UNIVERSITETI SI PASQYRË E SHOQËRISË

per universitetin

Redi Muçi

Mos shko i heshtur në gjirin e natës,
Revoltohu, revoltohu kundër vdekjes së dritës.
– Dylan Thomas

Cila është situata aktuale: zhgënjimi perceptohet në gjithçka; në fytyra, në biseda, në pyetje, në komente. Janë të zhgënjyer qytetarët e thjeshtë; ndoshta, sepse te parulla “rilindje” kishin lidhur një lloj shprese absurde se gjërat do të ndryshonin për më mirë. Ndoshta, sepse këmbëngulnin që të ruanin të vagullt në memorie Lanën e pastruar nga tezgat, jo Tiranën e ‘xhunglës së betonit’ – siç do ta quante Bob Marley po t’i binte rruga nga anët tona. Në bisedat e përditshme, disa ia vënë fajin mungesës së sindikatave, të tjerë shkallës së ulët të ndërgjegjësimit qytetar, të tjerë rinisë së kafeneve. Fjalë këto që në vetvete justifikojnë mospërfshirjen e atyre që i artikulojnë. Janë zhgënjyer analistët – ata pak që ende e kanë respektin e publikut. Lubonja e quan hemorragji të vazhdueshme emigrimin e shqiptarëve.

Shumica prej tyre janë të papunë, thotë ai, pjesa tjetër s’e dinë për sa kohë ende do të jenë të punësuar. Cila është zgjidhja? Një lëvizje kulturore që të ndryshojë institucionet. Ose një tjetër, mbarëpopullore … Bushati denoncon mënyrën e re të vjedhjes së qeveritarëve: koncesione afatgjata për klasën e re të biznesmenëve-klientë të partisë në pushtet. Ç’kuptim ka votimi i njërës apo tjetrës palë – pyet Bushati – kur të gjitha shërbimet në vend të jenë privatizuar për më shumë se 10 vjet dhe të gjithë ne të paguajmë për të siguruar fitimet e pronarëve të kompanive private?! Vallë a mund të gjendet një shembull i vetëm në këta 25 vjet i një privatizimi apo koncesioni të suksesshëm për vendin dhe shoqërinë?! Çmontimi dhe shitja për skrap e fabrikave, uzinave, hekurudhave? Privatizimi i shpërndarësit energjetik? Minierat e Bulqizës e të Kukësit? Nafta a gazi i Marinzës? Atëherë çfarë?

Kush largohet: të gjithë ata që mllefin e kthejnë në dëshpërim impotent. Nuk ekziston më për ta “ëndrra amerikane” si dikur para shumë vitesh; tanimë e dinë të gjithë se përtej kufirit emigranti ngelet gjithmonë emigrant, e më mirë se kushdo këtë e dinë të kthyerit nga vendet fqinje që po i futen edhe një herë aventurës, kësaj here drejt vendeve veriore. E megjithatë, iket duke mallkuar nëpër dhëmbë politikën, farën shqiptare, dreqin, të birin … Ikin të gjithë ata që kanë mundësinë ekonomike dhe ligjore për të ikur. Ata që s’e kanë, e trillojnë një arsye gjatë rrugës. Po largohen që t’i shpëtojnë ndonjë përndjekjeje a diskriminimi, ndonjë rrëmbimi apo hakmarrjeje. Largohen edhe ata që e kanë një profesion. Në vendin ku të jesh specialist i një fushe vlen më pak se të jesh anëtar partie, të gjithë janë kthyer në militantë e specialistë të gjithçkaje. Këtu ka gazetarë-militantë, opinionistë-militantë, inxhinierë-militantë, doktorë-militantë, pedagogë-militantë, artistë-militantë, policë-militantë, madje edhe pastrues e shoferë-militantë. Militantizmi dhe besnikëria ndaj partisë është kthyer në licencë për punë. Prandaj emigrimi për ata që e kanë një profesion apo diplomë është kthyer në mënyrën e vetme për të punuar me një minimum dinjiteti.

Ç’të bëjmë: ka plot nga ata që sytë i drejtojnë nga Perëndimi, me shpresën foshnjore se Europa apo Amerika do të ndëshkojnë zhvatësit e vendit tonë të vogël në emër të ndonjë parimi metafizik drejtësie hyjnore a demokracie të kulluar. Harrojnë se përtej interesave gjeostrategjike dhe ekonomike, askush nuk interesohet për asgjë. Harrojnë se dy partnerët kryesorë të Amerikës në Lindjen e Mesme janë shteti i diktaturës mesjetare të Arabisë Saudite dhe shteti protofashist i Izraelit. Shpresa dhe rruga e vetme është organizimi popullor i rezistencës ndaj hajdutërisë së ngritur në ligj. Ndërgjegjësimi vjen në rrugë e sipër përmes organizimit. Jemi i vetmi vend në rajon që nuk ka organizime sindikale punëtorësh. I vetmi vend ku punëtorët shfaqen nëpër edicionet e lajmeve veçse si dritëhije në sfondin dekorativ, ku pronarët buzagaz shtrëngojnë duart me mysafirët politikanë. I vetmi vend ku mungon kultura subversive, rrymat underground, artistët e rrugës që i flasin publikut jo nëpërmjet galerive mondane, por duke transformuar muret e qytetit në tablo artistike. Jemi vendi më i mjerë, por që çuditërisht nuk i këndon mjerimit që prej kohës së Migjenit. Kënga sot nuk është ligjërim publik, është produkt që shitet në tregun e të mjerëve. Jemi i vetmi vend që krizën ku ndodhemi e konsiderojmë si një murtajë të dërguar nga Zoti – e për pasojë vrapojmë të shpëtojmë diku larg – jo si padrejtësi kundër së cilës duhet të luftohet në rrugë, në vendin e punës, në shkollë, në autobus. Të paorganizuar, kemi ngelur veçse qenie vegjetative, mediokre në dëshirat tona, të ndrydhura në përditshmërinë e zbrazët të teatrit mediatik, nënnjerëzore – sepse veçoria që e dallon specien e njeriut është aftësia për të transformuar realitetin ku jeton. Asgjë nuk lind nga hiçi. Asgjë nuk arrihet nëse vullnetet nuk bëhen bashkë për të ndryshuar të vjetrën e kalbur që kundërmon nga koka.

Ç’është Lëvizja për Universitetin: një përpjekje për organizim që synon transformimin e hapësirës universitare nga ata që e banojnë universitetin, studentët dhe pedagogët. Ne organizohemi që të rezistojmë kundër degjenerimit që i ka sjellë universitetit vargani i drejtuesve-militantë, po aq të korruptuar sa edhe udhëheqësit e tyre në parlament e ministri. Për të kundërshtuar një reformë të hartuar për interesat e oligarkëve të diplomoreve private, të cilët e kanë kapur nëpërmjet interesave ekonomike Kryeministrin e vendit ashtu siç bënë me paraardhësin e tij. Për të kundërshtuar një reformë, e cila i shumëfishon problemet aktuale të universitetit si partiakëzimi i drejtuesve të universitetit, rritja e tarifave studimore, të cilat ende pa hyrë në fuqi ligji i ri janë të papërballueshme, për pasojë përjashtimi i studentëve me të ardhura familjare modeste, tregtarizimi i dijes dhe i marrëdhënieve pedagog-student, përjashtimi i studentëve nga vendimmarrja në universitet megjithëse përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave të çdo fakulteti. Për më tepër, reforma synon t’i ngarkojë me borxhe studentore supet e të diplomuarve – borxhe që do të duhet t’i shlyejnë duke komunikuar në kufjet e call centre-it me përtejdetin.

Lëvizja për Universitetin synon që përmes organizimit dhe angazhimit të përditshëm brenda universitetit të farkëtojë një subjekt të ri studenti dhe pedagogu. Të hedhë tutje prototipin e pedagogut-patriark që dijen e ngurtëson brenda një teksti të padeshifrueshëm me të cilin shantazhon studentët. Të hedhë tutje prototipin e studentit të heshtur e të mekur brenda universitetit që raportin me dijen e përcakton vetëm nëpërmjet shtënies në dorë të një kartoni diplome. Të kundërshtojë me të gjitha forcat raportin tregtar-klient që synon të ngrejë ligji i ri për arsimin, për të rithemeluar një raport barazimtar bashkëpunimi student-pedagog të ngritur mbi qëllimin e përbashkët: dijësimin e dyanshëm. Përpjekja universitare sot është përpjekja e punëtorëve dhe të papunëve nesër për t’i bërë ballë viktimizimit sistemor. Rezistenca e studentëve dhe pedagogëve sot është alternativa ndaj rrugës së emigracionit nesër.

* Shkrim i botuar në numrin XIII të Gazetës Universitari

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest