KE e Ambasadorja e Shqipërisë ftojnë aktivistët LGBT, shfaqin SkaNdal

kristi xheni

Dokumentari SkaNdal me regji të Elton Baxhakut dhe Eriona Camit e skenar të Kristi Pinderit e Xheni Karajt, që dokumenton lëvizjen për të drejtat e LGBT në Shqipëri është shfaqur në sallën e shfaqjeve të Këshillit të Europës në Strasburg. Ky aktivitet u ndërmorr nga Përfaqësia Diplomatike e Shqipërisë në KE në bashkëpunim me NJësinë për Orientimin Seksual dhe Identitetit Gjinor në KE.

KE2

Pas shfaqjes së dokumentarit “SkaNdal” në prani të diplomatëve të akredituar në Strasburg, por dhe shume studentëve dhe ekspertëve shqiptarë që punojnë në KE dhe në Gjykatën e Strasburgut, Kristi Pinderi dhe Xheni Karaj, dy ndër aktivistët e parë të lëvizjes, kanë zhvilluar një seancë debati me pyetje dhe përgjigje si dhe kanë dhënë një intervistë për Human Rights Europe në KE (Rrjeti televiziv i Këshillit të Europës), intervistë ku flitet për fillimet dhe vështirësitë e lëvizjes LGBT në Shqipëri në 5-6 vitet e fundit.

KE1

Ata thonë se ideja e “SkaNdal-it” ishte fillimisht vetëm për të patur diçka të dokumentuar për të inspiruar pjesëtarë të tjerë të komunitetit.

“Një pikëpyetje që e kam patur gjithmonë me veten time, ka qenë se si kanë jetuar personat LGBT në periudhën e komunizmit. Këtë pikpyetje nuk donim t’ua linim edhe brezave të ardhshëm, ndaj vendosëm për këtë dokumentar. Ishte dëshira për t’i lënë brezit të ri diçka të dokumentuar, të dinë historinë e paraardhësve të tyre, të mësojnë nga gabimet tona e të mos kenë dhe ata pikpyetjet që kemi ne”, shprehet Xheni.

Gjithashtu, Pinderi u shpreh se lëvizja LGBT është bazuar në tre shtylla: vizibilitet, lidership i bazuar në nevojat e komunitetit dhe aleancat me shoqërinë civile, ndërkombëtar ët por dhe agjencitë shtetërore të shërbimeve.

Sipas tyre, çfarë kanë arritur deri tani është fryt i një lëvizje me bashkëpunim dhe udhëheqje të mirë, por ajo çka kanë nevojë në këto momente, është bashkëpunimi nga ana e qeverisë.

“Lëvizja LGBT në Shqipëri është në një moment shumë interesant. Ajo që ne kemi nevojë tani është për një lidership më të zëshëm politik, jo kur bëhet fjalë për të folur për komunitetin LGBT në konferenca të mbyllura apo para ndërkombëtarëve, por për të diskutuar me publikun e gjerë. Sot në Shqipëri 48% e popullsisë ende vazhdon të mendojë që homoseksualiteti është sëmundje që duhet kuruar, pra ka mungesë informacioni. Duhet bërë një punë e madhe me opinionin publik dhe kjo mund të arrihet jo vetëm nga shoqëria civile por edhe nga udhëheqësit në politikë”. /m.g

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest