Barazia gjinore si shtyllë për zhvillim social, ekonomik dhe politik

Autore: Ajete KërqeliAutore: Ajete Kërqeli

Barazia gjinore është një prej vlerave thelbësore të një shoqërie demokratike. Një shoqëri e cila investon në arritjen e barazisë gjinore jo vetëm që çon në përmirësimin e jetës së vajzave dhe grave, por edhe në transformimin pozitiv të mënyrës së jetuarit të djemve dhe burrave.  Prandaj, në afat të shkurtër, duke e promovuar barazinë për disa grupe të nënpërfaqësuara, të tilla si gratë, ne arrijmë ta bëjmë komunitetin dhe shoqërinë më të fortë dhe më të pasur, duke bërë që në afat të gjatë të përfitojnë të gjithë anëtarët/et.

Shpesh mund të jetë e vështirë për ta parë relevancën e perspektivës gjinore si mjet për arritjen e barazisë gjinore në programe të ndryshme, veçanërisht ato më teknike dhe/ose shkencore. Megjithatë, është jashtëzakonisht e rëndësishme ta shohim efektin që çdo veprim e ka  përfundimisht në burra dhe gra, sepse është e qenësore që ta kuptojmë dimensionin gjinor të këtyre proceve, politikave dhe programeve për t’i adresuar çështjet e ndryshme. Duke vlerësuar implikimet për gratë e burrat në çdo veprim të planifikuar, përfshirë legjislacionin, politikat dhe programet, në të gjitha fushat dhe në të gjitha nivelet, ne mund t’i bëjmë shqetësimet, përvojat dhe nevojat e grave dhe burrave dimension integral të politikave dhe të programeve në sferën politike, ekonomike dhe sociale. Në këtë mënyrë sigurojmë që gratë dhe burrat përfitojnë në mënyrë të barabartë. Po ashtu, është e njohur gjithnjë e më shumë se përfshirja e perspektivës gjinore në fusha të ndryshme të zhvillimit, jo vetëm që siguron të drejtat e njeriut dhe drejtësi sociale për gratë dhe burrat, por siguron edhe arritjen efektive të qëllimeve të tjera sociale dhe ekonomike.

Një shoqëri e cila investon në mundësi të barabarta për shkollim për djem dhe vajza, ka rritje bruto të produktit kombëtar deri në 25 % më shumë se vendet të cilat nuk investojnë proporcionalisht në këtë drejtim. Njëjtë duke ulur pabarazinë gjinore (p. sh. dhënien e mundësive të barabarta për fermere gra dhe fermerë burra) çon në rritje te rendimenteve agrikulturore deri ne 20%.  Po ashtu, një shoqëri e cila duke u fokusuar në nevojat specifike të grave, veçanërisht në fushën e shëndetit riprodhues ka përfitime shëndetësore sepse përmirësimi i shëndetit të grave shihet të jetë kosto-efektiv. Hulumtimet në pabarazinë gjinore në tregun e punës tregojnë që duke eliminuar diskriminimin gjinor në profesion dhe paga jo vetëm që rrit të ardhurat e grave, por rrit edhe të ardhurat kombëtare.

Pra, duke punuar drejt barazisë gjinore, ne mund edhe të sfidojmë rolet gjinore tradicionale. Rrjedhimisht, ndihmojmë jo vetëm në krijimin e mundësive të barabarta për të dy gjinitë, por edhe në përmirësimin e marrëdhënieve mes burrave dhe grave. Për më shumë, role të tilla gjinore që nuk janë të bazuara në stereotipet gjinore krijojnë gamë të gjerë mundësish për burra dhe gra sepse siç dihet në një vend si tek ne, ndarja gjinore është ende një karakteristikë e fortë edhe në tregun e punës, dhe kjo pasqyrohet pastaj edhe në arsimim dhe edukim, duke i limituar kështu të dy gjinitë në mundësitë dhe zgjedhje e tyre.

Të sfiduarit e stereotipeve për rolet gjinore dhe krijimi i mundësive të barabarta në punësim si për burra ashtu edhe për gra, do të ndihmonte po ashtu që ngadalë të bëhet zhvendosja e rolit tradicional ku burri shihet si shtylla e familjes, i cili pritet t’ia kushtojë jetën e tij punës për të siguruar mirëqenien e familjes, duke e privuar kështu nga pjesëmarrja në jetën familjare. Gjithë kjo do t’i lironte pjesshëm nga barra kryesore e vendimmarrjes, duke u lehtësuar kështu përgjegjësitë, sepse një mentalitet i bazuar në stereotipe gjinore vetëm sa i skllavëron  si gratë ashtu edhe burrat brenda tij [mentalitetit].

Siç mund të konkludohet, krijimi i mundësive të barabarta për ty dy gjinitë ndikon pozitivisht si në aspektet ekonomike, ashtu edhe ato sociale dhe politike, sepse është e pamundshme të arrihet ndonjë ndryshim domethënës për cilindo vend nëse nuk shfrytëzon potencialin e burrave dhe grave. Tani më shumë se kurrë kemi nevojë për ndryshime pozitive domethënëse, prandaj duhet të krijojmë mundësi të barabarta për burra dhe gra./A.A.

/sbunker.net

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest