Është e pamundur të zhduket seksizmi i tmerrshëm i presidentit Turk

Recep-Tayyip-Erdogan-012

Para disa ditësh, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, bëri bujë duke njoftuar në një samit mbi gratë dhe drejtësinë në Stamboll se gratë nuk janë të barabarta me burrat “sepse është kundër ligjeve të natyrës”.

Kuptohet që kjo shkaktoi një zemërim në mbarë botën, por në Turqi u kalua me pak cinizëm të lodhur. E kemi dëgjuar edhe më parë,  më e fundit në korrik, kur zëvendës kryeministri u tha grave turke të mos qeshin në publik. “Mos e hani karremin, zonja,” tha një gazetare në Twitter. Një vëzhguese tjetër nga Lindja e Mesme e quajti historinë si “një humbje e hapësirës së lajmeve”.

Ja pse nuk është humbje e hapësirës së lajmeve: Erdogan nuk është as një i çmendur i vetëm në një qeli burgu, as një xhaxha Viktorian kapur në një grackë kohore. Ai është president i një vendi prej 75 milionë banorësh, ku vetëm 28% e grave janë në punësim të ligjshëm, rreth 40% e grave vuajnë dhunën në familje të paktën një herë në jetën e tyre, dhe ku miliona vajza nën-moshë detyrohen të martohen çdo vit (rastësisht, paraardhësi i Erdoganit, Abdullah Gyl, u martua me gruan e tij kur ajo ishte 15 vjeç). Shifra të sakta mbi abuzimin në familje dhe dhunimin janë të vështira për tu gjetur, sepse është e dënueshme shoqërisht që të ankohesh për burrat, dhe policia shpesh u thotë grave dhe vajzave që kanë qenë të kërcënuara me vrasje nga partnerët e tyre që të shkojnë në shtëpi dhe “ta zgjidhin”.

Gjatë fjalës së tij, Erdogan la të kuptohet se abuzimi i tillë kaq i përhapur është punë e të çmendurve: “Si mundet një besimtar – Unë nuk po flas për perversë – si mundet dikush i cili e kupton fenë tonë të ushtrojë dhunë ndaj një gruaje? Si mundet ai ta vrasë atë? ”

Vërtetë si mundet? Sipas Erdogan-it, Islami është shoku më i mirë i një vajze. “Feja jonë i ka dhënë grave thirrjen e amësisë … feministet nuk mund ta kuptojnë këtë.” Erdogan përshkroi se si besimtarët, duke përfshirë edhe veten e tij, ” puthin këmbët e nënave të tyre” sepse “ato kanë erë parajse”. Ky fetishizëm i çuditshëm i nënave kishte aq shumë vend në realitet sa edhe arsyet e tij pse femrat nuk mund të punojnë si burrat: “Figurat e tyre delikate nuk janë të përshtatshme për punë”

Këtu ishte gjeniu keqdashës i fjalimit: Erdoğan bëri këtë vërejtje të fundit ndërsa kritikoi mënyrën se si gratë në zonat rurale të Anadollit bëjnë pjesën më të madhe të punës së krahut ndërsa burrat e tyre ” luajnë me letra nëpër kafene”. Ai menjëherë fitoi simpatinë e dëgjuesve të tij – është e vërtetë, kjo gjë ndodh dhe është e gabuar. Por kjo nuk do të thotë se gratë nuk janë të barabarta me burrat dhe nuk mund të punojnë si burrat, por mbështetësit e Erdoganit do të përdorin kurrizet e lodhur të grave fermere si dëshmi e mirëkuptimit të tij të thellë.

Ndërsa më pak se një e treta e grave janë të punësuara zyrtarisht në Turqi, shumë të tjera punojnë të paregjistruara në ferma ose në fabrika, dhe shumë familje nuk mund të mbijetojnë pa këto të ardhura të dyta. Megjithatë, Sipas Erdogan, gratë duhet të jenë vetëm nëna. Në vitin 2008 ai e këshilloi gratë të kenë “të paktën” tre fëmijë dhe mundësisht pesë, për hir të ekonomisë; në vitin 2012 ai u përpoq ta bënte abortin të jashtë ligjshëm.

Ndoshta ai nuk është në dijeni se sa më shumë fëmijë një çift të ketë, aq më e shtrenjtë bëhet jeta e familjes, sidomos në një Turqi gjithnjë e më të urbanizuar. Mëmësia ka gjithnjë e më pak lidhje me puthjen e këmbëve me erë parajse dhe më shumë lidhje me tensionet e jetës familjare të varfër.

Pak rëndësi ka nëse Erdoğan e beson atë që thotë apo jo, kur efekti është për të inkurajuar një ndarje midis besimtarë dhe jobesimtarë, burrë dhe grua, nëna dhe jo-nëna? Kur ai i bën thirrje instinkteve konservatore të një vendi që ndeshet me patriarkatin e ngulitur dhe pabarazinë, dhe siguron dëgjuesit e tij se “barazia në drejtësi” është ajo që ka më shumë rëndësi,  jo barazia e vërtetë – si i ndihmon kjo gratë turke, burrat dhe fëmijët e tyre?/A.A.

/theguardian.com

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest