Lëreni të qetë familjen Kajtazi

artan-fuga-700x525

Artan Fuga

Prej dy javesh mediat janë marrë me historinë e dy vajzave të një familjeje të thjeshtë shqiptare, Kajtazi, që kishin braktisur shtëpinë prinëdrore dhe ishin zhdukur pa lënë gjurmë.

Bashkë me këtë arratisje u lidhen edhe një zjarr në shtëpi, mungesa e parave si edhe një histori helmimi në gjellë që duhet verifikuar.

Bashkë me telenovelat e verës që janë shumë tërheqëse me kotësinë e tyre, sidomos në kohë vape, bashkë me historitë e shpikura ose të vërteta të ndonjë skandali politik, emisioneve të lajmeve ose faqeve të para të gazetave u duhej edhe një lajm në thellësi qëe mund të mbahej lehtë dhe të tërhiqte vëmendjen e audiences.

Media është si një kafshë stërmadhe që kur nuk ka lajme, pra ushqim, është e detyruar ta prodhojë ushqimin e vet.

Nuk jaj duke thënë se ngjarjen e familjes Kajtazi e prodhoi dhe e stisi media si një reality shoë. Nuk kam asnjë fakt për këtë edhe përtoj ta investigoj. Por, një gjë e di mirë, ngjarje si ato ka pafund në familjet shqiptare. Ikje të fëmijëve nga shtëpia, tensione midis adoleshentëve dhe prindërve të tyre, madje edhe histori dhune në familje ka pafund si në Shqiperi ashtu edhe në Europë e më gjerë.

Mjafton të shkosh në një komisariat policie dhe gjen sa të duash për t’i raportuar me muaj të tërë. Kur ka lajme askush nuk intereson për jetën e famailjes shqiptare, kur lajme nuk ka gjendet një rast dhe bëhet tërkuzë.

U nis si nje lajm, por perfundoi si një telenovelë dramatike.

Mirëpo media duhet të vetëpermbahet pak, vetëpermbajuni pak të dashur miq e kolegë.

E para, mos harroni se keni prekur intimitetin e një familjeje.

Keni hyrë brenda një dhimbjeje të saj, që ata mund të duan ose do të duheshin ta mbanin në përmasa intime, dhe e bëni publike disa herë në disa dhe ditë e javë të tëra. Me një fjalë keni kthyer në një spektakël një dramë intime familjare.

Dikush mund të thotë : Por, prindërit vetë deshën ta bënin publike, aq më shumë që media solli dobi pasi sensibilizoi policine për t’u vendosur në kërkim të këtyre vajzave…

Argumenti mund të jepet, por nuk i qëndron kritikes.

Pse?

Sepse edhe sikur prindërit të donin ta bënin publike dramën e tyre intime, duhet menduar nj çast, sepse jomedoemos prindi, e ka kulturën e mjaftueshme dhe ndërgjegjen e mjaftueshme se çfarë dëmi po i bën familjes së vet dhe fëmijve të vet.

Nëse duhej motivuar policia kjo mund të bëhej me rrugë të tjera, me kronikë, me intervistime të oficerëve të policisë, etj., por jo duke paraqitur të gjitha hollësite e jetës familjare që në dramaticitetin e ngjarjes së vet, derdhte e zbrazte barkun përpara kamerave, kësaj bote që është sa larg njerëzve aq edhe shpesh e magjishme për njerëzit e thjeshtë.

A duhet të bëjë media publike raste tensione dhe dhune në familje, ose ngjarje dramatike në familje? Po, por,me shume kujdes sepse thyen intimitetin familjar.

Kush nga ne të medias është i qetë se me raportimet që ka bërë nuk është pikerisht pergjegjes që tani në atë familje tensionet pas gjetjes të vajzave nuk vijnë edhe nga fakti se ngjarja është bërë publike?

Të gjitha palet atje, duke qënë se janë ekspozuar në publik, vazhdojnë lojën që mund të jetë e vërtetë por mund të jetë edhe teatrale. Shpesh herë këto ngjarje kanë nevojë të trajtohen nga psikologu ose nga ekspertë të fushës, të cilët në intimitetin dhe konfidencën e tyre krijojnë mundesinë që jo vetem aktorët e ngjarjes të jenë të vërtetë në sjelljen e tyre, por edhe të gjejnë mundesinë për të rikrijuar marrëdhënien e thyer familjare nëse kjo do të ishte e mundur sigurisht.

Dihet që sjellja përpara kamerave dhe sjellja në marrëdhënien e ngushtë të skenës familjare janë dy sjellje krejt të ndryshme.

Mos harrojmë që duke raportuar deri në lodhje këtë ngjarje familjare media ndikon në acarimin e tensioneve brenda familjes dhe e bën atë familje viktimë e dëshires vuajeriste të audiencës që fatkeqësisht nuk ka sesi të mos jetë e tillë.

Ngjarja mund të raportohej, por pastaj duhet shoqëruar me analiza të forta në studio lidhur me konfliktet mes brezave që gëlojnë një shoqërine shqiptare, për tensionet psikologjike, apo për kundërshtitë mes liberalizmit social ekstrem dhe dogmatizmit e konservatorizmit prindror, të cilët shpesh hyjnë në përleshje të forta mes tyre.

Kush e ka trajtuar hallin e rinisë, sidomos të vajzave që shpesh herë i shoh të traumatizuara, dhe hallin e prindërve që shpesh i shoh të stresuar për fatin e fëmijve të tyre?

Askush.

Ndërkohe në kohë vere mbiraportohet një dramë familjare, deri në kufijtë e prekjes të intimitetit familjar, dhe pastaj sapo vjen sezoni i ri, harrohet e mbyllet edhe si tematikë.

Mos harrojmë që më duket se një nga vajzat është minorene.

Fotoja e saj del në ekran dhe në faqet e para të gazetave, emri i saj publikohet pa asnjë kufizim, thëniet dhe intervistat e saj botohen gjerë e gjatë, pa pranine e një avokati apo të një personi të rritur të familjes.

Ta lëmë të qetë familjen Kajtazi bash për këto arsye. Provojeni ta bëni të njëjtën gjë që bëtë me të me familjen e ndonjë pasaniku, politikani apo intelektuali, dhe do të shikojme se shume shpejt çështja do të shkojë në gjyq.

Me një avokat të mirë zoti Kajtazi mund të fitojë shumë lekë me gjobat që duhet të paguajë media për hir të dëshirës për të raportuar përtej asaj që morali dhe ligji e lejojnë.

Mos bëjmë gazetari gjoja investigative me hallet e familjes, por me korrupsionin ose me kapjen për fyti që disa lobi private u bëjnë disa nëpunësve duke i detyruar të kendojnë me deklarata shtypi sipas midesë të tyre.

Kur them lëreni të qetë familjen Kajtazi, nuk dua të them që lëreni në vetminë e saj. Jo, por psikologu, shoqatat që marrin fonde për këtë punë, policia, e bëjnë punën e tyre në diskrecionin e domosdoshëm që i ndihmon edhe të respektojnë intimitetin familjar, por edhe ta ushtrojne profesionin si duhet.

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest