Fatos Lubonja: “Pengje apo njerëz të krimit”

fatos_lubonja

Në kontekstin e fushatës për pastrimin e Parlamentit nga figura të krimit, mediat shqiptare, por edhe ato të huaja, kur analizojnë raportet e shtetit tonë me krimin, më specifikisht të qeverisë dhe Kryeministrit Rama, i referohen një opinioni të përhapur që përdor shpesh fjalën “peng”. Thuhet, p.sh., se Ramës i janë dashur të fortët e krimit për të mbrojtur apo blerë votën kundër Berishës me justifikimin e bashkimit të të gjithë qelbësirave për ta mundur atë, se kjo nevojë e shtyu të bashkëpunojë me njeriun që e kishte akuzuar për korrupsion, kryetarin e LSI-së, Ilir Meta, e se tani nuk çlirohet dot prej tyre, pra është peng i tyre.

Disa e thonë me të keq, por kuptohet se përdorimi i këtij termi shpreh edhe një lloj empatie ndaj Kryeministrit, pasi përmban brenda edhe kuptimin e një viktime, të një individi (apo grupi njerëzish apo institucioni, partie, qeverie deri shteti) që nuk është në gjendje të marrë vendime të lira me vullnetin e vet sepse ka mbi kokë kërcënimin e krimit. E kësisoj ai sikur justifikohet, bëhet si të gjithë qytetarët: bashkëvuajtës. Duke u nisur edhe nga ky këndvështrim psikologjik, termi “peng” më duket një fjalë kyç në analizimin e raportit të shtetit tonë me krimin.

* * *

A është gjendja e pengut e vërteta e Sali Berishës, Edi Ramës, Ilir Metës dhe më në përgjithësi e klasë sonë politike që ka ndërtuar institucionet tona shtetërore? Nëse është kështu: a mund të shpresojmë se Edi Rama mund të çlirohet nga gjendja e pengut dhe të kthehet në gjendje që, me vullnetin e tij të lirë, të punojë për të mirën e vendit? Dhe çfarë duhet bërë që ai të çlirohet? Apo përdorimi i kësaj fjale është shprehje e gjendjes së një shoqërie të marrë peng nga një politikë kriminale dhe që, duke qenë e pafuqishme për t’u çliruar vetë prej saj, shpreson të çlirohet duke i projektuar shpresat te një udhëheqës i mirë brenda saj?

Sipas meje ka një problem themelor moral kur flasim për ata individë që vendoskan me vullnetin e tyre të hyjnë në politikë që të “kapen peng” nga krimi, deri duke ndarë pushtetin me kriminelë. Situata postkomuniste e politikanëve shqiptarë nuk mund të krahasohet me situatën e komunizmit kur dikush mund të justifikohej duke thënë se i hyri politikës në emër të disa idealeve të luftës dhe pastaj mbeti brenda sepse e kishte të pamundur të dilte, ngase i ikte koka. Periudha pas komuniste, qoftë për shkak të hapjes së kufijve të Shqipërisë ndaj botës, qoftë për shkak të hapësirave relative të lirisë që krijoi pluralizmi, liria e shprehjes, biznesi privat, ka krijuar shumë herë më tepër mundësi për t’u larguar nga politika, pa u rrezikuar, për ata politikanët që e shohin veten të detyruar të punojnë kundër idealeve të tyre apo të detyruar të ulen në bango me kriminelë dhe vrasës.

Fakti që nuk e kanë bërë këtë flet për diçka tjetër nga situata e një pengu. Po ashtu, edhe argumenti se këtyre u është dashur të bashkëpunojnë me krimin për të fituar pushtetin që pastaj të bëjnë mirë nuk qëndron. Le t’u kthehemi dy momenteve historike, atij të vitit ‘91 dhe atij të vitit ‘97, kur kanë ardhur në pushtet dy forcat politike që kanë qeverisur dhe vazhdojnë të qeverisin vendin gjatë këtij afro çerekshekulli. E vërteta është se Sali Berishën nuk e sollën në pushtet të fortët, kriminelët, por pati një mbështetje të madhe popullore, si dhe ndërkombëtare që ishte lëvizja kundër komunizmit. Nuk kishte asnjë arsye pra, që, për të marrë e mbajtur pushtetin, të bashkëpunonte me kriminelë – siç ishin p.sh. ata që ndërtuan piramidat financiare. Edhe socialistët si Nano, Meta, Rama kur erdhën në pushtet në vitin 1997 nuk i solli krimi, por një lëvizje e madhe popullore, e mbështetur edhe ndërkombëtarisht, që shpërtheu pikërisht kundër një shteti që nuk i kishte mbrojtur qytetarët e vet, por ishte bërë palë me krimin. Në fakt, e vërteta është e kundërta.

Ata kanë përdorur shumicën e për të ardhur në pushtet dhe më pas kanë tradhtuar idealet dhe shpresat e saj duke bashkëpunuar me një pakicë kriminale brenda kësaj shumice, duke e kapur peng këtë shumicë. Dhe pyetja thjesht retorike është: çfarë i shtyn këta të bashkëpunojnë me vjedhësit, mashtruesit, kriminelët nëse nuk janë edhe vetë mendje kriminale, të korruptuara shpirtërisht e moralisht? Prandaj mendoj se përdorimi i fjalës “peng” për politikanët tanë duhet refuzuar nëse duhet të çlirohemi nga gjendja e pengut ku ata na kanëfutur.

Në fakt, në gjuhën e analizës politike ekziston një term shumë më i saktë sesa “peng” për të përshkruar gjendjen e politikanëve dhe institucioneve të drejtuar prej tyre që punojnë për krimin. Është fjala “i kapur” (në anglisht i thonë “state captured”). Termi “shtet i kapur” nuk përmban asnjë lloj empatie për individin politikan që bashkëpunon me krimin, pasi ai nuk shpreh raportin midis një politikani dhe krimit që e ka kapur atë. Termi “kapje e shtetit” nënkupton më një anë shtetin si institucion, në kuptimin abstrakt, që presupozohet se duhet të punojnë në emër të së mirës publike dhe, më anë tjetër, individë politikanë konkretë me prirje kriminale që e tjetërsojnë rolin e shtetit. Pra, ka një dallim thelbësor midis politikanëve peng dhe politikanëve të shtetit të kapur.

Kur përdorim termin “peng” nënkuptojmë një shtet që ka në strukturat e tij njerëz të ndershëm, por të cilët nuk arrijnë të bëjnë mirë, pasi pengohen apo shtrëngohen nga krimi, por që gjithsesi janë edhe të mbrojtur nga struktura të tjera shtetërore. Nëse do t’u referohemi përvojave, do të përmendja p.sh. shtetin italian të pas Luftës II dhe raportin e tij me mafien. Në rastin e tij është folur shpesh për bashkëpunim të segmenteve të shteti italian me mafien nën shtrëngimin e saj, apo edhe për interesa korruptive apo edhe të votës. Megjithatë, për atë shtet, nuk është përdorur termi “i kapur” sepse ka pasur struktura të tjera të shtetit që kanë funksionuar drejt, si Gjyqësori p.sh. Le të kujtojmë Falconen dhe Borselinon.

Kurse kur flasim për shtetin e kapur kemi parasysh një shtet të ndërtuar nga një parti kriminale, ku nuk ka kuptim të bësh ndarjen midis shtetit dhe krimit se janë dy anë të së njëjtës medalje dhe kundër tij nuk të mbron asnjë institucion, sepse në krye të shtetit janë vetë drejtuesit e krimit gjithashtu. Si kulminacion ekstrem të tij do të sillja shtetin komunist prej nga vijmë. Mendoj se realiteti i sotëm shqiptar, me gjithë diferencat në shkallën e lirive të fituara, është më afër modelit të trashëguar nga komunizmi sesa modelit italian që përmenda. Te ne nuk mund të flitet për segmente të devijuara, por për një shtet të devijuar tërësisht nga objektivat e një shteti që punon për të mirën publike. Provat për këtë janë të dukshme. Një prej tyre është edhe vazhdimësia e funksionimit të praktikave të partisë shtet që kontrollon edhe Gjyqësorin, edhe Policinë, edhe mediat, edhe ekonominë në favor të pjesës më kriminale të shoqërisë. Vërtet sot ka më shumë se një parti dhe një tjetër kontekst gjeopolitik e ligjor, çka e bën të ndryshme gjendjen nga ajo shtetit komunist për sa u përket mundësive të shtypjes, por mentaliteti është po ai.

Fakti është se pasi merr pushtetin partia fituese sillet si një parti shtet e vetme, që merr nën kontroll edhe ato institucione që, në një shtet demokratik, duhet ta kontrollojnë atë nëse ajo kryen aktivitet kriminal. E provojnë këtë edhe zhvillimet e fundit. Në një kohë kur partiashtet po akuzohet për lidhje me krimin, për lidhje me trafikantë droge e prostitucioni që i ka futur deri në Parlament dhe kur ministri i Brendshëm kapet me gënjeshtra flagrante në tentativat për t’i përgënjeshtruar këto, nuk shohim asnjë organ të pavarur prej tyre të vihet në veprim për të hetuar këto akuza. (E njëjta gjë ndodhi edhe kur shpërtheu skandali Doshi – Meta që tregoi se kufijtë që duhet të ndajnë politikën me krimit janë shuar. E ndërkohë, nga ana tjetër, Kryeministri terrorizon vendin duke kërcënuar me burg e me gjoba marramendëse qytetarët, vetëm për një faturë, shëmbëllyeshëm me një kryemafioz që përdor bandën e tij të policëve, prokurorëve e gjyqtarëve të kapur për të ushtruar raketing mbi qytetarët e vet.

* * *

Si përfundim, për t’u kthyer te fushata e pastrimit të politikës nga njerëzit e krimit që është sot në rend të ditës, sipas meje, ajo po bazohet gabueshëm mbi konceptin e politikanit peng që funksionon njëherësh si alibi e politikanëve mafiozë, dhe nevojë psikologjike e njerëzve për të shpresuar tek e mira. Ai të kujton një parullë që përhapej në popull gjatë kohës së diktaturës, sipas së cilës “Uji nga lart vjen i kulluar, por turbullohet poshtë”.

Sipas meje, të heqësh nga Parlamenti disa deputetë me “rekorde kriminale” (siç thuhet), në kushtet e një shteti të kapur nga një politikë që e ka futur atë të tërin në një drejtim kriminal, është si të hedhësh në det disa ngarkesa të tepërta për të lehtësuar anijen që po mbytet. Ajo për çka kemi nevojë nuk është ky lloj lehtësimi, por ndryshimi i drejtimit kriminal që ka anija dhe për këtë duhen larguar e ndëshkuar kapitenët që e kanë drejtuar për andej, jo ushtarët e tyre. Përndryshe, ajo është e destinuar të vazhdojë të lundrojë në ujërat e krimit që do t’ia çajnë fundin gjithnjë e më shumë duke e bërë mbytjen gjithnjë e më të shpejtë e më katastrofike.

/panorama

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest