Pse nuk funksionon demokracia tek ne?

droits_de_l_ab48525675500511129_image_0_7a
Demokracia është rend politik, që mund të mbijetojë dhe ankorohet, tek një popull i hapur për të renë dhe tek një popull i gatshëm për drejtësi. Ne nuk jemi akoma! Demokracia nuk mund kurrë të funksionojë në një shoqëri, ku kultivohet patriarkalizmi, ku flitet për nder, por shpërfillet mizorisht dinjiteti i njeriut. Demokracia është rend shoqëror, ku çdo individ ka të drejtat e veta të garantuara me kushtetutë. Individ është edhe gruaja, dhe fëmija, jo vetëm burri. Nëse nuk ka drejtësi dhe barazi në shtëpi, është iluzion të priten apo shpresohen tek administrata shtetërore: nëpër universitete, akademi, gjykata dhe prokurori.
Për të funksionuar demokracia dhe për të ndërtuar shtet ligjor, ku qytetarët kanë të drejta të barabarta, ku fëmija mbrohet me ligj dhe ka të drejtat e veta të rritet pa dhunë, ku gruaja është e barabartë dhe ka të drejtat e veta të trajtohet si njeri dhe pa dhunë, pikë së pari demokracia duhet të depërtojë në familje me të gjitha ligjet e veta. Meqenëse faktet shkencore na dëftojnë se dhuna ndikon në rënien e masës gri në tru dhe rënien e inteligjencës, atëherë kemi një arsye të madhe për të ndryshuar.
Nëse kemi një Kuvend, ku deputetët e tij mohojnë liritë dhe të drejtat e njeriut, atëherë ata përfaqësues, janë përfaqësues fashist, që luajnë një rol, por që shkelin dhe përbuzin Kushtetutën në shtëpi, derisa paguhen nga shteti për ta dëmtuar dhe rrënuar atë.
Familja është qeliza e parë e një kombi. Disa familje bëjnë një lagje. Disa lagje një grup më të madh dhe shumë grupe, një popull. Nëse aty dominon dhe kultivohet patriarkalizmi, shtet ligjor nuk mund të kemi kurrë. Do të përpiqen të luajnë role si në teatër, do të mundohen të dërgojmë jashtë mesazhe, se ne po ndërtojmë diçka, por që ne, nuk kemi as dëshirë, as dije, as vullnet ta realizojmë. Pse fundi i fundit, kur nuk e bëjmë në shtëpi? Demokracia e vërtetë do të çrrënjoste patriarkalizmin, do të ndryshonte raportet në shtëpi dhe kërkonte barazi, aty ku ata nuk janë mësuar ta bëjnë, aty ku nuk e duan. Do ta krijonte familjen, ku anëtarët ndërlidhen me dashuri dhe respekt, jo siç është në shumë raste bashkësi interesi, ku ka dominues dhe të nënshtruar, siç ishte para mijëra viteve. Në shoqëritë patriarkale rrënimi i demokracisë nisë në familje. Mosfunksionimi edhe në shtet, është shfaqje krejtësisht normale. Është pasojë e domosdoshme, që nuk mund të parandalohet.
Shumë shkrimtarë, publicist, gazetarë dhe moderatorë, mund të shihen natën nëpër kafene apo hotele duke pirë çaj, verë ose birrë, por vështirë të shihen me gratë e tyre. Këta janë shëmbëlltyrat meskine të një shoqërie hipokrite nga merren mësime: të flitet ndryshe, por të veprohet ndryshe.
Shihen jashtë me mjekër apo pa të, me syze apo pa to dhe konsiderojnë veten kalorës të demokracisë, gjersa në jetën private, nuk kanë pësuar asnjë ndryshim: jo në raport me gratë, sepse manipulimi tyre si fëmijë, ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Ata nuk kanë pasur kurrë fuqi t’i ndryshojnë, përflakin dhe jetojnë kohën e vet, me ligjet e shtetit të vet. Banimi në afërsi, nën një kulm, në një oborr me patriarkun, ngulfat lirinë e të rinjve dhe jetohet jeta sipas dëshirës së tij, edhe pse është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e sotshme. Prania dhe autoriteti i patriarkut, është garanci e sigurt se nuk do të ecet para dhe se vetëdijësimi dhe racionalizimi, do të pengohet, rrjedhimisht, do të ndalohet.
Disa mund të kenë pasur dëshirë, por kontrolli i patriarkut plak, ka zbythur ata nga jeta moderne, i janë nënshtruar atij autoriteti, herë nga respekti, herë nga utilitarizmi dhe brenda shtëpisë, kultivojnë patriarkalizmin me të gjitha barbaritë e veta. Nëse barazia gjinore është sanksionuar në Kushtetutë, por shkelet në shtëpi, atëherë pikërisht aty, nis rrënimi i demokracisë, i shtetit ligjor, pastaj në lagje, në popull dhe karakteri i asaj demokracie, nuk mund të përcaktohet, nuk mund të përshkruhet, por shfaqet kaotike dhe e shpërfytyruar në të gjitha shtresat dhe në të gjitha format.
Hulumtuesi i lumturisë, sociologu i Universitetit të Bremenit profesor Jan Delhey, ka bërë kërkime me kolegët e tij edhe nëpër shumë vende të varfër dhe ka ardhur në përfundim, se kudo, paraja luante një rol të madh në lumturinë e njeriut. Sociologët kanë veçuar dhjetëra faktorë që ndikojnë në lumturinë e njeriut dhe ato janë në mes të tjerash: liria për të marrë vendime, shteti ligjor, barazia, sigurimi social, por si kryesor ndahen në tre grupe që krijojnë një formulë të lumturisë: me pasë, me dashtë dhe me qenë.
pas: është vendi i punës, rroga, standardi jetësor, të mirat materiale që na rrethojnë dhe fitime të mjaftueshme. Për të jetuar njeriut i duhet dashuri edhe kontakte sociale. Tek asnjë popull nuk është gjetur dëshira për t’u nënshtruar. Siç shihet, nuk është shëndeti në rend të parë, sepse me shëndet në një vend të shkretë, nuk arrihet gjë. Pra e para është posedimi material. E dyta është dashuria: një njeri që e duam, familjen dhe miqtë. Tek me qenë, nënkuptohet një profesion i mirë, shëndeti dhe një jetë aktive, një jetë e lirë. Sipas konstatimeve të profesorit Jan Delhey, në pjesën më të madhe të lumturisë tonë ndikojnë faktorët e jashtëm, më pak ato gjenetike.
Si më të palumtur sociologu me kolegët e tij ka veçuar njerëzit, që nuk kanë punë, pra që nuk fitojnë, pastaj ata që nuk kanë një njeri që e duan, ose të shkurorëzuarit dhe duke munguar ato dy të parat, e pëson pastaj edhe shëndeti. Nëse marrim ata tre faktorë dhe me to krahashojmë gratë shqiptare, disa martesa pa dashuri, në të kaluarën të gjitha, por jo vetëm tek ne, mungesa e punës, atëherë mund të kuptojmë shumë mirë pse në fytyrat e shumë grave mungon buzëqeshja, por shihet shumë qartë mjerimi, rezignacioni, që u lexohen në fytyrë edhe në rrugë, edhe në shtëpi.
Se sa janë të lumtura gratë shqiptare duke mos pasur vend të punës, duke mos pasur rrogë, por duke qenë të varura tërësisht nga burri, se sa janë të lumtura ku shihet se edhe sot martohen me shkuesi, domethënë pa dashuri, se sa e lumtur mund të jetë, kur i mohohet apo mbikëqyret liria e lëvizjes, e fjalës, tregon qartë ajo formulë. Kjo domethënë se ne kemi vendosur një demokraci vetëm për burra dhe kjo është arsyeja kryesore pse demokracia jonë është banale, e qyrraftë dhe e pshurrët.
Në shoqëritë si kjo e jona duhet një ligj, i cili do të ndalonte kandidimin për Kuvend apo vende udhëheqëse të njerëzve, që shkelin Kushtetutën qysh në shtëpi: barazinë gjinore, liritë e të drejtat e njeriut dhe fëmijës. Për politikën shqiptare, duhej të ushtonte alarmi, kur kanë mësuar se 42 përqind të grave, miratojnë dhunën nga burri. Kur rrihen gratë sipas asaj statistike? “Rreth 33 për qind (32.9%) e grave të anketuara (mosha 15-49 vjeç) deklaruan se burri arsyetohet ta godasë ose ta rrahë gruan në rastet kur ajo del pa i treguar atij, kur neglizhon fëmijët, fjaloset me të, nëse refuzon të bëjë seks apo nëse djeg ushqimin.“
Pra, edhe pse janë miratuar liritë dhe të drejtat e njeriut, gruaja duhet të kërkojë leje për të shkuar në shitore. Ajo edhe në demokraci ka gardian. Duke rrahur atë për mungesë kujdestarie ndaj fëmijëve, traumatizohen edhe fëmijët. Pasojat psikike të asaj ecurie, do t’i paguajnë nesër. Ajo rrihet edhe kur shprehë mendimin e saj dhe klasifikohet si fjalosje. Sipas ligjeve në Europë, seksi i bërë pas refuzimit të gruas, vlerësohet si dhunim dhe sanksionohet me deri tre vite burg. Seksi nuk mund të bëhet me një dëshirë, por me dy dëshira. Seksi është ndjesi shpirtërore dhe mungesa e dëshirës, por kryerja e aktit, është dhunim i dinjitetit të njeriut. Dhuna e ushtruar ndaj fëmijëve, krijon fëmijë pa sedër dhe u humb vetësigurinë. Nesër këta do të jenë xhelozë, që refuzojnë barazinë e gruas dhe vuajnë për tragjedinë e nënës, që ata tani, ua dhurojnë fëmijëve, sepse si fëmijë, ai nuk është edukuar, por mësuar me dhunë, si kafshë cirku. Një shoqëri ku mungon dashuria ndaj fëmijës, nuk mund të ketë ardhmëri të lumtur.
Ka edhe një mënyrë se si të bjerë së paku numri i dhunuesve në shtëpi. Meqenëse ata vështirë se mund të riedukohen, atëherë Kuvendi të aprovojë një ligj, ku rrahja të lejohet edhe kundër burrave, edhe ata, kur nuk sjellin para të mjaftueshme në shtëpi, kur mbeten pa punë, kur nuk trajtojnë me dashuri fëmijët dhe kur bëjnë vepra penale, por edhe për shkelje të rregullave të komunikacionit për shembull, ose për kundërvajtje të tjera. Nëse gruaja mund të rrihet pse ka djegur ushqimin, nuk ka asnjë arsye të mos rrihet burri, pse nuk sjell mish qengji apo viçi në shtëpi. Nuk ka asnjë arsye logjike t’u mohohet burrave ai trajtim human dhe qëllimmirë, që për gratë dhe fëmijët qenka i shëndetshëm. Për të realizuar këtë në çdo qytet të hapet një Ordinancë Riedukimi, ku do t’u skuqeshin vithet burrave me kamxhik për të mirën e tyre. Meqenëse këtë masë edukative meritojnë gratë dhe fëmijët, e meritojnë edhe burrat!
Pra për të funksionuar demokracia, duhet të zbatohen ligjet në shtëpi. Nëse demokracia vlen vetëm për burra, domethënë kemi gjysmën e popullit të nënshtruar, si ishim deri dje të gjithë.
Kombet shtetformuese bazohen vetëm në kushtetutë. Derisa të mos lejohet depërtimi i ligjeve kushtetuese në shtëpi dhe të bëhet zbatimi tyre, nuk do të jemi komb shtetformues, por grumbull fisesh hibride me bindje të ndryshme, por shtet i vërtetë në shërbim të qytetarit, nuk do të ndërtohet. Çaraveshjen se Europa po na diskriminon, nuk mund të na e ndalojë askush. Ne kërkojmë trajtim të barabartë nga BE, por vet diskriminojmë në shtëpi. Ata po diskriminojnë njerëz të huaj, ne tanët. Pse ne kërkojmë trajtim sikur tek të tjerët, kur kemi ftyrë të shtypim pikërisht ata që duhet t’i duam? Çfarë dashurie duhet të kenë të tjerët ndaj nesh, kur ne nuk dashurojmë anëtarët e familjes dhe diskriminojmë ata në emër të një burrnie, të një zakoni?
Një popull, ku 42 përqind e grave jo analfabete pranojnë dhunë si masë edukative, ku diskriminimi gjinor konsiderohet normal, ku rrahja e fëmijës quhet edukatë, vështirë se mund të ndërtojë shtet ligjor, për të mos thënë, duhet shpresuar se ndoshta përmbarohet në vitin 2115./A.A.
Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest