Shqiptarja që u izolua nga burri maqedonas për dy vjet, jeton tani në sallë sporti

Screenshot_15-685x280

25 vjeçarja Nazmije Donov nga fshati Osnat i Pogradecit të Shqipërisë, para dy viteve shkoi nuse në Maqedoni në qytetin e Kavadarit. Por lumturia e saj bashkëshortore nuk zgjati shumë, edhe pas lindjes së fëmijës së parë.

Nazmija Donov rrëfen se është viktimë e dhunës, pasi burri i saj vazhdimisht kishte ushtruar dhunë ndaj saj, duke e dëbuar më pas edhe nga shtëpia.  Ajo sot jeton në një sallë sporti, ndërsa fëmija ka mbetur tek familja e bashkëshortit të saj.

Qendra për Punë Sociale dhe Ministria e Punëve të Brendshme ka dy javë që 25 vjeçaren e ka strehuar në sallën sportive në Kavadar. Dëshira e vetme e Nazmijes është të shohë djalin e saj, por kjo nuk i mundësohet.

Ajo në gjendje të rëndë rrëfen gjithë historinë e trishtë, duke thënë se gjatë gjithë kohës ishte mbajtur e mbyllur në shtëpi. Duke qenë e izoluar, ajo pranon se nuk ka pasur komunikim me njerëz  dhe tani vështirë e kishte edhe të shprehurit. “Tash më dhemb çdo gjë. Nuk e kam as fëmijën. Nuk mund të fle vet. Dua vetëm paqe. Shumë më mungon djali. Nuk mund të rrij pa atë. As pesë minuta. Kaq”, tha Nazmije Donov.

Bashkëshorti i saj Marjani ka parashtruar kërkesën për divorc. Ekipi jonë ishte në vendngjarje, por seanca gjyqësore ishte e mbyllur dhe nuk ishte e lejuar prania e gazetarëve.

Pas seancës, Marjan Donov ju shmang me heshtje pyetjes sonë se a ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe përse do divorcin. Edhe avokatët e tij mbrojtës nuk deshën të flasin. “Nuk kam koment”, thotë avokati.

Nazmija thotë se jeton në kushte të rënda, pa veshmbathje, sigurim shëndetësor dhe kushte të tjera elementare. Ajo e shqetësuar flet se gjatë kohës ka humbur kontaktet me familjen dhe se nuk kishte arritur të kontaktojw me ta. Dhe falë ndihmës tonë, ajo arriti të kontaktojë me familjarët, duke i informuar për herë të parë për braktisjen e saj nga bashkëshorti.

“Më merr t’i në telefon, unë skam telefon. Unë nuk jam me Marjanin. Marjani nuk më do mua më tha që të dal” shtoi ajo.

Avokatja e saj, Daniella Ilieva thekson se ndaj klientes së saj është bërë shkelje ligjore dhe padrejtësi, pasi ajo është shpallur si person që ushtron dhunë ndaj fëmijës së saj dhe i është ndaluar takimi me të.

Sipas avokates, gjykata po vepron njëanshëm, pasi nuk merr parasysh dhunën që ka ushtruar burri ndaj saj. Avokatja e viktimës tha që nuk mund të flasë shumë pasi kjo procedurë është e mbyllur. “Kam lëshuar kërkesë deri te Ministria e drejtësisë për ndihmë juridike falas e po pres të miratohet. Tani për tani punoj pa kompensim. Po punoj për ta mbrojtur të drejtat njerëzore dhe për të mbrojtur të drejtat e amësisë sipas ligjit të familjes neni 4. Nuk mund të flas më shumë për këtë pasi ligji e ndalon”, tha avokatja Daniella Illieva.

Pas gjithë këtyre vuajtjeve, Nazmija pret që institucionet t’i dalin në ndihmë, që drejtësia të dalë në sipërfaqe, duke i mundësuar asaj takimin me djalin e saj dhe një strehim më të sigurt./A.A.

/ina-online.net

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest