Edi Rama dhe Barbara Streisand…

Transparenca

Nga Kristi Pinderi

E fshijmë nga mendja për pak momente detyrimin e qeverisë përmes ligjit për informimin publik dhe le ta konsiderojmë nismën e kryeministrit Edi Rama për të bërë transparencën e qeverisjes përmes një faqeje te re interneti si një nismë me qëllim pozitiv.

Cfarë e ndan një qëllim pozitiv nga një produkt mediokër, të rëndomtë dhe të pavlerë?

Qëllimi pra, supozojmë se është transparenca, sic thotë kryeministri, ndërsa produkti …faqja transparenca.al ku materializohet ky qëllim (sikur mos mjaftonin faqet zyrtare të çdo ministrie dhe një ligj i posacëm për këtë punë).

Për fat të keq produkti nuk na le mundësi të besojmë se qëllimi ka qenë i mirë! Pse? Sepse pasi ke vizituar transparenca.al del prej andej me më shumë pyetje e dilema sesa me përgjigje dhe sqarime.

Për shembull, tek akuza ndaj ALUIZNIT për tenderin me qindra miliona lekë për të bërë matjet në terren të ndërtimeve të paligjshme unë shikoj një shqetësim legjitim. Por te faqja transparenca.al nuk shikon edhe një përgjigje ezauruese.

Cila është kompania që ka fituar tenderin?

Cfarë garancie jep qeveria se në proçedurat e tenderimit nuk ka patur korrupsion?

A ka lidhje kompania fituese me zyrtarë të qeverisë?

Cilat janë zërat në buxhetin e këtij mega-aksioni që të justifikojnë një shifër kaq të lartë?

Pse qeveria nuk qënka e aftë të realizojë një projekt të tillë në terren po paska nevojë për një kompani private?

Cila është përvoja e kompanisë në punë të tilla?

Këtyre pyetjeve nuk ua gjen përgjigjen në transparenca.al

Kaq e vështirë është të publikosh një faksimile të buxhetit apo kostove që kjo kompani do të ketë në mënyrë që të realizojë këtë shërbim? Se në fund të fundit janë të gjitha lek të taksapaguesve shqiptarë.

Pyetje të ngjashme edhe për akuzat ndaj ministrit Ilir Beqja dhe kompanisë ku deri para pak kohësh ai ishte aksioner kryesor: te faqja e transparencës nuk jepet shpjegim se si ka mundësi që ajo kompani nga përfituese e fare pak tenderave publikë dikur, befas në buxhetin e saj e trefishon apo e katërfishon, jo xhiron vjetore, por numrin e tendareve publikë të fituar?

Në vitin 2003 aktorja Barbara Streisand pati një proçes shumë të mediatizuar gjyqësor për të penguar botimin në internet të fotografive të një vile shumë luksozë që ajo kishte blerë në bregdetin e Kalifornisë. Qëllimi i aktores dhe këngëtares ishte të zhdukte interesin mediatik mundësisht ta bllokonte atë, mirëpo gjithë kjo histori e rriti më shumë kuriozitetin e publikut ndaj vilës, duke patur kështu një efekt krejtësisht të kundërt në jetën e personazhit VIP.

E njëjta gjë duket edhe me transparenca.al. Ndoshta qëllimet e Edi Ramës me ato të Barbara Streisand nuk përputhen, po efekti i tyre është i njëjtë: interesi nuk zhduket, përkundrazi shtohet sepse cështjet nuk ezaurohen, pyetjet nuk përgjigjen e për pasojë zhurma bëhet më e madhe.

Të duket kështu, sikur qeveria kërkon të relativizojë akuzat duke bërë sikur u përgjigjet te faqja në internet.

Të duket sikur sapo ka botuar një akuzë atje, ka tentuar njëkohësisht ti japë fund ciklit normal që ka një akuzë në debatin publik.

Dmth: ti më bën një akuzë, unë ta botoj te faqja ime e kështu akuza pushon së paturi vlerë!

Ti ke një shqetësim dhe e bën publik këtë shqetësim në formën e një akuze apo kërkesë për llogaridhënie, unë ta botoj te faqja sikur të jem duke të të thënë se “Tu përgjigja, çështja u mbyll! Tjetër?”.

 

Trishtuese nuk është të jesh dëshmitar i një dështimi m’u aty ku kjo qeveri besonte se e kishte të fituar “betejën”: PR dhe investimin e saj për imazhin. Por trishtuese është të shikosh “investime” të tilla nga qeveria e një vendi që informimin publik e ka detyrë ligjore. Cfarë shpenzimi i keq i taksave tona…!

/e.t/

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest
  • mira

    ky popull don sali berishen me i rrah e mos me i lane me qa

    • Ela

      Fol per vete, Mjera