Mënyra e gabuar për të dhënë një hidrocentral me koncesion

diga-e-hidrocentralit-koman

Qeveria aktuale ka nisur deri tani dy procedura koncesionesh për hidrocentrale të mëdha, që të dyja duke ndjekur të njëjtat procedura të gabuara të qeverisë paraardhëse, vetëm se kësaj here, edhe me më pak transparencë.

Në vitin 2003, Banka Botërore kreu një studim mbi potencialin e prodhimit të energjisë elektrike përmes ujit në Shqipëri.

Studimi konkludoi se rreth dy të tretat e potencialit teorik hidrik të vendit nuk qe e shfrytëzuar dhe se Shqipëria mund ta rriste prodhimin hidroenergjetik në mënyrë të ndjeshme duke ndërtuar hidrocentrale të reja apo duke ridizenjuar hidrocentralet ekzistuese.

Në vitin 2007, qeveria e kohës miratoi një ligj të ri për koncesionet, përmes të cilit, teorikisht, një kompanie private i lindte e drejta të identifikonte një mundësi për biznes duke shfrytëzuar një aset publik dhe ta paraqiste këtë ide në qeveri. Qeveria i jep ideuesit fillestar një bonus në një garë publike ku mund të marrin pjesë edhe kompani të tjera.

Ligji i koncesioneve i asaj kohe erdhi si reagim ndaj praktikave të qeverisë së mëparshme socialiste, të cilat, vendosnin të jepnin koncesione të parit që ia kërkonte një gjë të tillë. Pra u vendos koncepti ‘garë’ dhe koncepti ‘aset publik’. Në praktikë, zbatimi i ligjit nga qeveria e kaluar e ktheu konceptin ’garë‘ në një farsë. Koncesionet iu dhanë në shumicën dërrmuese të rasteve kompanive që i kërkuan ato, ndërsa gara nuk ndryshoi asgjë. Në total, qeveria e kaluar dha koncesione për disa qindra hidrocentrale të vegjël dhe të mesëm.

Partia Socialiste, në atë kohë në opozitë, i kritikoi shpesh këto koncesione. Psh: në gusht 2010, deputeti Erjon Braçe, në rolin e nënkryetarit të grupit parlamentar socialist deklaroi se: “Procesi i dhënies me koncesion i pasurive kombëtare është thellësisht jo transparent, ndaj kërkojmë publikimin e menjëhershëm të çdo kontrate lidhur me këtë proces, në mënyrë që të shihen qartë përfituesit, vlerat, detyrimet dhe përmbushja e tyre në bazë të ligjit”. Sipas Braçes, modeli i qeverisë së kaluar qe “paguaj kryeministrin e merr ç’të duash”.

Pikërisht duke bërë atë që pati kritikuar vetë, qeveria aktuale ka dhënë deri tani dy koncesione me të njëjtën infrastrukturë ligjore të përdorur nga qeveria e shkuar.

Koncesioni i parë u miratua në gusht të vitit 2015 për kompaninë turke “Çinar-San Hafriyat Nakliyat Inşaat Turizm Sanayi Ve Ticaret Limited Şirketi”, për hidrocentralin e Poçemit, mbi lumin Vjosë. Koncesioni i dytëu miratua në 23 dhjetor për një bashkim kompanish turke, “Suzer Group” dhe “Nurol Holding” mbi Lumin Drin.

Shqipëria ka një histori dështimesh në koncesionet që i janë dhënë pa garë ose me garë false, ose që i janë dhënë kompanive të mësipërme, të cilat janë emra të panjohur në tregun ndërkombëtar por që vetëdeklarohen “konglomerate” me aktivitete multimiliardëshe.

Hidrocentrali i Kalivaçit, psh, i cili duhej të vinte në shfrytëzim për prodhimin e energjisë kaskadën e lumit Vjosë, lindi nga një kontratë koncesionare e firmosur nga Bashkim Fino, si kryeministër tranzicioni më 24 maj 1997. Hidrocentrali nuk u ndërtua kurrë dhe u kthye në një gropë që aktualisht po hetohet për pastrim parash, ndërsa qeveria e sotme, është detyruar të shpenzojë disa qindramijëra euro për t’u përballur në arbitrazh me biznesmenin italian Francesco Beggetti, aktualisht i shpallur në kërkim.

Edhe vetë Skavica ka një histori të ngjashme. Atë e mori me koncesion një kompani tjetër italiane, (TSG), e cila u prezantua gjithashtu si grup me aktivitete multimiliardëshe dhe e zvarriti çështjen deri më sot.

Duke qenë se u dogj nga këto ecejake të koncesioneve të pakërkuara dhe pa garanci nëse do të ndërtohen ndonjëherë, qeveria e mëparshme shpalli tender në vitin 2010, pikërisht për Skavicën, ku kërkoi garanci financiare prej 50 milionë eurosh nga oferta fituese.

Tenderi dështoi se në atë kohë qe krizë financiare botërore. Por fakti është që kur dëshiron të ndërtosh një hidrocentral dhe sidomos kur hidrocentrali ka përmasa të tilla dhe pozicion strategjik në prodhimin e energjisë, duhet të mendohesh pak më gjatë.

Ndryshe është rasti i Ashtës, apo ai i Devollit. Ashta përfundoi së ndërtuari në kohë nga konsorciumi i kompanive austriake, që të dyja të njohura pikërisht për prodhim energjie. Devolli është aktualisht duke ecur sipas kontratës koncesionare pasi po ndërtohet nga Statkraft, një gjigand i njohur gjithashtu për ndërtime hidrocentralesh.

Të dyja janë sukses nga pikëpamja e ndërtimit, ndonëse ndokush mund t’i quajë me të drejtë dështim nga pikëpamja financiare, pasi Shqipëria detyrohet të blejë energjinë e këtyre hidrocentraleve për 15 vjet me çmime që shumëkush i konsideron të ekzagjeruara.

Gjithsesi, dallimi është i qartë. Qeveria aktuale, në vend që të kopjojë qeverinë e shkuar, bën mirë të mësojë prej paudhësive të saj. Argumenti i qarkulluar së fundmi se vendimi i bonusit të qeverisë për kompanitë “ideuese” prej 8 për qind është më i ulët se sa kuota prej 10 për qind që qeveria “Berisha” pati dhënë më parë për to, vështirë se shërben për justifikim.

Dallimi mes koncesionit të kërkuar dhe atij të pakërkuar është i njohur nga qeveria. Psh. ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, i pyetur se pse dha koncesione si ministër, ndërsa kishte denoncuar si korruptive koncesionet e qeverisë paraardhëse, u rrek të mbrohej me argumentin se koncesionet e tij janë të “kërkuara”, ndërsa ato të Berishës qenë “të pakërkuara”.

Një koncesion i pakërkuar konsiston në mungesën e njohurisë së qeverisë për ekzistencën e një aseti publik, apo në ekzistencën e mundësisë për shfrytëzim për biznes të një aseti publik. Fjala vjen, kur një kompani deklaron se di të nxjerrë flori nga deti, ajo mund të propozojë koncesion të pakërkuar nga qeveria për shfrytëzimin e detit. Skavica nuk është i njëjti rast.

Drini duket se ka ekzistuar që prej shumë kohësh dhe ne shqiptarët, përfshirë edhe qeverinë, e dimë ekzistencën e tij si dhe e njohim potencialin për të prodhuar në të energji. Rrjedhimisht, koncepti i koncesionit të pakërkuar është në përputhje me deklaratat e Erjon Braçes në vitin 2010. Jo vetëm që ne e dimë që Drini ekziston dhe në të mund të prodhohet energji, por kemi edhe një seri studimesh të paguara nga taksapaguesit se si mund të shfrytëzohet ky lum.

Rrjedhimisht, mënyra e duhur për të dhënë një koncesion të tillë është gara e hapur, pa bonus, me koncesion të kërkuar nga qeveria.

Qeveria mund të vendosë, nëse dëshiron, që palët të konkurrojnë me para, fjala vjen, konkurrentët ofrojnë për ta blerë të drejtën e shfrytëzimit të Drinit për një periudhë të caktuar, apo me çmimin e shitjes së energjisë elektrike.

Ky është modeli i Danimarkës për prodhimin e energjisë. Qeveria thotë: unë dua kaq energji të prodhuar, kush nga kompanitë më ofron prodhimin e kësaj energjie me çmimin më të ulët.

Ky i dyti është opsioni më i vlefshëm. Suzer dhe kushdo tjetër që mund të jetë i interesuar, duhet të marrë pjesë në një garë dhe të thotë, me lumin Drin, unë jam në gjendje të prodhoj kaq energji dhe kam interes ta shes me këtë çmim. Fiton çmimi më i ulët dhe kaq. Çdo vendim tjetër, përfshirë atë të marrë në mbledhjen e 23 dhjetorit, është e gabuar.

/Gjergj Erebara/Birn/

/l.k/

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest