Çfarë po ndodh në Festivalin Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë në Pogradec?

IMG_0235

Prej 14 shtatorit, po zhvillohet për të 5-in vit rresht, Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë në qytetin e Pogradecit. Nën drejtimin e regjizorit Eno Milkani dhe kurimin e Gerta Qurkut, B3F finalizohet sot në mbrëmje me shpërndarjen e çmimeve për më të mirët.

I zhvilluar tashmë prej një gjysmë dekade, festivali është rritur në cilësi produksionesh dhe numër pjesmarrësish. Këtë vit janë plot 100 prodhime kinematografike nga gjithë rajoni i Ballkanit që paraqiten për publikun pogradecar dhe jo vetëm, në kinemanë e qytetit.IMG_0145

Me rreth 20 produksione të shfaqura në ditë, me tre orare, 11:00; 17:00; 21:00, pjesëmarrësit konkurojnë në kategoritë e filmit të gjatë, filmit të shkurtër, dokumentar, filmit eksperimental dhe animacion.

Në një intervistë për “Historia Ime” me regjizorin Eno Milkani, mësojmë se ndryshe nga vitet e tjera, në këtë edicion kanë qenë surprizë kategoritë e filmit të shkurtër dhe atij eksperimental, ku pritet që gara të jetë më e fortë.

Pavarësisht numrit të lartë të pjesëmarrësve, Milkani thotë se ndihet “i zhgënjyer” nga numri i autorëve shqiptarë dhe cilësia e produksioneve të tyre këtë edicion. Ndërkohë në anën tjetër të medaljes qëndron Kosova, e cila është përfaqësuar denjësisht me produksionet e saj si, “Heroi” me regji të Luan Kryeziu, “5 euro”, “Koordinatat”, “Piano”, “Ne të tre”, “Miriam”, “Fati” etj. Shtetet me përfaqësim më të lartë janë Greqia me rreth 20 produksione si dhe Turqia me 16 produksione.

Sa i përket kategorisë së filmit të gjatë, Milkani na thotë se të gjithë janë garues të fortë dhe kjo është parë edhë nga pritja që i ka bërë publiku në sallë. Në kategori marrin pjesë 7 produksione ndër të cilat filmi shqiptar “Bota” i regjizorëve Iris Elezi dhe Thomas Logoreci, filmi kosovar “Heroi” i regjizorit Luan Kryeziu si dhe filmi malazez “Fëmijët nga rruga Marks & Engels” i nominuar për çmimet Oscars si filmi më i mirë i huaj.

12016566_10207493093916146_1566852181_n

Publiku pogradecar i ka mikpritur për të 5-in vit filmat e B3F-së dhe Milkani na thotë se vëren ndryshime nga viti në vit në perceptimin që kanë njerëzit për kinemanë.

“Ta them me keqardhje që në vitet e para salla mbushej me fëmijë dhe njerëz që vinin në kinema dhe bënin vetëm muhabet gjatë filmit. Sot gjërat kanë ndryshuar, njerëzit vijnë shohin filmat dhe më pas i diskutojnë”.

Por dilemat e Enos si drejtor i festivalit nuk mbarojnë me prezantimin e filmave para publikut, ai na thotë se kur i risheh filmat në sallën e kinema Pogradecit ndihet krenar, por ndonjëherë edhe pendohet për përzgjedhjen që ka bërë.

IMG_0226

Risi në këtë edicion të B3F është “Balkan Mish Mash Film Production”. Një workshop që ka mbledhur së bashku 12 kinemadashës, profesionistë dhe amatorë nga gjithë Ballkani, për të prodhuar 6 filma të shkurtër gjatë ditëve të festivalit.

Kuratorja Gerta Qurku, na thotë se ky aktivitet zhvillohet me qëllim për të nxitur bashkëpunimin midis vendeve të rajonit të Ballkanit.

“Ata janë nga vende të ndryshme dhe i bashkon dashuria për kinemanë. Kanë ardhur këtu me mjetet e tyre, me ide të tyre dhe në mënyrë vullnetare kanë organizuar gjithçka. Kanë gjetur aktorët, kanë bërë xhirimet dhe montazhet, gjithçka vetë”, thotë Gerta.

Por jo gjithçka “shkon vaj” në Festivalin Ballkanik të Filmit, Eno na thotë se vështirësitë më të mëdha ishin në gjetjen e mbështetjeve për festivalin. Ndryshe nga vitet e tjera, Bashkia e Pogradecit nuk e ka suportuar financiarisht festivalin dhe gjithashtu të pakët kanë qenë edhe bizneset që kanë treguar interes. Ndihma më e madhe për B3F ka qenë Ministria e Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë. /M.G/ /L.K/

IMG_0251

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest