Terror nga Policia e Shtetit ndaj “Terroristeve lesbike dhe trans”

Xheni Anxhela

Aktivistja për të drejtat e komunitetit LGBT Xheni Karaj ka denoncuar sot publikisht sjelljen homofobe të policisë në qytetin e Shkodrës. Nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook Karaj rrëfen se ajo me koleget e saj janë trajtuar në mënyrë joprofesionale dhe janë fyer nga policia në Shkodër. Më poshtë postimi i plotë i Xhenit:

Terror nga Policia e Shtetit ndaj “Terroristeve lesbike dhe trans”

Kur je aktiviste, ajo ç’ka mund të nisi si një ditë e qetë pune mund të shndërrohet jo pak herë në një skenë filmi Almadovarian. Dita e sotme, nisi si një ditë rutinë ku unë, tre koleget e mija dhe transgjinorja që nga të gjithë njihet me emrin Anxhela ndërmorëm një udhëtim në Shkodër, qytetin e saj të lindjes me qëllimin që të bënim një kërkesë në gjëndjen civile për ta shpërngulur në Tiranë, ku do të mundësonim dhe nxjerrjen e një karte identiteti dhe pashaportizimin e saj. Anxhelën, e gjetëm në mëngjes herët tek flinte në një shtëpi të sajuar kartoni në rrënojat e Torre Drinit. Duke mos pasur orë dhe celular i kishte kërkuar një shitësi aty pranë ta zgjonte nga gjumi por ai kishte harruar. I hymë si hajdut në “shtëpi” dhe e zgjuam nga gjumi duke i thirrur emrin.

Anxhela e priste me padurim kthimin në qytetin e lindjes nga i cili ishte larguar prej vitesh, që kur familja e saj e kishte braktisur. Ky kthim në vendlindje ishte bërë prej shumë vitesh i pamundur nga fakti që asnjë mjet i transportit publik nuk e lejonte të udhëtonte për faktin që është transgjinore dhe e pastrehë. Dhe njerëzit e ndryshëm dhe të pastrehë, për ato që e kanë një strehë mbi kokë dhe një banjo nën bythë, janë njerëz të pisët.

Na tregoi gjatë gjithë rrugës histori nga fëmijëria dhe arriti të na infektonte dhe ne me entuziamin e saj. Nga një udhëtim pune u kthye në një rrugëtim drejt së shkuarës së largët dhe së ardhmes që na priste në qytetin e Shkodrës.

Kisha ecur shpesh me Anxhelën në rrugët e Tiranës, ku ndjeja shikimet e njerëzve që na shihnin shtrembër dhe jo pak herë dhe komente të ndyra të cilave ajo nuk rezistonte dot pa ju kthyer. Prisja me kuriozitet të shihja si do pritej prania jonë në qytet. Anxhela gjatë gjithë kohës me zërin e saj të trashë dhe pak të ngjirur më thoshte: “Moj Xheni mos na sulmojne, oj Xheni”. Duke qeshur sëbashku me Kejn i thamë të rrinte e qetë se Shkondra nuk është më siç e mbante mend ajo dhe asnjëra prej nesh nuk do lejonte askënd ta prekte me dorë. Atë fjali e përsëriste herë pas here, gjatë udhëtimit madje dhe në momentin që u futëm në Shkodër. Për ta qetësuar, Kej me humor e siguroi që gjatë asaj dite do ish truproja e saj personale.

Parkuam në zyrat e organizatës që mbron të drejtat e grave në Shkodër, Gruaja tek Gruaja. Njëra prej kolegeve tona na shoqëroi drejt gjëndjes civile ku do të paraqisnim dokumentat për shpërnguljen. Anxhela kish mbërthyer xhupin fort pas vetes dhe mbante të fshehur nën jakë gjysmën e fytyrës nga frika mos e dallonin që është transgjinore. Rruga deri në godinën e gjëndjes civile shkoi qetë por momentin që shkelëm brënda dhe ju drejtuam sporteleve filluam të ndjenim shikimet e njerëzve, që të nguleshin në trup si gjilpërat kullullave voodoo. Pasi e kthyen kërkesën dhe u detyruam ta ribënim, njëra prej punonjësve e thirri Anxhelën për të firmosur dhe i qendronte një metër larg sikur të ish vetë murtaja, e shikonte me fytyrë të spërdredhur dhe i kërkonte Anxheles me ngulm të shkruante emrin edhe pse ajo i kish thënë disa herë, që nuk dinte të shkruante pasi nuk kish pasur mundësinë të shkonte në shkollë. Pas disa përsiatjeve burokratike të paktën ia dolëm qëllimit me sukses.

Vendosëm ta gëzonim Anxhelën duke bërë një xhiro në këmbë, ku mund të shihte sa shumë kishte ndryshuar qyteti i saj. Edhe pse prej shikimeve të njerëzve vazhdonim të ndiheshim si kukulla voodoo që thumbohen nga gjilpërat, e rëndësishme ishtë që nuk dëgjonim komente bajate që të zhurmojnë si miza muti në vesh. Po hidhja sytë në lokalet perreth me shpresën për të gjetur një vend ku nuk do më duhej të zihesha me pronarin, për t’na pranuar dhe ku nuk do ndiheshim gjithë kohën nën vëzhgim dhe të padëshiruar. Gjetëm një pastiçeri të qetë, ku hëngrëm ëmbëlsira dhe u ndjemë si qënie njerëzore. Anxhela nuk rreshte së foluri dhe komentuari, dukej si një fëmijë që zbulon bukuritë e një parku lojrash. Më erdhi për të qeshur dhe i thashë koleges sime: “Dukemi si një çift lesbikesh me fëmijën e tyre kurioz dhe të lumtur”. E mbyllëm vizitën në qytet duke bërë fotografi dhe video në të cilat Anxhela shprehte dashurinë dhe entuziazmin për Shkodrën e bukur, që i krijoi mundësinë të kaloi një ditë deri diku normale.

Në kthim pa dalë akoma nga qyteti ndaluam me bllokazh makinën, pasi njëra nga koleget për arsye shëndetësore e ka të nevojshme të shkoj shpesh në tualet. Ndërkohë që e prisnim të mbaronte punë, dy policë në një makinë policie na vëzhgojnë prej xhamave dhe pas pak sekondash vendosin të kthehen me indietro duke ndaluar përbri. Polici del nxitimthi nga makina, drejtohet nga dritarja e pasme ku ishte ulur Anxhela hap deren dhunshëm dhe i thotë: “Kush je ti? Më jep dokumentin e identifikimit”.

Ndërkohë që Anxhela dhe kolegia tjetër përpiqen ta sqarojnë që nuk ka një dokument identifikimi dhe kjo ishte arsyeja pse kishim ardhur në Shkodër, kolegu i tij më pyet me arrogancë nëse Anxhela është burrë apo grua. Polici i parë vazhdonte ti hungërinte Anxhelës me inat dhe pse i kishim dorëzuar kallëzimin që kishim bërë në Tiranë, ku konstatohej humbja e kartës së identitetit. “Do të shoqërojmë në polici, dil nga makina”-ulërinte. Në atë moment, vjen kolegia ime që sapo kish dalë nga lokali dhe me të njëjtën arrogancë i drejtohet dhe asaj: “Çfarë je ti? Kej- i thotë që është vajzë dhe i jep dokumentin e identifikimit. Vëri 30 mijë lek gjobë- i tha kolegut të tij, pa dhënë asnjë shpjegim”. Filluam ti kundërshtonim dhe tërhiqnim vëmendjen për sjelljen totalisht joprofesionale dhe diskriminuese.

Gjatë këtyre viteve të aktivizmit më kanë pështyrë, kërcënuar, fyer por kurrë nuk jam ndjerë më e poshtëruar se sot, ku personat që përfaqësojnë entitetin i cili duhet t’i ofrojë mbrojtje dhe siguri qytetarëve të tij, janë ata që të terrorizojnë në mes të ditës.

Këtë ia thash dhe policit që kisha përballë duke i premtuar që nuk do qendroja pa ndërmarrë hapa ligjore kundër tij. Në atë moment afrohet dhe një patrullë tjetër policie. Njëri prej policëve të sapo ardhur u afrua tek dritaria dhe u përpoq të justifikonte sjelljen e kolegut të tij, i cili vazhdonte të hungërinte në surratin tim. E shtyu dhe i kërkoi të largohej ndërkohë që ai dhe kolegia e tij police po pëpiqeshin të qetësonin situatën. “Ju e dini që jetojmë në kohë të vështira” ku duhet të kërkojmë dokumentat për shkak të terrorizmit dhe ndoshta ky zotëria këtu- tha duke drejtuar gishtin nga Anxhela- ka foton diku dhe është në kërkim”.

Absurditeti i asaj situate me beri te bertisja me sa kisha ne kokë. Përballë kishim katër punonjës të shtetit që përpiqen të justifikojnë sjelljen e tyre joprofesionale dhe të fëlliqur duke shitur homofobinë për terrorizem. Dhe sikur mos mjaftonte e gjithë kjo fëlliqësi, polici i parë më afron bllokun e gjobave për ta firmosur. Refuzova të firmos për gjobën dhe i kërkova të më tregojnë ku gjendjej rajoni më i afërt i policisë, pasi kisha ndërmedn të bëja një ankesë. Pasi policët u larguan, si gjelat e detit pas një beteje, policja u afrua tëk dritaria dhe tha që më kish parë në televizor dhe e vlerësonte punën time por do ishte më mirë nëse nuk e zgjasnim më këtë muhabet. Kallëzimi në komisariat do ishte i kotë”. Insistova të dija drejtimin për tek komisariati dhe në momentin që fillova ti jepja makinës, vumë re që makina e policisë na ndiqte gjatë gjithë kohës. Arrita ti shmangem në një moment trafiku dhe u rikthyem tek organizata e grave, ku parkuam dhe u pëprpoqëm të qetësoheshim. Më këshilluan që denocnimin ta bëja në Tiranë, pasi nëse do paraqiteshim në komisariat mund të vazhdonin të na keqtrajtonin madje mund të na mbanin në rajon deri në orët e vona.

Une, koleget e mija, Anxhela, ore Ne “të ndryshmit” , terrorin e njohim mirë pasi e jetojmë gjatë gjithë jetës sonë në familje, shkollë, spitale, punë, shoqëri etj. Por sot përfaqësuesit e shtetit që duhet të na mbrojë dhe mbështesë na bën të provojmë dhe shijen e të qënurit dhe trajtuarit si terrorist të llojit më të rrezikshëm. Ato njërëz që Anxhelës duhet ti jepnin sigurinë për të ecur e lirë në rrugët e një vendi që insiston të jetë europian, ushtruan terror mbi të brënda një makine.

Dhe ajo që filloi si një ditë rutine pune, u shndërrua në një rrugëtim të bukur drejt së shkuarës dhe së ardhmes, u kthye papritur në një mankth.

Anxhela i futi nje fjali nga ato te vetat: “Hengshin kokën e vet! Kurrë mos ja pafsha surratin Shkodrës”.

Unë kam një shije më të fortë se kurrë mosbesimi dhe skepticizmi ndaj shtetit të PR dhe shoqërsisë së spektaklit. Është ajo shija e forte, e hidhur, që kisha para 7 vitesh kur fillova aktivizmin dhe e ktheva në serum motivimi për punën që bëj. Pasi ndryshimi nuk do vijë kurrë nga keta ose ato. Ndryshimi do te vij vetem nga ne.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest