Të drejtat LGBT në Shqipëri

12208540_10156124273995307_8079155882427132896_n

Në një auditorium të organizuar nga Avokati i Popullit falë mbështetjes së Ambasadës së Danimarkës, në bashkëpunim me Civil Rights Defenders, ProLGBT dhe Aleanca Kundër Diskriminimit, në datën 2 nëntor në ambjentet e hotel “Mondial”, u diskutuan problemet dhe diskriminimi që has komuniteti LGBT dhe mundësitë e përmirësimit të jetesës së këtij komuniteti nga një panel shumë interesant. Përpos aktivistëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe institucioneve shtetërore mori pjesë dhe i Dërguari i Posaçëm i Presidentit Barack Obama për çështjet LGBT z. Randy Berry, si dhe  Z. Marco Ivković, përfaqësues i NDI. Në fjalën përshëndetëse, Avokati i Popullit, Igli Totozani përveç të tjerash shprehu dëshirën për të parë të drejtat e komunitetit LGBT të respektuara si të drejtat e çdo qytetari tjetër. Z. Randy Berry tha se kur flet për çështjet LGBT ka tre fjalë në mendje. “E para është barazia. Kjo nuk është çështje shqiptare apo amerikane. Kjo është një çështje globale. Ne nuk po flasim për të drejta të veçanta por për të drejta të barabarta”, tha ai. Ai vazhdoi duke thënë se “ndryshimi do të vijë nëse shoqëria civile do të ketë partnerë të përgjegjshëm në pushtet. E dyta dhe e treta janë lidershipi dhe vizibiliteti. Lidershipi është shumë i rëndësishëm. Po flas për atë lidership, ku shohim anëtarë të shoqërisë civile të provojnë në shumë kontekste të vështira ku niveli i pranimit shoqëror është shumë i ulët, që janë ata të parët që çohen dhe thonë se janë gej, lezbike, transgjinorë apo interseksualë dhe nuk kanë turp të jenë vetvetja. Sepse ky lloj vizibiliteti ka fuqinë të ndryshojë dialogun. Në vitin 1985 në SHBA rreth 1 në 4 amerikanë thanë se njihnin dikë nga komuniteti LGBT. Këtë vit, niveli i njohjes së komunitetit LGBT ishte 90% dhe duhet të keni parasysh se ky lloj vizibiliteti ka të bëjë drejtpërdrejt me progresin e bërë në Amerikë gjatë këtyre 5 viteve të fundit”. Nga shoqëria civile Kristi Pinderi shkurtimisht shpjegoi iniciativën më të re të Pro LGBT dhe Aleanca kundër diskriminimit LGBT të quajtur AFERA(Alliance For Equal Rights in Albania) në bashkëpunim me Qendrën Ligjore Respublica. AFERA synon të çojë deri në fund ndryshimin e Kodit të Familjes në lidhje me bashkëjetesën e çifteve  të të njëjtit seks. Kjo do të arrihet jo më nëpërmjet politikës por nëpërmjet sistemit gjyqësor. Do të themelohet një organizatë me anëtarësi, që të merret serozisht nga gjykata. Më pas një çift gej dhe një çift lezbikesh do të shkojnë përpara noterit, dhe do të kërkojnë një refuzim zyrtar. Në këtë mënyrë do të kemi mundësi të hapim një çështje gjyqësore. Nëse çështja do të pezullohet, atëherë ne do të apelojmë deri në shkallën më të fundit. Hapi i fundit bashkë me ekpertizën e Respublica do të jetë që do të kërkojmë mendimin e Gjykatës së Strasburgut. Me këtë synohet të iniciohet një proçes transparent, që të përfshijë komunitetin dhe ai të ndjehet autor i saj. Më pas Xheni Karaj prezantoi shkurtimisht një studim për situatën e femrave lesbike, biseksuale dhe transgjinore në Shqipëri. Ajo falenderoi organizatat e grave në mbarë Shqipërinë për ndihmën që kanë dhënë për lëvizjen LGBT. Studimi është bërë me mjekë, infermierë, mësues të Drejtorisë së Shëndetit Publik dhe Drejtorisë Arsimore Rajonale. Ajo tha se “disa pyetje kanë qenë se si i identifikoni pjesëtarët e komunitetit LGBT, dhe përgjigjet përgjithësisht kanë qenë nëpërmjet stereotipeve si p.sh. femrat lezbike janë me flokë të shkurtëra, me zë të trashë e vishen si meshkuj. Kur këta profesionistë u pyetën se nga i marrin informacionet, ata u përgjigjën nga televizionet, interneti ose nga organizata të shoqërisë civile dhe asnjëherë nga trajnime me temë specifike për çështjet LGBT. Disa nga mjekët ishin akoma me informacionin që homoseksualiteti është sëmundje mendore dhe që duhet kuruar dhe se asnjëri prej tyre nuk dinte ku ti referonte këto raste”. Më pas fjalën e mori Z. Marco Ivković i cili është përfaqëues i NDI(National Democratic Institute) i cili prezantoi studimin e kryer mbi çështjet LGBT në Ballkan (Shqipëri, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni, Serbi dhe Bosnjë Hercegovinë). Pas një studimi të gjerë në këto vende, Z. Ivković tha se “gjëja më e rëndësishme për të ndihmuar çështjen LGBT është vizibiliteti i këtij komuniteti. Sa më shumë të njihen personat LGBT dhe problematikat e tyre, aq më shumë të pranueshme do të bëhen të drejtat e tyre”. Në këtë link www.ndi.org, do të gjeni studimin e plotë të kryer nga NDI./A.A.

This slideshow requires JavaScript.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest