Nisin aplikimet për studimet master; Kush mund të aplikojë?; Kriteret dhe dokumentacioni

Studentet

Universitetet publike kanë hapur sot regjistrimet për ciklin e dytë të studimeve Master Profesional dhe Master Shkencor.
Në “Master Profesional” dhe “Master Shkencor” do të pranohen 18 mijë e 239 studentë.

Kliko këtu për tabelën e plotë të kuotave dhe tarifave.

Kush ka të drejtë të aplikojë për master

1.Studentët që kanë mbaruar me sukses dhe janë pajisur me diplomë në një program bachelor i cili rezulton i akredituar në momentin e diplomimit të studentit.
2. Studentët që janë diplomuar jashtë vendit në një program të studimeve bachelor ose në një program të integruar të ciklit të dytë, dhe kanë kryer njehsimin e diplomave pranë MAS.

Kriteret për tu pranuar në ciklin e dytë të studimeve

Kriteri kryesor për kandidatët që duan të aplikojnë për 18.239 kuotat e miratuara për vitin 2015-2016 është nota mesatare e studimeve bachelor.
Dekanja e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Klodeta Dibra tha se në këtë fakultet, përparësi do të kenë studentët që kanë mbaruar ciklin e parë në Universitetin e Tiranës.
Disa fakultete të UT, kanë kërkuar veç diplomës së studimeve bachelor dhe atë të përfundimit të gjimnazit dhe listën e notave. Ky dokumentacion kërkohet për të shmangur notat fictive të universiteteve.

DOKUMENTACIONI QË DUHET TË DORËZOJNË KANDIDATËT

1.Diplomë, ose fotokopje të saj të njësuar me origjinalin, të ciklit të parë të studimeve të përfunduar në Republikën e Shqipërisë;

2.Për diplomat e fituara jashtë vendit, vërtetimin e njohjes të lëshuar nga MAS, të diplomës së ciklit të parë të studimeve të përfunduara jashtë vendit, të shoqëruar me fotokopje të diplomës së njësuar me origjinalin, që i lejon regjistrimin dhe vazhdimin e studimeve universitare në vendin përkatës;

3.Diplomën e maturës shtetërore së bashku me certifikatën e notave ose fotokopje të tyre të njësuar me origjinalin, e konfirmuar nga njësia përkatëse arsimore vendore (DAR/ZA);

4.Kandidatët që kanë përfunduar shkollën para vitit 2006, paraqesin Dëftesën e Pjekurisë (origjinale ose në rast fotokopjeje të saj, të njësuar me origjinalin, të konfirmuar nga njësia përkatëse arsimore vendore DAR/ZA);

5.Në rast se kandidatët kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2006 dhe kanë dhënë me sukses provimet me zgjedhje, paraqesin edhe dokumentin përkatës të lëshuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve;

6.Në qoftë se kandidatët nuk posedojnë dëftesë pjekurie të shkollës së mesme, duhet të paraqesin dublikatë të dëftesës së pjekurisë, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme ku kanë përfunduar shkollën dhe të konfirmuar nga njësia përkatëse arsimore vendore, ose dokumentin e lëshuar nga Arkivi i Shtetit së bashku me listën e notave;

7.Formularin e aplikimit (ku kandidati jep të dhënat e tij personale dhe deklaron se nuk po ndjek asnjë program tjetër studimi njëkohësisht me programin ku po aplikon);

8.Mandatpagesën e tarifës së aplikimit prej 2500 lekësh, paguar në Postën Shqiptare (për të gjithë kandidatët);

9.Fotokopjen e dokumentit të identifikimit (kartë identiteti, letërnjoftim ose pasaportë);

10.Dy fotografi personale;

11.Kandidatët duhet të paraqiten personalisht në sekretaritë mësimore për dorëzimin e dokumentacioneve.

12.Aplikimet bëhen çdo ditë, prej orës 08:00 deri më 16:00 (afati i fundit nuk është përcaktuar ende nga MAS).

/l.k/

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest