Rrethi vicioz: Viktimat shqiptare përndiqen nga hija e tregtisë së seksit

Yser-3-EFFECT-600x300

Zona  përreth Place de I’Yser në Bruksel është vendi i punonjëseve shqiptare të seksit. Territori i tyre është vetëm pak kilometra larg nga sheshi qendror i qytetit, Grand Place, ku mijëra turistë derdhen çdo ditë.

Dhjetë minuta seks këtu kushtojnë jo më shumë se 50 euro.

31 vjeçarja Eva flet pa turp për klientët e saj; sa para u merr, pozicionet e seksit dhe madje edhe për sherret mes grave që ndajnë rrugën.

“Unë fillimisht erdha këtu me të fejuarin tim, 14 vjet më parë,” kujton Eva (një pseudonim, si emrat e tjerë të viktimave të trafikut apo punonjëseve të seksit të cituara në këtë shkrim) Burri me të cilin kishte rënë në dashuri i tha se ajo duhet të bënte një “sakrificë për hatër të dashurisë” – të bënte seks me burra të tjerë për të fituar paratë për ata si çift.

Në Europë mund të jenë rreth 140 mijë viktima të trafikimit seksual dhe rreth një e treta e tyre vjen nga Ballkani, sipas një raporti të OKB-së  të vitit 2010.

Mijëra gra dhe vajza janë trafikuar vetëm nga Shqipëria drejt Europës Perëndimore si skllave seksi përgjatë dy dekadave të fundit. Grupe kriminale të mirëorganizuara kontrollojnë trafikun, në disa raste me bashkëpunimin e vetë familjarëve të viktimave, ndërsa trafikantët i pastrojnë fitimet përmes blerjeve të pronave në Shqipëri, thonë policia dhe ekspertët.

“Korrupsioni dhe ndryshimet e shpeshta në stafin e forcave policore pengojnë aksionet për zbatimin e ligjit kundër trafikimit. Bashkëpunimi i zyrtarëve me kriminelët e trafikimit mbetet një shqetësim domethënës,” thuhet në seksionin për Shqipërinë të raportit të fundit për trafikimin e qenieve njerëzore të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve i vitit 2015.

Mijëra viktima

Një raport i policisë shqiptare i vitit 2007 dhe i papublikuar më parë, i siguruar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN, thotë se së paku 5,162 gra dhe vajza janë trafikuar për t’u shfrytëzuar si punonjëse seksi mes viteve 1992 dhe 2005.

Rreth 22 për qind e tyre qenë minorene kur u trafikuan. Shtatë për qind e viktimave qenë rrëmbyer, përdhunuar ose u qenë kërcënuar familjet. Katër për qind u shitën në prostituim të detyruara nga vetë familjet e tyre.

Që nga periudha e mbuluar nga ky raport, rreth 1 mijë viktima të tjera të trafikimit janë identifikuar sipas raporteve vjetore të krimeve, të publikuara nga Prokuroria e Përgjithshme.

Intervistat me gratë e trafikuara zbulojnë se në disa raste, ato qenë viktima të dhunës apo abuzimeve seksuale nga vetë familjarët e tyre.

“Atë natë babai piu shumë dhe rreth orës 2 të natës e kam parë veten të zhveshur dhe atë mbi mua,” kujton Vera, një 27 vjeçare në qendrën “Të ndryshëm dhe të barabartë” në Tiranë, qendër që ofron ndihmë për viktimat e trafikimit.

“Isha si një trup i vdekur… Ika me të parin që më premtoi martesë; por sapo mbërritëm në Kamzë më detyroi të shkoj me meshkuj të tjetër për para,” shton ajo, mes lotëve që është përdhunuar aq shumë herë nga i ati kur ishte e vogël sa nuk e mban mend sa.

Maria, nga Malësia e Madhe në veri të Shqipërisë qe vetëm 16 vjeç kur babai i saj e martoi me një burrë të moshuar. Bashkëshorti i saj e detyroi atë të prostituojë në Greqi.

“Çdo natë ishte si të më përdhunonin,” kujton Maria. “Kur i tregova nënës, ajo më ulërinte se nuk mund të kthehesha në shtëpi, duke më thënë që të kemi nxjerrë njëherë nga kjo derë,” shtoi ajo.

Elsa, nga qyteti verior i Kukësit, binte shpesh viktimë e dhunës së babait të saj pasi nëna e saj u nda nga jeta kur ajo që vetëm gjashtë vjeç.

Pasi u përdhunua nga vëllai i saj në moshën 13 vjeçare, ajo u arratis nga shtëpia dhe u detyrua të punojë si prostitutë, fillimisht në Tiranë dhe më pas në Kosovë.

“Askush nuk arrin të kuptojë se çfarë të ndodh po të kalosh nëpër duart e shumë njerëzve, të kalosh këto gjëra në familje, të bëhesh fajtore që fëmijë, pa e ditur çfarë ke bërë,” thotë ajo në një qendër për viktimat e trafikimit në Vlorë.

“Askush nuk më ka treguar se kush ishte e mira dhe e keqja, çfarë është dashuria. Jam si e damkosur që fëmijë dhe të gjithë e gjithmonë do më quajnë kurvë.”

Pandëshkueshmëria e kriminelëve

Në raportin e vitit 2007, policia shqiptare thotë se identifikoi më shumë se 2 mijë njerëz të dyshuar për trafikime përgjatë një dekade e gjysmë, por vetëm 23 për qind e tyre qenë në burg, në Shqipëri apo jashtë vendit, për krime të trafikimit apo për krime të tjera.

Më 2013, në Shqipëri u miratuan dënime më të ashpra për trafikimin e qenieve njerëzore, nga 10 deri në 15 vite burg, por numri i dënimeve ka mbetur i vogël. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, Shqipëria dënoi nëntë njerëz për trafikim në vitin 2014 dhe tri vetë në vitin paraardhës.

Për më tepër, disa nga trafikantët e dënuar ia dalin të shmangin burgun duke apeluar.

Mungesat e sekuestrimit të aseteve

Në Bruksel, Didier Dochain, drejtues i qendrës kundër trafikut në Policinë Federale të Belgjikës, tha se përfshirja e shqiptarëve në trafikimin e qenieve njerëzore është rritur gjatë viteve 1990 dhe 2000 për të shënuar kulmin më 2010 dhe se trafikantët kanë akumuluar fitime të stërmëdha.

“Në 99 për qind të rasteve, përfituesit nga ky aktivitet kriminal i dërgojnë paratë në vendin tuaj, ku ata investojnë, blejnë prona dhe jetojnë si Don,” tha ai.

“Ata kthehen në shtëpi sepse atje njohin njerëz, korruptojnë sistemin dhe kanë jetë sociale,” shtoi ai.

Dochain argumenton se konfiskimi i aseteve të trafikantëve mund të shërbejë si një mjet i rëndësishëm parandalues.

Rrugë e vështirë drejt rehabilitimit

Në Shqipëri, pasi gratë identifikohen si viktima trafiku, ato në përgjithësi i referohen strehës shtetërore ose një prej tri qendrave të rehabilitimit.

Streha në fshatin e Linzës, pranë Tiranës strehon viktima që po presin rezultatet e hetimeve paraprake.

Qendrat e tjera në Tiranë, Elbasan dhe Vlorë drejtohen nga organizata jofitimprurëse dhe ofrojnë kurse profesionale, si gatim apo parrukeri, me synimin për të ndihmuar gratë të punësohen.

Raporti i Departamentit të Shtetit për vitin 2015 thotë se shërbimet psikologjike, mjekësore dhe të riintegrimit në strehë janë të pamjaftueshme ndërsa qeveria nuk ka dhënë para të mjaftueshme për qendrat e tjera – edhe pse ajo mund të përdorte një fond të posaçëm për parandalimin e krimit, ku gjendeshin së paku 25 milionë lekë (rreth 180 mijë euro).

Edhe pasi kalojnë përmes programit të rehabilitimit, viktimat e trafikut vuajnë për të gjetur punë.

“Ne kemi pasur vetëm një rast punësimi në një institucion shtetëror dhe kjo ka ndodhur me ndërmjetësimin tonë,” thotë Enkelejda Avdylaj, koordinatore e qendrës Vatra në Vlorë.

“Ne flasim me bizneset, por kur u themi për profilin e tyre, ata refuzojnë t’i punësojnë.”

Edhe nëse viktimat e trafikut janë në gjendje të gjejnë një punë-edhe një punë të keqpaguar, ato sërish vuajnë nga stigma për jetët e tyre të mëparshme.

Diana Kaso, drejtoreshë ekzekutive e qendrës Tjetër Vizion në Elbasan thotë se 80 për qind e grave që kanë kaluar përmes programeve të rehabilitimit synojnë të rindërtojnë jetët e tyre larg qyteteve të lindjes.

Maria, gruaja që u detyrua të prostituohej në Greqi ka ndjekur këtë rrugë. Ajo jeton në një qytet shumë larg vendlindjes me fëmijën e saj 12 vjeçar, për të cilin thotë se është i vetmi gëzim që ka në jetë.

Pas një programi rehabilitimi, ajo punoi për shumë vite si pastruese në lokale dhe tashmë është pasticiere me një pagë mujore prej 110 eurosh, gjysma e së cilës shkon për qira.

“Shumë njerëz janë përpjekur të shfrytëzojnë fatkeqësinë time në vend që të ndihmojnë,” thotë ajo. Kur shkon të takojë një zyrtar vendor për të aplikuar për pagesën e vogël të ndihmës shtetërore për viktimat e trafikimit, ajo thotë se zyrtari i kërkon seks. “Është e frikshme të hysh në një zyrë.”

Kaso thotë se shumë pak gra kanë fuqinë që ka treguar Maria për të ndërtuar një jetë të re. Nga të gjitha rastet që ajo ka trajtuar, rreth 100 kanë përfunduar sërish në prostitucion.

“Në disa raste ato nuk kanë mbështetjen e nevojshme ose mendojnë se për shkak të stigmës, nuk kanë mundësi zgjedhjeje,” thotë Kaso.

*Emrat e viktimave të trafikut të qenieve njerëzore në këtë artikull janë ndryshuar për të mbrojtur identitetin e tyre./A.A.

/reporter.al

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest