Kurbin/ Mungon ura, fëmijët rrezikojnë jetën për të shkuar në shkollë

kurbin-nxenest-ne-varke

Fëmijët e fshatit Shkopet në Kurbin rrezikojnë jetën çdo ditë në përpjekje për të shkuar në shkollë. Ata janë të detyruar të kalojnë në forma primitive lumin e rrëmbyeshëm, për shkak se mungon ura.

Për të kaluar nga njëri kah i lumit në tjetrin, fëmijëve, por edhe banorëve të tjerë u duhet të hipin në një varkë të improvizuar me fuçi, e cila është lidhur nëpërmjet një litari dhe disa dërrasave.

Janë rreth 33 fëmijë të Shkopetit që hipin çdo ditë në këtë “varkë”, pasi për ta është e vetmja rrugë për të shkuar në shkollë. Ura është shembur pesë vite më parë, duke e izoluar tërësisht fshatin raporton “Panorama”. Të vegjlit organizohen tre­ katër shokë bashkë në vajtje dhe po aq edhe për kthimin në shtëpi.

Por kjo mënyrë transporti është mjaft e rrezikshme, duke bërë që jeta e tyre të jetë në fije të perit çdo mëngjes e drekë kur kthehen nga shkolla. Banorët shprehen se janë të izoluar prej vitesh, pasi varka e improvizuar për të kaluar lumin nuk u shërben të gjithëve. Në stinën e dimrit lumi bëhet edhe më i rrezikshëm.

“Ka pesë vjet që kjo urë është shembur nga hapja e portave të HEC­-it të Ulzës. Që prej asaj kohe ne jemi të izoluar. Na kanë premtuar sa herë ka fushata elektorale dhe askush nuk ka marrë asnjë masë për ndërtimin e urës. Fëmijët tanë janë në rrezik kur kalojnë lumin, sidomos kur bëhet edhe më i rrëmbyeshëm në dimër.

Problem të madh kemi edhe në rast fatkeqësish, pasi nuk kalojmë dot kufomat për t’i varrosur”, shprehet banori i Shkopetit, Mark Kola. Ata që janë më të frikësuar janë vetë fëmijët, të cilët duhet të kalojnë çdo ditë lumin. Shpeshherë pa shoqërinë e më të rriturve, ata marrin përsipër ta kalojnë të vetëm lumin.

kurbin-nxenest-ne-varke

“Ne kemi shumë frikë të kalojmë në këtë varkë, pasi është e rrezikshme. Por nuk kemi rrugë tjetër për të shkuar në shkollë. Shpesh në dimër, kur uji bëhet shumë i rrëmbyeshëm, ne nuk ikim fare. Mësuesit na vënë mungesa, por jeta jonë na rrezikohet. Bëhemi 3­4 shokë dhe kalojmë së bashku duke u mbajtur në litarin që kanë lidhur prindërit tanë. Por gabimi më i vogël mund të na kushtojë”, thonë fëmijët, të cilët sapo kanë zbritur nga varka e improvizuar nga më të rriturit.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest