COPË COPË; KUSH JANË ATA QË NDËSHKOJNË GRATË?

Cope_004-1429613424

Martesat me forcë, aborti i detyruar, dhuna sistematike në familje, dhunimi dhe incesti – këto forma të dhunës ndaj graveqë përshkruan cilëndo shoqëri si të dhunshme dhe primitive. Këto forma të dhunës të përjetuara nga gra të vërteta, mbijetuese të dhunës, u treguan në shfaqjen teatrale COPË COPË me dramaturgji të Blerta Zeqirit dhe regji të Zana Hoxha Krasniqit.

COPË COPË është përformancë unike teatrale jo vetëm për shkak të performancës fenomenale të aktoreve sikurse Melihate Qena, Donikë Ahmeti, Arta Gashi, Dardana Mehmeti, por për praninë dhe tregimet e ndara të Bashkime Sulejmanit dhe Minire Bujupit nga Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve.

Bashkimja dhe Minirja janë ndër gratë e ralla që kanë mbledhur forcat të ndajnë tregimin e tyre me publikun e gjerë për të avokuar kundër dhunës ndaj grave.

Në tavolinën e rrumbullakët dhe në hapësirën përreth u ndanë copëza nga jeta e këtyre grave për përvojat e tyre të tmerrshme dhe të dhunshme, si kanë ndikuar ato përjetime në qënien e tyre, dhe si ia dalin të vazhdojnë tutje. Performanca tregon që gratë po ndëshkohen, diskriminohen e tjetërsohen nga shoqëria e cila krijon një varg rregullash e parimesh brenda ‘kodit moral’ për gratë. Rregullat janë strike për ato që duhet t’i zbatojnë, por të lakueshme për ata që i krijojnë. Brenda këtij ‘kodi’ përcaktohen normat shoqërore ku dhuna ndaj grave jo vetëm që arsyetohet por edhe nxitet çdo herë e më shumë. Gratë po ndëshkohen sepse janë gra – por kush saktësisht po e shkakton këtë shkelje drastike të të drejtave themelore të grave?

Ata janë njerëzit që konsiderojnë gruan mall, edhe atëherë kur mendojnë se ia duan të mirën. “Ja ku e ke valixhen gati, mere dhe shko.”, i thotë nëna vajzës së saj 35 vjeçare. Ajo nuk do, thotë se nuk e njeh burrin që ia kanë përzgjedhur; preferon të qëndrojë në shtëpi, të gjejë një punë si pastruese dhe të vazhdojë jetën e saj. Nëna strikte nuk pranon, thotë se duke u martuar me burrin që i kanë gjetur, ajo nuk ka nevojë të brengoset për bukën e gojës, dhe reputacioni i familjes nuk është në rrezik me vajzë të pamartuar në shtëpi. Skena tregon që patriarkati nuk njeh gjini, e shpesh as dhembshuri për më të dashurat.

Ata janë ata anëtarë të shoqërisë që e konsiderojnë gruan objekt ku mund ta shfryjnë mllefin, zemërimin, irritimin dhe injorancën. “Mos mi pruni gruan e djalin në shtëpi se i vras.” ka paralajmëruar burri i Bashkimes policinë, kur ajo bashkë me djalin kanë ikur nga shtëpia për shkak të dhunës brutale ndaj saj. Burri është arrestuar por prap se prap është liruar edhe pse kërcënimin me vrajse të dyfishtë ia ka drejtuar vet policisë. Përveç se  ka qenë i njohur nga policia si abuzues, policia nuk ka ndërmarrë masa më të ashpëra për të parandaluar një krim sikurse ai i Diana Kastratit, e vrarë nga ish bashkëshorti i saj në vitin 2011.

Ata i takojnë atij grupi që përforcojnë idenë që gratë kanë lindur t’u shërbejnë burrave dhe familjeve. Minirja tregon se burri (dhe kunati i saj) e kanë keqtrajtuar fizikisht e psiqikisht me vite të tëra, pavarësisht se ajo ka pastruar, shërbyer e gatuar për afro 32 anëtarë të familjes. Edhe pse Minirja ka marrë forcën ta raportojë dhunën në polici dhe të kërkojë ndihmë institucionale, ajo është dënuar më së rëndi; shteti ia ka besuar vajzën e saj burrit të saj abuzues dhe familjes së tij.

Ata nuk kanë kapacitet mendor e emocional të shohin domethënie e njerëzi në një lidhje në mes të dy personave të të njëjtit seks; ata shohin vetëm pisllëk, vetëm ndyrësi e abnormalitet. Dhe si mjet ‘korrektues’, ata e përdorin dhunimin për t’iu dhënë mësim atyre që devijojnë nga sjellja normative seksuale. Shoqe e të dashura, Aurora e Sara ndëshkohen me rrëmbim, përdhunim, rrahje e torturë nga një grup burrash vetëm pse ato e duan njëra tjetrën. Ato dënohen për shkak të orientimit të tyre seksual, për shkak se janë lesbike.

Ata mund të jenë aq të zbrazët, të egër, të paaftë për të dashur sa që janë në gjendje të thyejnë shpirtin e të hyjnë brenda trupit të vet vajzës së tyre. Për këto gra në skenë, shtëpia nuk është vend i sigurt për shkak të bashkëshortëve të dhunshëm, përveq njërës. Mimoza e cila e udhëheq diskutimin në tavolinën e rrumbullakët, ka jetuar në frikën e babait i cili e ka abuzuar dhe dhunuar atë qysh kur ka qenë e mitur.

Edhe pse Mimoza është zëri i performancës, ajo kurrë nuk e ndanë tregimin e saj haptas në tavolinën e rrumbullakët sikurse gratë e tjera. Në fund të performancës, pasi që duket se është ngopur me tregimet e ndara, Mimoza merr frymë thellë dhe duke folur vet më vete ajo e rikujton faktin se është viktimë e inçestit. Kështu informohet audienca për tregimin e saj, edhe pse në dukje reflekton një grua të përmbushur dhe të rehatuar. Mimoza është e vetmja grua në tryezë që nuk arrin ta ndajë fshehtësinë e dhimbshme, dhe sipas reagimit të saj për tregimet e grave të tjera, shihet qartë se asnjë tregim nuk i duket po aq i frikshëm, i ndotur, i turpshëm. Për Mimozën, tregimi i saj nuk ia vlen të ndahet, sepse nuk duket se ka zgjidhje; ajo është produkt i një përbindëshi nga i cili ka riprodhuar një fëmijë të cilin e ka braktisur, dhe e tmerron fakti që ndonjëherë mund ta takojë.

“Kurrë mos prit përgjigje të shëndoshë nga një sistemi i krisur.” Renee Fredrickson

Shokët, familjarët dhe bashkëmoshatarët janë ata që kanë dëmtuar direkt gratë të cilat hapin zemrën e tyre në performancë. Por dëmet të tjera janë ndonjëherë më destruktivet – fëmijët dëshmitarë të dhunës. Sikurse djali i Bashkimes që sheh babain e tij duke ia ngulfatur të ëmën; si vajza e Ministres që jeton në frikë me babain që ka ushtruar dhunë të vrazhdë ndaj nënës së saj; si djali i Mimozës që është produkt inçesti dhe i refuzuar nga nëna e tij.

Pra kush janë ata që abuzojnë gratë, ata që kërcënojnë e ndërshkojnë gratë? Ata janë qyqarë. Ata janë mizogjinistë. Por, pavarësisht dëmit që shkaktojnë dhe pavarësisht kohës së gjatë që shpesh merr për t’i dënuar kolektivisht e publikisht, ata nuk jetojnë gjatë sepse gratë e burrat, djemtë e vajzat, mes tjerash, i ekspozohen iniciativave vetëdijësuese kulturore dhe performancave të tilla artistike, duke mos lejuar përjetësimin e dhunës dhe normave diskriminuese gjinore.

Rrugë e gjatë na pret derisa dhuna ndaj grave të zhduket njëherë e përgjithmonë, të mos arsyetohet e legjitimohet, të mos rrënjëzohet e mbahet gjallë nga ky sistem qyqar që dënon të prekurat e dhunës sepse për ta më e lehtë është të qortosh të abuzuarat, sesa të dënosh abuzuesit. Deri atëherë “ta shëndërrojmë destruktivitetin në krijim” – sikurse propozon shkrimtarja Anais Nin. Sikurse shumica e grave në performancën teatrale, t’i ndajmë tregimet tona zëshëm e publikisht përmes kreativitetit, përmes të shprehurit, përmes qarjes e britmave, vallëzimit e këngës, veçmas e së bashku. Dhimbja është e pashmangshme, ajo nuk largohet ndoshta kurrë. Por secili tregim le ta ketë një porosi fuqizuese, një zë që del nga individi që refuzon të përballojë mizori nga ata që duan ta bëjnë atë copë copë, ta shfuqizojnë dhe çnjerëzojnë vetëm pse ka lindur femër./A.A.

/kosovotwopointzero.com

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest