Ne të dyja në çdo jetë, Eneida…

LES1

*Rifillon botimi në “Historia Ime” i ngjarjeve të vërteta nga jeta e komunitetit LGBTI

Të gjithë mu betuan se do të të harroja shpejt. Se ditët do të kalonin. Se largësia dhe koha do të bënin të tyren. Se mbas shumë vitesh çdo gjë do më dukej e huaj, e madje do e quaja veten një budallaqe për gjithçka që kisha ndjerë dhe imagjinuar për dikë të gjinisë sime.

I besova të gjitha këto, me shpresën se në një cep të largët të botës, kur të permendej emri yt nuk do të ndjeja asgjë.

Fillimisht, fillova të harroja vendet ku kishim qenë bashkë, rrugët dhe lokalet ku ishim takuar. Pastaj nisa të harroja rrobat që vishje, ngjyrat e çorapeve dhe atletet.

Pastaj fshiva çdo mesazh që më kishe dërguar, që nga ato bisedat e shkurtra që kishim këmbyer, fotot që i ruaja të fshehura në një dosje të veçantë të celularit e deri shkrimet e gjata që të kisha dedikuar.

Fillova të harroja fjalët e tua të zakonshme që i përdorje gjithmonë, ngjyrën tënde të preferuar, ushqimet dhe muzikën që dëgjoje… vendet e shumta që ti vizitoje e që më bënin aq shumë xheloze.

Iu shmanga njerëzve që ti njihje me frikën se do të më flisnin për ty.

Nisa të mësohesha me jetën e thjeshtë që bëja, me librat e trashë që më prisnin ti lexoja dhe me monotoninë që më shoqëronte prej kohësh. U mbylla në një rreth të ngushtë shoqërie ku asnjehërë nuk u përmend emri yt.

E ndjeja se çdo ditë që kalonte më shkëpuste nga zemra një pjesë që lidhej me ty. Tek e shihja gjithë këtë, u bëra edhe më e guximshme në hapat që ndërmerrja.

Nisa të takohesha me vajza të tjera për të nisur diçka të re. Në një pikë mendova se e bëra vërtet! Erdhën ditët …pa ty në mendje. Ditët kur mund të pija cigare me një miken time pa u munduar të imagjinoja se çfarë mund të ishe ti duke bërë në ato momente…

Tashmë ishim në anë të ndryshme të atij lumi ndjenjash që na bashkonte. Teksa secila prej nesh qëndronte në bregun te kundërt të atij lumi shihja dashurinë e madhe që kisha patur për ty të shuhej ngadalë… Më ngjasonte me atë dritën jeshile që Gatsby e shihte çdo natë tek filmi i mrekullueshëm i Di Caprios “The Great Gatsby”. E kuptoja mjaft mirë pse ai shihte atë shkëndijë çdo natë dhe e dija se në ato mendonte vriste mendjen se si do të kishte qenë po të të kishte shkuar ndryshe, njësoj si dhe unë.

Nuk e di pse njeriu kapet gjithmonë pas një shprese me idenë se një mundësi e dytë do ti kishte bërë gjërat të shkonin ndryshe.

Sa shumë të kisha dashur…

A e mendoje ti këtë qoftë edhe për një çast të vetëm?

Me vinte keq për çdo gjë që nuk mundëm të kishim pasur bashkë. Për propozimin romantik që nuk erdhi kurrë, për unazat e fejesës, per fustanin e bardhë që kurrë nuk arrita ta vishja me ty, për lumturinë e madhe që do e kisha tek do kaloja vite pranë teje. Shterroi çdo gjë madje dhe depozitat e lotëve që derdhja sa herë të sillja nëpër mend.

Nuk ishte e drejtë por ja që ndodhi… Kaq kishte qenë. A ndihem e lumtur për këtë?! Jo! Jetës sime i mungon një si ti… I mungon ti!

Një si ti që do të më shkundte në thelb dhe do të më trondiste vetëm me fjalën “C’kemi?”.

Një “C’kemi” e ftohtë që do të më kishte ngritur nga gjumi edhe pa alarm e do më bënte “super pjeshkë” brenda 5 minutave. Një si ti për të cilën unë do kthehesha në “njeri gallatë” dhe do shpikja histori nga më gazmoret. Një si ti që do më bënte të lirë, pa gravitet thjesht duke e parë… Një si ti për të cilën unë do shkelja caqet e ndjenjave njerëzore dhe e doja thjesht për faktin se ajo do ishte e vetmja dykëmbëshe në botë që dinte si të më shkatërronte.

Ajo që unë kisha me ty nuk ishte njerëzore dhe në një jetë tjetër unë do kisha shkelur mbi veten deri në infinit që të të ndjeja pranë qoftë dhe për një herë të vetme.

Do te të kisha dashur edhe në Saturn, Pluton a në Merkur. Do të të kisha… do të të dua! Do të të dua ashtu si askush nuk ka dashur ndonjëherë dikë… Në çdo jetë me ty sëbashku Eneida.

Ne të dyja…

E.S

*Për të botuar historitë tuaja na shkruani në adresën historiaime.com@gmail.com

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest