Organizatat LGBT denoncojnë dhunën e Policisë së Shkodrës

XheniKMD

DEKLARATE PER SHTYP

Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT dhe ProLGBT, dy organizata kryesore për të drejtat e komunitetit LGBTI dënojnë ashpër një rast flagrant dhune dhe terrori psikologjik që policia e Shkodrës ka ushtruar ndaj një grupi aktivistesh LGBT.

Ditën e djeshme, Xheni Karaj, drejtuese e Aleancës e shoqëruar nga tre aktiviste si dhe nga një transgjinore kanë udhëtuar drejt Shkodrës për të asistuar personin transgjinor të pajiset me dokumenta identifikimi.

Transgjinorja në fjalë është Anxhela, e njohur për publikun nga shumë kronika fyese dhe diskriminuese që i janë bërë vazhdimisht në media. Ajo nuk e fsheh identitetin e saj gjinor e për më tepër, e detyruar nga mungesa e alternativave për të jetuar një jetë normale, është e detyruar të flejë në rrugë.

Anxhela, e cila jeton çdo ditë me stigmën që njerëzit kanë ndaj personave si ajo, është lindur në Shkodër dhe është braktisur atje nga prindërit. Për vite të tëra ajo nuk ka mundur të përfitojë nga asnjë ndihmë sociale për shkak të mungesës së dokumentacionit, pasi rezulton e regjistruar në gjendjen civile të Shkodrës, një qytet ku ajo nuk do të mund të jetonte e qetë. Burokracia në rastin e saj është ekstreme: që të regjistrohet si banore e Tiranës i duhet një kontratë qëraje në një banesë, mirëpo stigma është aq e madhe sa asnjë person nuk i jep asaj shtëpi me qëra, edhe kur ka mundësi të paguajë.

XheniAPCfarë ndodhi

Për të asistuar Anxhelën, Karaj dhe tre kolege të saj aktiviste ndërmorëm udhëtimin në Shkodër, qytetin e saj të lindjes me qëllimin që të bënin një kërkesë në gjëndjen civile për ta shpërngulur në Tiranë e për ta pajisur me dokumenta identifikimi.

Anxhela e priste me padurim kthimin në qytetin e lindjes nga i cili ishte larguar prej vitesh, që kur familja e saj e kishte braktisur. Ky kthim në vendlindje ishte bërë prej shumë vitesh i pamundur edhe nga fakti se asnjë mjet i transportit publik nuk e lejonte të udhëtonte.

Na tregoi gjatë gjithë rrugës histori nga fëmijëria dhe arriti të na infektonte dhe ne me entuziasmin e saj. Nga një udhëtim pune u kthye në një rrugëtim drejt së shkuarës së largët dhe së ardhmes që na priste në qytetin e Shkodrës”, thotë Xheni Karaj. “Kisha ecur shpesh me Anxhelën në rrugët e Tiranës, ku ndjeja shikimet e njerëzve që na shihnin shtrembër dhe jo pak herë dhe komente të ndyra të cilave ajo nuk rezistonte dot pa u përgjigjur”, vazhdon më tej Xheni, “ndaj prisja me kuriozitet të shihja si do pritej prania jonë në qytet. Anxhela gjatë gjithë kohës më thoshte: “Moj Xheni mos na sulmojnë, oj Xheni”.

Rruga deri në godinën e Gjëndjes Civile shkoi qetë por momentin që shkelën brenda dhe ju drejtuan sporteleve filluan të ndjenim shikimet tërë përçmim të njerëzve. Pas disa zvarritjeve, njëra prej punonjësve e thirri Anxhelën për të firmosur dhe i qendronte një metër larg sikur të ish vetë murtaja, e shikonte me fytyrë të spërdredhur dhe i kërkonte Anxhelës me ngulm të shkruante emrin edhe pse ajo i kishte thënë disa herë, që nuk dinte të shkruante pasi nuk kish pasur mundësinë të shkonte në shkollë.

Por kur gjithçka dukej se kaloi pa problem, teksa makina e aktivisteve kishte qëndruar me bllokazh, dy policë në një makinë policie i vëzhgojnë prej xhamave dhe pas pak sekondash vendosin të kthehen duke ndaluar përbri. Njëri prej policëve del me nxitim nga makina, drejtohet nga dritarja e pasme ku ishte ulur Anxhela, hap derën dhunshëm dhe i thotë: “Kush je ti? Më jep dokumentin e identifikimit”.

Ndërkohë që Anxhela përpiqet ta sqarojë se nuk ka një dokument identifikimi dhe se kjo ishte arsyeja pse ishte në Shkodër, polici i dytë e pyet me arrogancë nëse Anxhela është burrë apo grua. Polici i parë vazhdonte ti hungërinte Anxhelës me inat dhe pse i ishte sqaruar situata.  “Do të shoqërojmë në polici, dil nga makina”-ulërinte.

Në po atë njëri prej policëve, me të njëjtën arrogancë dhe prepotencë i drejtohet njërës nga aktivisteve lezbike: “Po ti çfarë je?”. Teksa aktivistja i tregon dokumentin e identifikimit, policët nisën të diskutonin vënien e një gjobe, pa asnjë motiv dhe pa asnjë të drejtë.

Gjatë këtyre viteve të aktivizmit më kanë pështyrë, kërcënuar, fyer por kurrë nuk jam ndjerë më e poshtëruar se dje, ku personat me uniformën e shtetit të cilët duhet t’u ofrojnë mbrojtje dhe siguri qytetarëve të tyre, janë ata që të terrorizojnë në mes të ditës”, shprehet Karaj.

Në atë moment afrohet dhe një patrullë tjetër policie. “Njëri prej policëve të sapo ardhur u afrua tek dritaria dhe u përpoq të justifikonte sjelljen e kolegut të tij, i cili vazhdonte të hungërinte në surratin tim. E shtyu dhe i kërkoi të largohej ndërkohë që ai dhe kolegia e tij police po pëpiqeshin të qetësonin situatën. “Ju e dini që jetojmë në kohë të vështira” ku duhet të kërkojmë dokumentat për shkak të terrorizmit”, dëshmon më tej Karaj.

Masat e marra dhe kërkesat tona ndaj Ministrit të Brendshëm

Ditën e sotme, aktivistet kanë denoncuar rastin, të asistuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, pranë Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Policisë. Është bërë një ankesë pranë Komisioneres për Mbrojtje nga Diskriminimi si dhe është vënë në dijeni Avokati i Popullit dhe të gjitha organizatat kryesore ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Nisur nga rasti në fjalë por dhe raste të tjera ku efektiva të policisë e ndyjnë me paaftësinë dhe papërgjegjmërinë e tyre uniformën e shtetit, Aleanca LGBT dhe ProLGBT i kërkojnë Ministrit të Brendshëm z. Saimir Tahiri të shkarkojë menjëherë policët e përfshirë në këtë incident si dhe të sigurojë sa më parë metoda trainimi për policët.

Ne besojmë se kur një punonjës i shtetit, i pajisur me imunitetin që të jep uniforma nëpërkëmb dinjitetin e një personi për shkak të identitetit gjinor apo orientimit seksual, po ky polic mund të shkelë të drejtat e çdo njeriu tjetër të pambrojtur.

Neve nuk na duhen policë të tillë që do të meritonin të ishin vetëm në strukturat e rendit të ndonjë vendi që qeveris me terror, e jo në një vend që kërkon të anëtarësohet në BE.

Aleanca Kunder Diskriminimit te LGBT

ProLGBT

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest