Urbanistika dhe lumturia!

tirana06

Ne nuk shpëtojmë dot prej qytetit tone! E ka thënë Kavafi.

Personazhet e Pirandelos, përfaqësues të rëndësishëm së krizës që kishte/ka kapluar njeriun modern, janë një dëshmi’ e gjallë e këtij pohimi :arratia e tyre nga rrëmuja qytetase, ka në sfond kurora pemësh në oborret e klinikave psikiatrike (“…por ata në një mënyrë apo në tjetrën zgjedhin Natyrën” do theksonte nobelisti Italian”)

Gjuetia e lumturisë, mbetet pa dyshim “qëllimi” i ekzistencës sonë në hapësirë. Mes tezës se lumturia e vërtetë, është rrugëtimi drejt saj, apo paqes së Oshos, nihilizmit të ekzistencialistëve apo këngës se kënduar nga Albano e Romina, (!!) zgjidhje/zgjedhjet janë të shumta

Përkufizimi i lumturisë, rezulton të jetë një sipërmarrje thuajse e pamundur, (fundja pse duhet ta varfërojmë aq ?) Le të lëmë mënjanë perëndimet, dashuritë,apo ëndrrat, e të flasim për ditët e thjeshta të jetës sonë, të cilat nisin me vajtjen në punë apo shkollë e përfundojnë me kthimin në shtëpi. Sfondi i këtyre ditëve, është pikërisht, qyteti ynë, ai qytet, të cilit nuk i ikim dot. Është pikërisht cilësia e secilës ditë , që përcakton, edhe cilësinë e përgjithshme të jetesës sonë.

Po! Qyteti, urbanistika e tij, e parametrat ekologjikë, luajnë një rol tejet të rëndësishëm, në lumturinë e qytetarëve.

Madje, objektivi thelbësor, i nje plani urbanistik. duhet të jetë lumturia vetjake e cdo individi.

E mesa duket në këto kohë të vështira, ne shqiptarët, nuk mund t’ia lejojmë vetes luksin e të qënit  të lumtur, jo vetëm në raport me veten, por edhe me ata që na rrethojnë.

Ne shfryjmë në punë, sepse na ka cmendur trafiku me të cilin lufojmë cdo mëngjes, e bashkë me të, minutat e shpenzuara ‘vërdallosjeve’ për të parkuar.

Ne mërzitemi sepse ende duhet të mendohemi mirë nëse për shkak të pluhurit në qytet, mundemi ose jo të psonisim një këmishe të bardhë.

Neve, shiu na prish ditën, sepse pa dalë ende’ nga shtëpia , i njohim mirë gropat e rrugëve ku do stërpikemi.

Ne varim turinjtë para të dashurit/es, sepse duke pedaluar drej tij/saj jemi ndeshur e jemi sharë, me rrugë pa shtigje bicikletash, me shoferë të papërgjegjshëm, me këmbësorë moskokëcarës…

Ne trishtohemi, sepse hapim dritaren e në vend të qiellit, gjejmë një tjetër dritare: atë të pallatit  “qe s’bezane” pa pikë shije, ndërtuar perkarshi’ tonit.

Ne jemi qejfprishur, për shkak të godinave shumëkatëshe që na mbulojnë me hijen e tyre : të shumta janë studimet që trajtojnë ndjenjën e shtypjes që ngjallin tek njeriu këto ndërtesa  pa harruar qasjen groteske që kanë me traditën tonë arkitektonike.

Ne,  ndihemi të mbytur , sepse nuk marrim dot frymë : ndërkohë që mjaftojnë 150 kurora të gjelbra për 5 ton oksigjen në vit, pemët në qytet po shndërrohen në një perrallë nga e kaluara.

Ne nuk para buzëqeshim sepse mangësive ekologjike i bashkangjiten edhe dëmet sociale qe vijnë nga mungesa e hapësirës publike,  hapësirë ku mund të kalojmë kohë, me të ngjashmit tanë

Ne, kemi frikë të projektohemi në të ardhmen, përmes lindjes së një fëmije, pasi nuk jemi të sigurtë, nëse duam ta rrisim atë në këto rrugë apo jo.

Neve në fakt, e ardhmja na kall datën..

…Por ja qe këto që përmendëm, tingëllojnë tejet të zakonshme, per t’u marrë në konsideratë e per t’u trajtuar si faktorë të qënësishëm, qoftë  nga vetë qytetarët, qoftë  nga politikë-cudi-bërësit.

E vetmja gjë që ne dimë është se “sot se si jemi, s’jemi mire” duke mos kuptuar se

degradimi urban, sjell degradimin social, e ky i fundit, atë shpirtëror.

Jemi të palumtur, në dukje pa shkak, e po përpëlitemi mes një klimë absurde parrullash partiake, ndërtuesish e interesaxhinjsh, matrapazësh e  moskokëcarësish, duke humbur kështu vehten.

Më e keqja është se shumë shpejt, nuk do kemi as një copë vend, ku të përpëlitemi në paqe.Është hapësira, ajo që formëzon një qytet, e jo grumbujt e betonit.

Pohimi, se diku nëpër botë, ka qytete të lumtura, ku mirëqënia kolektive, ecën paralelisht me cilësinë e lumturisë së secilit qytetar, duhet të jetë frymëzues.

E nëse, jemi lodhur së përpjekuri për mirëqënien kolektive,

(ndonëse dyshoj ta kemi bërë ndonjëherë vërtet)

të pakten të nisim luftën për të rifituar buzëqeshjen vetjake!

/ecovolis.wordpress.com

/l.k/

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest