Shkollat, ende problem integrimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara

Forumi-–-shpresë-për-peronat-me-aftësi-të-kufizuara

Edhe pse është diskutuar dhe ngritur shpesh si problem mungesa e aksesit në shkolla për fëmijët me aftësi të kufizuara, edhe këtë vit duket se situata nuk ka ndryshuar. Ata duhet të përballen me një sërë problemesh ku më kryesorja është mospërshtatja e ndërtesave për këtë kategori. Ndërkohë, fëmijët me aftësi të kufizuara në shikim e kanë të “ndaluar” të marrin pjesë në shkolla normale. E ndaluar për shkak të mungesës së aksesit për këtë kategori. Në shkolla nuk ka libra të veçantë për ta, pasi edhe nevoja e tyre është specifike.

Në këtë kuadër, edhe sivjet shkolla do të nisë me një sërë problemesh për gjithëpërfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara. Një tjetër problem është edhe integrimi dhe gjithëpërfshirja në shkolla normale e fëmijëve autikë. Për shkak të nevojave specifike që ata kanë, një pjesë e mirë e prindërve nuk i çojnë në shkolla normale. Problemi që ata kanë i bën të veçantë në raport me të tjerët, ndaj kërkojnë një përkujdesje më të madhe. Shpeshherë, prindërit kanë kërkuar që të ketë mësues ndihmës në shkolla për këta fëmijë, por duket i vështirë integrimi i tyre edhe këtë vit shkollor.

MAS ka miratuar vjet udhëzimin “Për kriteret e mësuesit ndihmës për nxënësit me aftësi të kufizuara në institucionet publike të arsimit parauniversitar”.  Drejtorët rajonalë të arsimit, në zbatim të tij duhet të punësojnë sipas nevojave, që ato kanë identifikuar përmes komisioneve multidisiplinare të ngritura pranë tyre, mësuesit ndihmës në ato shkolla dhe kopshte ku ka të integruar nxënës me aftësi të kufizuara.

Udhëzimi përcakton qartë kriteret e punësimit, si dhe detyrat që do të kryejë mësuesi ndihmës në institucionet shkollore. Prania dhe puna e mësuesit ndihmës, krahas mësuesit të klasës apo të lëndës, do të lehtësojë integrimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara në ambientet e shkollave të zakonshme.

Projekti parashikon dhe futjen në 28 shkolla të arsimit bazë dhe kopshte të arsimit gjithëpërfshirës për fëmijët me aftësi të kufizuara të certifikuar, në këtë mënyrë, projekti do të punojë drejt realizimit të objektivit të tij të “dhënies së kontributit në përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara në moshë shkollore në 6 rajone të Shqipërisë”.

Burimi: Gazeta Shqip

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest