Ministrat e Brendshëm të BE marrin vendim për shpërndarjen e refugjatëve

0,,18728570_303,00

120.000 refugjatë do të shpërndahen brenda Evropës. Vendimi u mor me shumicë të cilësuar, për shkak se disa shtete nuk lëvizën nga kundërshtimi i tyre.

Shpërndarjen e refugjatëve nga vendet shumë të ngarkuara të mbërritjes së refugjatëve, si Italia dhe Greqia, e kanë kundërshtuar deri në fund katër vende të Evropës Lindore. Megjithatë vendimi është marrë përkundër rezistencës së këtyre shteteve.

Sipas diplomatëve Sllovakia, Rumania, Republika Çeke dhe Hungaria e kundërshtuan propozimin e miratuar. Finlanda abstenoi. Ndër mbështetësit më të fortë të shpërndarjes së refugjatëve në Evropë është qeveria gjermane.

Për shkak të rezistencës së katër vendeve, ministrat e brendshëm të BE-së nuk e morën vendimin si zakonisht me konsensus të të gjitha shteteve, por vetëm me një shumicë të cilësuar. Ndërkohë një nga shtetet që ndryshoi qendrim ishte Polonia, e cila fillimisht kishte rezerva për shpërndarjen, por u shkëput nga qëndrimi i vendeve të Vishegradit dhe votoi pro shpërndarjes.

Polemika për rishpërndarjen bllokon prej muajsh një veprim të bashkërenduar të evropianëve në krizën e refugjatëve. Ideja që shtetet e BE-së të liroheshin nga detyrimi i pranimit të refugjatëve duke paguar para, nuk gjeti mbështetje. Gjermania dhe Franca kanë qenë absolutisht kundër kësaj ideje. Shpërndarja është menduar për të lehtësuar së pari Greqinë dhe Italinë, por jo Hungarinë, e cila e refuzon planin.

Por gjithashtu Komisioni Europoian i ka kushtuar vëmendje koordinimit të ngushtë me Turqinë në politikën e refugjatëve dhe në sigurimin e kufijve të jashtëm të BE-së për të kufizuar fluksin e mëtejshëm të azilkërkuesve nga Siria. Turqia është aktualisht vendi më i rëndësishëm i tranzitit për azilkërkuesit nga vendet joeuropiane në rrugën e tyre drejt BE-së.

/DW

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest