Pas dëbimeve nga Bashkia, zgjidhja për strehimin e komunitetit Rom mund të vijë nga shoqëria civile

1003588_1135726686447226_5279154000782273318_n

Zgjidhja për strehimin e komunitetit Rom në Tiranë mund të vijë nga shoqëria civile. Pas dëbimeve të njëpasnjëshme nga bashkia dhe harresës dhjetëravjeçare nga pushteti qendror, Romët për herë të parë mund të kenë një kamp me kushte të denja jetese.

Iniciativa e organizatës Ecovolis synon të ndërtojë një park rulotash që do të blihen dhe rikonstruktohen me kontributin e qytetarëve dhe aktivistëve.

“Nuk nevojiten fjalë predikuese e qirinj për të vepruar, nevojitet ndihmë reale, ndihmë për këta fëmijë që flenë nën strehën e indiferencës së ndërgjegjes sonë. Ndihma jote do i’u mundësojë atyre Rulotë te perdorur dhe puna e aktivistëve do të mundësoj Parkun e Shpresës dhe të së ardhmes për këta fëmijë”, shkruhet në njoftimin e Ecovolis.

FOTO: KUSHTET E JETESES NE KAMPIN E KOMUNITETIT ROM

12494814_1079813242043346_7565046827470774300_n

Komuniteti Rom jeton në kushte çnjerëzore strehimi, pak ditë më parë ata i nisën një letër Kryebashkiakut Veliaj ku kërkonin masa urgjente për familjet që jetojnë në zonën e Shkozës e nuk kanë as kushtet minimale për tu përballur me temperaturat e ulëta të dimrit.

Nisma ka për synim ngritjen e një fondi prej 30.000 USD që do të përdoren për ndërtimin e parkut me kampera në zonën e quajtur “Ish- Uzina e Autotraktorëve”, duke mundësuar një zgjidhje finale dhe afatgjatë për familjet e komunitetit Rom.

Ambasadori Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Donald Lu gjatë vizitës së tij në kampim e komuniteit Rom tek Ish- Uzine e Autotraktorëve një ditë më parë, theksoi se strehimi  është një problem që kërkon ndërhyrje urgjente ndaj duhet gjetur një zgjidhje afatgjatë dhe e qendrueshme.

Vetëm gjatë një muaji, dy foshnje të komunitetit Rom humbën jetën për shkak të temperaturave të ulëta.

Kjo video sensibilizuese tregon kushtet ku jeton një familje rome, të cilës i ftohti i mori një nga fëmijët pak ditë më parë.

“Ne refuzojmë të jetojmë në një vend ku foshnjët vdesin nga i ftohti, prandaj kemi vendosur të mos rrijmë duarkryq, bashkë mund të bëjmë mrekullira” shprehen aktivistët e Ecovolis në njoftimin e tyre.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest