Gratë përdorin median sociale për të zbuluar ngacmimet seksuale

1400

Në Arabinë Saudite, mediat sociale po përdoren gjithmonë e më shumë si një mënyrë për të denoncuar ngacmimet seksuale. Gratë e Arabisë Saudite po ngacmojnë nervin e përdoruesve të internetit me shpresën e veprimeve konkrete që do të dënojnë shkelësit e ligjit.

Dy video që shfaqin burra që ngacmojnë në rrugë gratë në Arabinë Saudite janë shpërndarë kudo në rrjetet sociale në javët e fundit, duke rikthyer debatin rreth ngacmimit të grave në vend.

Pamjet e filmuara në qytetin Jeddah gjatë festimeve të Bajramit u publikuan në YouTube më 18 korrik. Në to shfaqen dy vajza teksa rrethohen dhe ngacmohen nga një grup burrash. Këta i futën vajzat në mes dhe duke bërtitur dhe brohoritur me të madhe duket se i përfshinë vajzat në një situatë tepër stresuese.

Një tjetër video e filmuar në Taif të Mekës dhe postuar në YouTube më 25 korrik shfaqte një incident të ngjashëm, ku një vajzë e re ngacmohej nga dy burra. Në video, burrat shfaqen teksa ndjekin një grua që ecte vetëm. Njëri prej tyre i afrohet asaj dhe duket se e prek me duar.

Tashmë është lajmëruar se personat e shfaqur në videon në Taif janë kapur dhe do të gjykohen sipas ligjit. Hetimet mbi incidentin e ndodhur në Jaddah po vazhdojnë, por për tani, Komuna Jaddah ka vendosur të instalojë më shumë se 100 kamera survejimi përgjatë vendit ku ndodhi incidenti. Kjo është pjesë e një plani më të gjerë për të parandaluar krimet dhe ngacmimet.

Në vitet e fundit, një numër gjithnjë e më i madh grash nga Arabia Saudite kanë përdorur median sociale si një burim për të dokumentuar dhe përballur problemin e vazhdueshëm të ngacmimit.

Postimi i fotove dhe videove shihet si mundësi që dokumenton ngjarje të caktuara dhe hedh dritë mbi çështje të ndjeshme me të cilat mbretëria refuzon të përballet.

Gratë po ngacmohen në vendin e punës, në qendra tregtare dhe në rrugët e qytetit. Megjithatë, në shoqërinë konservative të Arabisë Saudite, rastet e ngacmimit fizik rrallë raportohen tek autoritetet, nga frika se kjo i sjell turp ose siklet familjes.

Zemërata në rritje kudo në vend, nxitur kryesisht nga media sociale, ka pasur një efekt, duke e shtyrë mbretërinë konservative të marrë parasysh masa ligjore për t’u përballur me problemin.

Burimi: Huffington Post

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest