Moratoriumet, çfarë shakaje pa kripë

Pikë zhavorri në lumin Drin pranë derdhjes së tij në Bunë, shtator 2015. Foto” Gjergj Erebara/BIRNPikë zhavorri në lumin Drin pranë derdhjes së tij në Bunë, shtator 2015. Foto” Gjergj Erebara/BIRN

 

Nga Gjergj Erebara

Shumë vite më parë, Shqipëria vendosi të ndalojë shfrytëzimin e shtretërve të lumenjve për të nxjerrë rërë dhe zhavorr për ndërtimin. Argumentet për ndalimin e praktikës së gërryerjes së lumenjve qenë të shumta: e para, gërryerja e lumenjve shkakton shpesh rritjen e shpejtësisë së rrjedhjes së ujërave, rrjedhimisht, gërryerje të brigjeve dhe erozion të tokës bujqësore apo të ndërtimit, gërryerje të këmbëve të urave etj. E dyta: shfrytëzimi i gurit të lumit për ndërtimin e rrugëve krijon rrugë me cilësi të keqe dhe jetë të shkurtër. Inxhinierët argumentonin se gurët e lëmuar të lumit nuk e kishin koeficientin e nevojshëm të fërkimit për të krijuar rrugë që jetojnë gjatë. E treta: Shqipëria nuk vuan nga mungesa e gurëve të malit si burim ndërtimi. E vetmja diferencë është që gurët e lumit janë pak më të lirë se sa gurët e malit. E katërta: gërryerja e lumenjve shkatërron habitatet natyrore dhe botën e gjallë.

Shumë dhe shumë vite më parë, qeveria shqiptare vendosi ndalojë shfrytëzimin e shtretërve të lumenjve për të nxjerrë zhavorr. Ndalimi, kuptohet, mbeti vetëm në letër. Me dhjetëra denoncime në media, veçanërisht për shfrytëzimin e Lumit Erzen pranë Tiranës, ndihmuan për të vënë në punë herë pas here ingranazhet e ndryshkura nga korrupsioni të shtetit shqiptar, por në tërësi, shfrytëzimi i lumenjve u ndal vetëm në rastet kur zhavorri mbaroi. Në ato raste kur zhavorri nuk ka mbaruar, shfrytëzimi vijon, pavarësisht se është zyrtarisht ilegal. Dhe është aq i gjithëpërhapur sa vijon ditën për diell, pranë të gjitha rrugëve kombëtare nga ku shihet nga të gjithë. Nuk është pra e vështirë që të kalosh urën mbi lumin Mat në rrugën Tiranë-Shkodër për të parë malet e mëdha me zhavorr që nxirret nga ky lum. Dhe po të shkosh pak më tutje, në urën e Bahçallëkut pranë Shkodrës, edhe aty shfrytëzimi i lumit është i dukshëm.

Dateri me shumicë

Nja tre vjet më parë, qeveria shqiptare u ndërgjegjësua më në fund se një produkt deti i njohur si dateri (Litophaga litophaga), kishte hyrë në modë në restorantet e peshkut në Shqipëri, pavarësisht se është i ndaluar në pjesën më të madhe të Bashkimit Europian për shkak të dëmit që shkakton nxjerrja e tij nga shkëmbinjtë nënujorë. Më së shumti, kjo lloj gjuetie e paligjshme zhvillohet në Karaburun, një zonë e vogël, e cila është gjithashtu rezervat natyror i mbrojtur. Në fillim të vitit 2014, qeveria deklaroi se kishte ndër mend ta ndalonte konsumimin e daterit duke e luftuar këtë modë nëpër restorante, pra thjeshtë duke gjobitur restorantet që pranonin ta tregtonin. Pas vetëm pak javësh frikësim, në pothuajse çdo restorant peshku në Shqipëri, dateri vijon të ofrohet pa kurrfarë problemi. Qeveria nuk duket e aftë të bëjë asgjë, ose duket tepër e zënë me punë të tjera ose thjeshtë nuk ka vullnetin për të ndaluar shfrytëzimin e paligjshëm të natyrës.

Kafshë të egra sipas dëshirës

Në fillim të vitit 2014, pas shqetësimeve të ngritura nga ekspertët ndërkombëtarë mbi kthimin e Shqipërisë në një destinacion të turistëve të gjuetisë, qeveria vendosi një moratorium dyvjeçar mbi gjuetinë, me argumentin se fauna e egër është pakësuar aq shumë sa situata është bërë kritike. Moratoriumi, i cili skadon vitin e ardhshëm, në një farë mënyre e ka pasur efekt, por pavarësisht dënimeve të ashpra të vendosura për gjuetinë e paligjshme, në shumë restorante të Shqipërisë është e kollajtë të të sjellin kafshë të egra për konsumim. Jo vetëm kaq, por gjuetarët e paligjshëm janë aq pak të frikësuar për mundësinë e ndëshkimit sa e publikojnë aktivitetin e tyre të paligjshëm me krenari në median sociale.

Pyjet

Qeveria shqiptare ka miratuar një vendim të ngjashëm të quajtur “moratorium”, me synimin e ndalimit të prerjes së pyjeve për dhjetë vjet. Pyjet po priten në Shqipëri më së shumti si lëndë djegëse për ngrohje, për shkak se energjia elektrike dhe nafta janë aktualisht shumë të shtrenjta ndërsa gazi nuk pëlqehet nga popullsia.

Fillimisht, Shqipëria ndaloi shumë vite më parë eksportin e qymyrit të drurit, një praktikë që eliminoi një pjesë të mirë të pyjeve në jugun e Shqipërisë dhe më pas, ndaloi eksportin e drurit. Këto ndalime nuk ndihmuan shumë për të mbrojtur pyjet. Përkundrazi, ato vijuan të rrafshohen. Aktualisht, megjithëse moratoriumi ka hyrë në fuqi, qytetarët po denoncojnë në mediat sociale ditë për ditë dhjetëra raste të kamionëve të ngarkuar me drurë që qarkullojnë në rrugët e Shqipërisë.

Duke parë efikasitetin e ndalimeve dhe moratoriumeve të së shkuarës, përfshirë ato kundër gërryerjes së shtretërve të lumenjve, kundër konsumimit të daterit dhe kundër gjuetisë, shpresat se një moratorium kundër prerjes së pyjeve do të sjellin rezultat janë të pakta.

Burimi: BIRN

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest