Agresiviteti si shprehje e frikës

kico-blushi-283968165-c1200x600

Nga Kico Blushi

Ne qytetarët e sotëm, gjithnjë e më shpesh, prototipin e agresivit (të fortin e lagjes e sidomos atë të politikës) po detyrohemi e po mësohemi ta quajmë trim, të cilit jo vetëm i duhet hequr kapelja, por edhe i duhet dhënë vota, d.m.th i duhet hapur rruga. Sigurisht nëse do të përfitosh e, në të kundërt, të mos gjesh belanë. Në jetën tonë të përditshme ndeshim jo pak nga ky lloj xhinsi. Përplasemi e detyrohemi të bashkëjetojmë me ta jo vetëm nëpër rrugë, nëpër lokale e institucione, ku harbutëria dhe vulgariteti janë mbizotëronjëse, por edhe në nivelet më të larta, në atë shtresë të shoqërisë që përndryshe quhet elitë. Ekranet e shumta na e kanë mundësuar të kuptojmë këtë dukuri pa e vrarë mendjen. Është krijuar tashmë “tradita” e të qeverisurit me arrogancë. Sa më arrogant shefi, aq më i zoti.
Dhe natyrisht edhe më i mençur.

Kemi parë e provuar presidentë republike agresivë e fodullë, kryeministra, ministra, komisarë policie dhe SHIK­u e aparatçilë të dehur me vetveten që “lëshojnë brezin”. Tani kemi edhe një shumicë të bajagishme deputetësh dhe kryetarë bashkish që agresivitetin e quajnë forcë, burrëri dhe mençuri. Madje këta po na shfaqen edhe si “karizmatikë”, d.m.th si banditë e ish­kriminelë të dashur, të cilët e veshin të kaluarën e tyre me rroba “firmato” për të na bindur që nuk kanë qenë sojsëzë, por sojlinj, të lindur e të destinuar për t’u bërë udhëheqës.

Duhet ta pranojmë që kjo dukuri është bërë “gjithpërfshirëse”. Tanimë vetkarfosja dhe agresiviteti i gjysmë injorantëve me pushtet ngallon gjithandej duke u shoqëruar me një farë respekti e nderimi popullor ndaj këtyre tipave “të suksesshëm”, të cilët jo vetëm janë pasuruar, por kanë përfituar famë e lavdi, pushtet e ndikim të pakufizuar, ngaqë meritë të vetme kanë aftësinë të shfaqen si të fortë, të papërballueshëm e të paprekshëm, me një fjalë si burra zamani që nuk u bën syri tërr. Para kamerave dhe publikut ata nuk e kanë për turp të sillen të pacipë, hokatarë, harbutë, mujsharë, mendjemëdhenj, sherrxhinj, shpifës, arrogantë e agresivë jo vetëm ndaj armikut të kryetarit të partisë (kupto: të klanit), por edhe para opinionit publik.

Ky është në fakt kriteri parësor për t’i hyrë në zemër një kryetari, për t’u bërë shpejt e pa mund i shquar, “i vlefshëm” e i pushtetshëm, për t’u bërë politikan e biznesmen. Sot duhet jo vetëm të sillesh sa më arrogant, por këtë “cilësi” të mos kesh drojë e mëdyshje ta shfaqësh hapur në publik, nëpër ekrane televizive. Agresivi i sotëm “demokratik” fillimisht rrëmben troje të tjetërkujt, më pas edhe merita e poste. Nuk ngopet me kaq, por kërkon edhe lavdi, edhe “emër” të pastër e të ndritur në histori. Kemi pas besuar e kujtuar se demokracia nuk e pranon këtë lloj tipi, por qenkëshim gabuar. Kësodore edhe në demokraci, falë shpërdorimit të lirisë dhe barazisë, arroganca lipset për të trembur dhe nënshtruar vartësit e kundërshtarët, herë me fjalë të pista, herë me shpotira e kërcënime publike. Të gjithë u hapin udhë arrogantëve, ca nga frika, ca nga sqima, shumica nga pafuqia e pasiguria.

Sot nuk mund të bësh karrierë të sigurt në cilëndo parti shqiptare, si brenda dhe jashtë kufijve, pa imituar kreun, vulgaritetin dhe sidomos arrogancën e tij. Prepotenca dhe frika që ngjall një arrogant demokratik te të tjerët, te vartësit dhe te qytetarët lipset, si rregull, të jetë në proporcion të zhdrejtë me puthadorësinë ndaj kreut të partisë/qeverisë/ndërkombëtarëve. Ky është kompensim i pashmangshëm i vetëshfytyrimit moral. Sa më poshtë e ul veten në dinjitet para shefave, aq më tepër kërkon të ngrihesh e të dukesh autoritar në sytë e të tjerëve. Kjo asimetri morale e psikike fabrikon administratën e sotme.

Kur kapin kulmin e pushtetit dhe kur arroganca u jep ndjesinë e pavdekësisë (se “populli na do!”), krerët u vërsulen edhe ndërkombëtarëve. “Sa kam Peqinin me vete, unë nuk çaj kryet për Evropin”, pat deklaruar Dumbaba i parë, Haxhi Qamili. Hoxha u bë absolut kur arrogancën e vuri përballë ish­aleatëve, rusëve dhe kinezëve, jo dhe aq për të mbrojtur interesat e kombit, se sa për të siguruar e çimentuar veten. Pikërisht në këtë kohë folklori e quajti “luan” të botës mbarë. Edhe këta të sotmit, ndonëse me mjete më vulgare, arrogancën me ndërkombëtarët (sa për të dhënë një shembull: vini re si janë sjellë me ish­ambasadorët amerikanë, me FMN dhe së fundi edhe me OSBE­në…) e përdorin për të bindur popullin se atyre “nuk u hyn gjemb në këmbë” e nuk u bën syri tërr. Këto janë shenjat më të prekshme me të cilat ata i provojnë vetes: qetësohu, tani ti je bërë i madh, i shquar, i pavdekshëm, i pazëvendësueshëm.

Ata besojnë sinqerisht se “ky popull është aq i prapambetur, sa të nderon e të respekton (edhe të voton) më shumë po të sillesh egër dhe harbutërisht me të”… Ndaj urtësia në këto anë të turbullta të Ballkanit Perëndimor tanimë ka filluar të quhet dobësi, mangësi, defekt, gati­gati si një cen i trashëguar e demodê. Me sa duket nuk paskësh ambalazh më të mrekullueshëm për të mbuluar paaftësinë, frikën e së nesërmes dhe padijen, për të ushtruar pushtet të pakufizuar se sa arroganca.

Janë aq të pakulturuar e të frustuar sa nuk nxjerrin dot mësime nga historia jonë e afërt. Janë të paaftë të kuptojnë, tekefundit, se, pavarësisht nga terminologjia e gjuhës “demokratike” dhe nga rrobat firmato, ata janë pasardhës të denjë të një bejlurçine nga Kolonja, i cili e pat fituar titullin ‘bej’ dhe pasurinë me forcë, tarafllëqe, mercenarizëm, vrasje e hajdutllëqe e që, për të provuar nëse mileti e besonte që ai e meritonte titullin e një beu të vërtetë, e lëshonte enkas brezin në pazarin e Korçës, që, po t’ia shkelte kush të bënte namin, duke vënë “nderin” në vend me kobure…Por askush nuk ia shkelte, të gjithë i shmangeshin dhe i gjori besonte sinqerisht se e kishte larë e shpëlarë të kaluarën e vet, pasi frikën populli e kishte kthyer në respekt.

*** Në këto kushte të ndershmit, të përkorët, modestët, fjalëpakët e punëshumët, ata që kanë dinjitet dhe që luftojnë të mbrojnë vlerat njerëzore, duke bërë sakrifica, vlerësohen në mos si të padobishëm, edhe të dëmshëm. Madje edhe si një leshko, i cili nuk di të bëjë gjë tjetër “veçse t’i bjerë murit me kokë”.” Për kë shkruan?”…”Kush të dëgjon sot?”… “Vërtet beson te politika dhe drejtësia?”…

Në një rreth shoqëror avokatësh e gjykatësish kam dëgjuar të përflitej e të poshtërohej, si i paaftë e i dyshimtë (madje edhe si i rrezikshëm) njëri syresh që nuk ishte i tillë, që ishte i urtë e fjalëpakë, që nuk pranonte ryshfet e nuk u bënte lëshime shefave dhe sekserëve para zbatimit të ligjit. Kjo tregon se opinioni publik, bashkë me zgjedhësin, janë dorëzuar. Qytetarët janë bindur se janë të pafuqishëm. Pasi, kundërshton ose jo, flet nuk flet, voton nuk voton, “këtu e tatëpjetë, punët si kanë vajtur do të venë!”…

Por arroganca, si mënyra e vetme dhe “më e mirë” për të bërë politikë, është përsosur si mënyrë drejtimi e sundimi në këto 25 vjet pluralizëm. Agresiviteti i pushtetarëve nuk dëshmohet vetëm duke ngritur zërin, duke sharë nga nëna e nga e motra në publik vartësit dhe kundërshtarët, por edhe me zë të ulët, shoqëruar sipas vendit e kuvendit edhe me “argumente”, të cilat transmetojnë ku e ku më shumë arrogancë e harbutëri se sharjet e ngritja e zërit duke përdorur fjalë të ndyra, fyese.

Kështu, në vorbullën e sharjeve kundër Raportit (konfidencial) të OSBE­së, përveç sulmeve direkte e ballore, sipas traditës tonë bajraktërore, si p.sh: “Kolektor i ujërave të zeza”, “një thes me thashetheme e shpifje”, etj. etj, dëgjova edhe “argumente të urta” nga goja e deputetit Kokëdhima që, me qetësinë që e karakterizon të kërkonte nga drejtuesit e OSBE­së në Tiranë dhe në Vjenë afërsisht këto: 1. Të tregohen emrat e atyre që kanë hartuar dhe bërë raportimet…2. Akuzat ndaj tij nuk janë ndaj tij (dhe 31 të tjerëve), por ndaj institucioneve të shtetit shqiptar. 3. Për këto arsye duhet riparë qëndrimi i mëtutejmë i misionit të OSBE­së në Tiranë…

Sa më sipër nuk duket ndonjë shenjë e dukshme arrogance. Por kërkesa për të treguar emrat e raportuesve, në fakt është kërkesë tipike e rrjeteve mafioze kur bien në hall: Kush na ka spiunuar? Zbuloni emrat dhe ne do dimë si t’ua tregojmë vendin! 2. Identifikimi i vetes me institucionet e shtetit është mendësi tipike totalitare: sepse kush fyen e akuzon udhëheqësin ka fyer kombin dhe shtetin. 3. Kërcënimi për të dëbuar ose kufizuar rolin e OSBE­së, ­kërkesë me të cilën me sa duket u pajtua më vonë edhe qeveria,­ është shprehje e mirëfilltë e arrogancës, “pasi ne na ka zgjedhur populli dhe jo ndërkombëtarët”…

Gjithsesi, thellë­thellë, vështruar me një sy më të ftohtë, kjo lloj arrogance, e moderuar apo banale, me doreza boksi apo me zë të butë, në fund të fundit nuk dëshmon për forcë dhe mençuri, por për frikë, panik dhe pasiguri. Ky është një mësim që na vjen jo vetëm nga historia, por edhe nga psikologjia moderne.

/Balkanweb

 

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest