Shfaqet dokumentari “SkaNdal” për komunitetin LGBT; Klosi: Janë pjesë e realitetit shqiptar

Ska-ndal

Në kuadër të aktiviteteve për 25-­vjetorin e Ditës Kombëtare të Rinisë, Ministria e Mirëqenies Sociale u kushtoi një aktivitet edhe të rinjve të komunitetit LGBT. Në Qendrën Rinore, është shfaqur dokumentari SkaNdal, i cili flet për historikun e lëvizjes LGBT në Shqipëri.

Aktiviteti u zhvillua në bashkëpunim me dy nga organizatat për të drejtat e këtij komuniteti siç janë Aleanca kundër Diskriminimit të LGBT dhe Pro­ LGBT. Në shfaqjen e dokumentarit ishin të pranishëm ministri Blendi Klosi, ambasadorja holandeze Dewi Van de Weerd, përfaqësues nga komuniteti si dhe personalitete nga shoqëria civile.

Filmi i dedikohet pikërisht lëvizjes për të drejtat e komunitetit LGBT në Shqipëri si dhe përpjekjet dhe vështirësitë që kanë patur në vite për t’u pranuar si pjesë e shoqërisë. Ku jo pak herë kanë qenë pre e dhunës psikologjike dhe asaj fizike të shoqërisë shqiptare.

Ministri Klosi ka theksuar se shoqëria shqiptare duhet t’i pranojë tashmë si pjesë të saj pjesëtarët e komunitetit LGBT.

“Si qytetar, do doja që ta merrja të gjithë këtë gjë lehtë, sepse ky është një realitet i jetës shqiptare dhe ne duhet ta pranojmë ashtu siç është dhe të gjithë së bashku duhet të përpiqemi që këtë realitet ta pranojmë dhe të jetë një nga ato veti që ndajmë në shoqërinë shqiptare. Dhe unë kam bindjen, dhe këtu flas gjithmonë si qytetar, që realiteti shqiptar është shumë tolerant, tolerancë të cilën ne e ndajmë edhe në çështje të tjera, siç janë besimet etj”, – tha Klosi në fjalën e tij.

Por në cilësinë e ministrit, ai ka premtuar se MMSR ka përgatitur një plan konkret veprimi, i cili bën pjesë të përfshirjes sociale edhe komunitetin LGBT.

“Ajo që doja të thosha si ministër është që ne e kemi detyrim tashmë realizimin e asaj çfarë kanë punuar shumë ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, një plan veprimi shumë interesant për komunitetin që ne kemi për ta realizuar deri në pranverë të vitit të ardhshëm, premtim që unë ju garantoj që do ta realizojmë”, ka thënë Klosi. /m.g

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest