Ne gratë që jemi bërë nëna me anë të mitrës me qira

011415364-f385f7a7-0454-4c81-bbb2-bd8adaf84896

“Nuk ndjehemi si hajdute fëmijësh, shfrytëzuese grash që janë të detyruara të shesin veten e tyre për pak para. Latika dhe Ekaterina nuk ishin makina për ne, por njerëzit që bënë të mundur për ne dhe bashkëshortët tanë të ndjenim gëzimin e një fëmije që sëmundjet na pengonin ta kishim. Dhe ne, në një farë mënyre, ndihmuam të ardhmen e fëmijëve të tyre. ”

Anna dhe Laura janë dy nga qindra gra italiane që zgjodhën mëmësinë surrogate, praktikë e ndaluar në Itali, duke shkuar jashtë vendit. Dhe në këto ditë debatesh rreth mitrës me qira, pas apelit “Nëse jo tani, kur” që ndau edhe botën feministe, ato ndjehen nën akuzë. Ndërsa në dhomën tjetër, fëmijët e tyre janë në gjumë dhe nuk janë në dijeni të debatit për origjinën e tyre të komplikuar.

Cila është historia juaj?

LAURA: “Unë u përpoqa 15 herë me IVF(fertilizim in vitro) pa sukses, mbesja shtatzënë dhe më pas abortoja. Në fund u sëmura, më hoqën mitrën, dhe për mua kjo ishte si fundi i botës. E kisha dëshiruar aq shumë një fëmijë sa që kur isha në kujdesin intensiv dhe zbulova se nuk mund të bëhesha më nënë, i thashë burrit tim, mi hiq tubat, më mirë të vdes.”

Si vendosët të shkonit në Indi?

ANNA: “Nga dëshpërimi. Për vite kemi kërkuar një fëmijë, derisa erdhi vendimi përfundimtar që hiqte çdo iluzion. Pastaj, pasi diskutuam gjatë anën morale dhe etike të saj, filluam të kërkonim në internet, dhe aty njohëm çifte të tjera që kishin shkuar në Nju Delhi. Kostoja ishte më e përballueshme se sa në Amerikë, ne jemi dy të punësuar, por mbi të gjitha na siguruan se ai nuk ishte si vende të tjera ku gratë shfrytëzohen, largohen nga familjet e tyre për muaj, mashtrohen sepse nuk mund të lexojnë kontratat. Kur arritëm në New Delhi gjetëm një klinikë moderne, mjekë efikasë, kujdes, mbrojtje, kujdes të vërtetë për nënat surrogate. Dhe kjo na bindi.”

Si ishte takimi me nënën surrogate?

ANNA: “Emocionuese. Me tim shoq takuam Latikën, flokë të errët dhe një buzëqeshje e madhe, pranë kishte të shoqin që punonte shofer autobusi. Folëm anglisht rreth atyre që do të përjetonim, historitë tona, arsyet që kishin bërë që jetët tona të ndërthureshin: ajo e bënte për dy fëmijët e saj, për të paguar për shkollimin e tyre të lartë. Gjatë gjithë shtatzënisë kemi biseduar, komunikuar përmes Skype, duke pasur kontakt ndërsa dëshira rritej dhe bëhej më reale”.

Po në Ukrainë si shkoi?

LAURA: “Unë mbërrita në Kiev pas shumë fekondimesh dhe operacionesh të asistuara dhe të panevojshme, pas disa përpjekjeve për të lindur fëmijë me nëna surrogate të shkuara keq në Greqi. Në Ukrainë njohëm Ekaterinën, 26 vjeç, e cila jetonte me dy fëmijët e saj në një fshat. Një grua e fortë, e qetë, e sigurtë. Edhe ajo e bënte atë gjë për fëmijët e saj: me ato para ajo bleu një shtëpi.”

Sa i paguat?

ANNA dhe LAURA: “rreth shtatë mijë euro, tridhjetëmijë kushtoi i tërë organizimi mjekësor.”

Ju akuzojnë se i keni blerë fëmijët ….

ANNA dhe LAURA: “Jo, ai ishte një shkëmbim, një dhuratë. Latika dhe Ekaterina na bënë të mundur që të bëhemi prindër, duke përdorur farën e bashkëshortëve tanë dhe në një rast vezën e një gruaje tjetër. Dhe ne u dhamë atyre mundësinë për një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre.”

Po tani çfarë do të ndodhë?

ANNA dhe LAURA:. “Po presim me padurim që të kemi të gjitha dokumentet në rregull, vendimet që të na thonë se nuk duhet të kemi më frikë se mund të humbim fëmijët tanë. Ne jemi shumë, në një muaj në ambasadën e Kievit kishin kaluar të paktën 50 çifte italiane që kishin bërë procedurën e nënës surrogate.”/A.A.

Për të lexuar intervistën e plotë klikoni: repubblica.it

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest