Klosi: Shqipëria është vendi ku gratë dhe vajzat drejtojnë jetën

Blendi Klosi, ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë (Fotografi ilustruese)Blendi Klosi, ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë (Fotografi ilustruese)

Fuqizimi i rolit të gruas në shoqëri dhe veçanërisht roli që ajo mund të luajë në vullnetarizëm, kanë qenë tema të takimit të organizuar nga GLOW (Girls Leading Our World) në Qendrën Rinore Tiranë, ku të pranishëm ishin edhe ministri Blendi Klosi dhe ambasadori amerikan, Donald Lu.

Ministri i mirëqënies sociale dhe rinisë, Blendi Klosi, ka thënë se nisma të tilla që synojnë të rrisin rolin e femrës në jetën shoqërore, duhet të kenë mbështetje të madhe, pasi sipas tij, kështu shoqëria do të ishte më e mirë dhe më solidare. Ai ka thënë gjithashtu se është i bindur që Shqipëria është realisht vendi ku vajzat dhe gratë drejtojnë jetën. Bindje kjo, që sipas tij buron nga të qenit bashkëshort, prind, por edhe politikan.

“E them këtë si bashkëshort, e pranoj me bindje që në këtë kuadër gratë drejtojnë dhe kjo nuk diskutohet. E them këtë si baba. Kam një vajzë vetëm 3 vjeç, Amlën, e cila realisht drejton shtëpinë tonë. E them edhe si politikan dhe si ministër, ku pjesën më të madhe të suksesit tim, në mos them në 99 për qind të suksesit tim ia dedikoj një bashkëpunimi shumë të frytshëm që kam me shumë zonja, por edhe vajza të reja, të cilat janë tashmë në postet drejtuese, e që realisht prodhojnë shumë mendime të drejta dhe mendime që janë shumë praktike”, – u shpreh Klosi.

Klosi ka thënë gjithashtu se vendosja e rregullave dhe kritereve iu krijon grave më shumë mundësi konkurrimi si të barabarta me burrat. Këtë, sipas tij e tregoi rritja e prezencës së grave në politikë dhe qeverisje vetëm pasi u vendosën kuotat ligjore të përfaqësimit.

Ministri Klosi ka kërkuar ndihmën e shoqërisë civile dhe të aktiviteteve të tilla që këto nisma të përçohen tek ata që kanë më shumë nevojë për mbështetje për t’u bërë pjesë e shoqërisë.

Burimi: Gazeta Shqip

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest