botën e letrave, pasi edhe shkrimtarët janë pjesë e kësaj shoqërie.

– Nobelistët më së shumti janë meshkuj, ndërsa femrat, më të pakta, si e shpjegoni këtë?

Ka patur dhe ka jo pak shkrimtare të mira nëpër kohëra, por maskilizmi; i drejtpërdrejtë apo i tërthortë, historikisht i ka përjashtuar gratë nga podiumet e rëndësishme. Nëpër epoka gratë janë parë si një mjet argëtimi, që nuk duhet marrë seriozisht.

Po marr një shembull jashtë botës së letrave; Marilyn Monroe-në, e cila ishte një grua mjaft inteligjente, por që mentaliteti shovinist, maskilist, e detyroi qe të ndërtonte atë profilin e koketës mendjelehtë, për të mbijetuar në Hollywood-in e paskrupullt. Ajo koketa, së cilës i valëvitet fustani prej erës dhe i zbulon këmbët, ndërkohë që atje përreth, dhjetra sy të babëzitur zbaviten me pamjen që shpërfaqet. Gjithmonë më është dukur poshtëruese ajo skenë. Nuk i kam gjetur kurrë as grimën më të vogël të bukurisë. Ky ishte caku që maskilizmi i vendoste femrës nëse ajo do të kishte ambicie për të ecur. Por Marilyn Monroe ishte shumë më tepër se kaq. Vetëm se askujt në Hollywood nuk i interesonte brendia e saj. Këtë ajo e kishte kuptuar mjaft mirë. Dhe përpiqej sidoqoftë të ecte brenda hapësirës së saj të cunguar.

Ёshtë ca e trishtë e gjithë kjo, po të mendosh se nuk ka ndryshuar shumë qysh atëherë, maskilizmi vetëm sa është bërë më i fshehur në kohërat moderne./A.A.

Për të lexuar intervistën e plotë klikoni në linkun: kohajone.com

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest