Cështja e familjeve rome përplas Bashkinë me Avokatin e Popullit e shoqërinë civile

Romet1

Nga Marinela Gremi dhe Kristi Pinderi

Situata e familjeve rome në zonën e liqenit artificial të Tiranës rrezikon nga momenti në moment që të kthehet në një konflikt të hapur dhe zyrtar mes Bashkisë së Tiranës në njërën anë, dhe qytetarëve, Avokatit të Popullit dhe shoqërisë civile në anën tjetër.

“Historia Ime” u gjend të shtunën në mbrëmje para një situate alarmante: një pjesë e banorëve romë kishin filluar të transportonin me mjete private të siguara nga Bashkia sendet e tyre personale, teksa shiu dhe kushtet çnjerëzore qartazi e bëjnë të papranueshme banimin e tyre në atë vend.

Por në anën tjetër, shumica e familjeve të mbetura po nënshkruanin një proçes-verbal të hartuar me asistencën e juristëve të Avokatit të Popullit për të dokumentuar faktin që ata ndodhen para presioneve të shumta nga Bashkia për t’u larguar, por pa patur më parë një garanci se ku do të shkojnë dhe si do sistemohen.

Në këtë proçes-verbal, një kopje të së cilës e disponon HI, thuhet nga banorët, ndër të tjera: “Nuk jemi dakort pa na u dhënë zgjidhje e përhershme, e qëndrueshme për banim. Jetojmë në kushte të vështira pasi barakat janë krejt të papërshtatshme për jetesë. Ndihemi të shqetësuar se mos organet e shtetit na nxjerrin forcërisht nga ky vendbanim pa na dhënë zgjidhje strehimi diku tjetër”. Ata kërkojnë zgjidhje ligjore dhe kontrata qëraje të nënshkruara para noterit.

“Unë jam kryefamiljar i një familje me 7 persona”, tha një banor i cili nuk pranonte të zhvendosej, “dhe unë nuk mund të largohem pa ditur ku do shkoj dhe si do zgjidhet halli im”.

Por ajo që ishte surprizuese për “HI” ishte fakti që në zonën e liqënit, rreth 50 metra larg romëve gjendej në një lokal edhe vetë nënkryetari i Bashkisë Arbi Mazniku si dhe drejtues të tjerë të Bashkisë për të kontrolluar nga afër atë që Mazniku e quajti “plan pune të Bashkisë për zgjidhjen e problemit”.

Mazniku: Të martën fillojmë pyllëzimin, shoqëria civile dhe AP po na pengojnë

I pyetur se pse Bashkia po merret me urgjencë me këtë rast Arbi Mazniku, i cili pranoi të fliste për HI e pranoi urgjencën me argumentin se: “E para sepse njerëzit nuk mund të jetojnë aty, është e tmerrshme, me temperaturat që vazhdojnë të ulen dhe me shiun. E dyta, nëse situata nuk zgjidhet shpejt rrezikon të mos zgjidhet asnjëherë”.

Romet2

Pyetjes se cila është zgjidhja për rreth 48 familje rome që gjenden aty, disa edhe prej 5 vjetësh ai njoftoi se do të ndjekin parimin e “rast pas rastit”.

“Nuk ka një zgjidhje globale por ka 48 zgjidhje, një për secilën familje”, tha për HI nënkryetari i Bashkisë së Tiranës.

Mes këtyre familjeve ka nga ato që “po i inkurajojmë të kthehen në shtëpitë e tyre”. Për familjet që kanë mundësi financiare të marrin shtëpi me qëra por nuk u jep njeri shtëpi, Mazniku tha se “Bashkia do negociojë që ta marrin shtëpinë me qëra dhe pasi të marrin shtëpinë me qëra do i fusim dhe në procesin e programit të suportit për qëranë që kemi në bashki”.

Ndërsa për familjet që nuk kanë asnjë nga këto Bashkia thotë se do i vendosë në qëndrën tranzitore të emergjencave që është ngritur për këtë qëllim.

Mazniku akuzon shoqërinë civile: E bëjnë këtë për çështje fondesh!

Akuza të rënda erdhën për një pjesë të shoqërisë civile nga z. Mazniku. I ardhur vetë nga shoqëria civile, si një ish drejtues i Lëvizjes Mjaft! ai u shpreh për HI: “Unë kam dyshime shumë të forta dhe këtë po ta them on the record dhe off the record që disa nga organizatat janë të trembura se po u ikën projekti. Se ekzistenca e këtyre këtu (romëve) ishte arsyeja që këta t’u tregonin ca ndërkombëtarëve tek të cilët marrin ca lek se shikoni çfarë halli të madh kemi ne. Mirëpo krejt papritur kur ikën halli thonë “po prit, si po na e hiqni këtë hallin”! Ka aty organizata edhe rome dhe jo rome që jetonin me këtë çështje”.

Akuza të forta kishte ai dhe në drejtim të Avokatit të Popullit. “Ndërsa e mirëkuptoj median dhe shoqërinë civile që nuk beson se një institucion mund të funksionojë në mënyrë normale, më çudit fakti që Avokati i Popullit nuk beson se institucionet mund të funksionojnë në mënyrë normale”, tha Mazniku. Sipas tij: “Institucioni ynë po funksionon në mënyrë normale dhe nuk ka filluar kjo çështje sot apo dje apo para katër ditësh kur dëgjoi Avokati i Popullit në televizor, ndërkohë që duhet të kishte dëgjuar për këta romët që para dy vjetësh”.

Përgjigjet Totozani: Kemi dy vjet që kemi bërë rekomandime

I kontaktuar nga redaksia e Historia Ime, avokati i Popullit z. Igli Totozani u shpreh se institucioni që ai drejton dhe organizatat e shoqërisë civile kanë më shumë se dy vjet që kanë dalë bashkarisht me rekomandime përkatëse “për strehimin e romëve, për ndihmën ekonomike, për transferimin dhe rregjistrimin në gjendje civile, etj”.

Romet4

Edhe AP, edhe organizatat e shoqërisë civile janë të shqetësuara për faktin që në këtë çështje nuk po zbatohen standartet ndërkombëtare që sigurojnë të drejtat e njeriut. “Ne nuk pengojmë askënd të bëjë punën e tij”, tha Totozani, “përkundrazi ne bashkëpunojmë me çdo institucion aq më tepër me Bashkinë që përfaqëson atë nivel pushteti më pranë qytetarit”.

Totozani kërkon që Bashkia në punën e saj, të bazohet në standartet dhe parimet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së dinjitetit njerëzor.

Cilat standarte po shkel Bashkia?

Në një rekomandim të fundit të bërë nga AP thuhet se: “Sipas rekomandimeve të OKB-së dhe interpretimeve të dhëna në jursiprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, shteti ka detyrim të menjëhershëm dhe të vazhdueshëm për të siguruar që të gjithë personat të kenë siguri në zotërim të banesës, pavarësisht disponimit të titullit të pronësisë. Pra shteti duhet të garantojë mbrojtje ligjore kundër dëbimeve të detyruara, ngacmimeve dhe kërcënimeve të tjera dhe të ofrojë një bazë për realizimin progresiv të të gjitha aspekteve të së drejtës për strehim të përshtatshëm”.

Janë disa parimet themelore që duhet të reflektohen në masat e domosdoshme që ndërmerren në proceset (procedurat) e dëbimit me forcë dhe më konkretisht: mosdiskriminimi para ligjit, detyrimi i përmbushjes progresive të detyrimit për strehim nga ana e shtetit, duke përdorur burimet maksimale në dispozicion, përpara se të kryhet dëbimi dhe prishja e banesës, kërkimi dhe pranimi i ndihmës ndërkombëtare dhe bashkëpunimi me organizma ndërkombëtarë ose OJF, dhënia e prioritetit individëve më të rrezikuar dhe më të margjinalizuar, krjimi i aksesit të plotë dhe në kohë të përshtatëshme për informacion, pjesmarrja efektive e komunitetit në bisedime dhe në proceset vendimmarrëse, llogaridhënia e autoriteteve përgjegjëse.

Romet3

Në po të njëjtin dokument të derguar edhe kryeministrit Edi Rama, zyra e Avokatit të Popullit duket e shqetësuar kur konstaton: “Zhvendosja aktuale e komunitetit rom/egjiptian, po kryhet pa patur një akt zyrtar administrativ bazë, produkt i një procedimi normal administrativ për organet e administratës publike, ku përfshihet edhe Bashkia Tiranë. Kjo mungesë shpreheje e vullnetit të Bashkisë Tiranë, përmes aktit administrativ përkatës krijon probleme serioze me shkeljen e së drejtës për një proces të rregullt ligjor ndaj pjestarëve të komunitetit rom/egjiptian në zonën pranë Liqenit Artificial të Tiranës. Po kështu, kjo mënyrë informale veprimi ju heq të drejtën atyre të kundërshtojnë këtë akt zyrtar, në rrugë administrative, apo edhe gjyqësore”.

Avokati i Popullit konstaton edhe se “Zhvendosja po kryhet në mungesë të një komunikimi dhe konsultimi të domosdoshëm, midis Bashkisë Tiranë dhe komunitetit të prekur, lidhur me përcaktimin e zgjidhjeve. Në këto kushte mungon informacioni i plotë mbi çfarë i pret këta qytetarë dhe kjo situatë rrezikon të rëndojë më tej gjendjen e tyre të vështirë, duke krijuar një tjetër problem edhe më të mprehtë social”.

Një pikë e konstatuar nga AP por e kundërshtuar nga Bashkia është ajo ku thuhet: “Sikurse del nga mënyra e trajtimit të deritashëm, por edhe nga informacioni që kemi deri më sot, Bashkia Tiranë nuk ka një plan të mirëmenduar, të mbështetur në një njohje të plotë të tipologjisë së komunitetit, gjendjes të secilës prej familjeve, qoftë në aspektin e aksesit për një strehë të sigurt, aksesit në skemat e mbrojtjes sociale, gjendjen e tyre ekonomike dhe të pasojave që do të vuajë secila prej tyre, në rast zhvendosje nga zona e Liqenit Artificial të Tiranës”.

Pritet edhe reagimi i shoqerise civile.

Fotot, HI e shtune, pasdite

(vijon)

/k.p./

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest