“Rrethohet” QSUT: Mbi 100 shërbime private përreth hapësirës së saj

Infografikë ilustruese e klinikave, spitaleve dhe farmacive rreth QSUT.

Nga Lorin Kadiu

Qendra Spitalore Universitare “ Nënë Tereza” (QSUT) institucioni shëndetësor më i madh në Shqipëri është “rrethuar” tashmë nga rreth 50 spitale, klinika dhe laboratorë privatë dhe nga mbi 50 farmaci.

Me një staf mjekësor prej 2297 personash që përfshin mjekë, infermierë e teknikë laboratoresh, QSUT funksionon si një magnet për lulëzimin e shëndetësisë private, ku sigurisht çmimet dhe “rregullat e lojës ndryshojnë. “

Nga një vëzhgim i bërë nga Historia Ime, vetëm në zonën rreth QSUT – rruga e unazës, rruga “Aleksandër Moisiu” në drejtim të Kinostudios, fundi i rrugës së Dibrës dhe rruga “Kongresi i Manastirit” që të çon në Spitalin Psikiatrik,  rezulton se ka afërsisht 100 spitale, klinika, laboratorë diagnostikimi dhe farmaci private. Një shifër kjo gati e pabesueshme  po të mendosh që bëhet fjalë për një sipërfaqe prej pak më shumë se 200 000 m2.

Nëse qytetarët marrin gjithë shërbimin dhe medikamentet që u takojnë sipas ligjit në QSUT, si shpjegohet ky grumbull i madh klinikash, laboratorësh, spitalesh e farmacish?!

Qytetarët që shkojnë në QSUT për të marrë asgjë më shumë se shërbimin mjekësor që u takon, veç parave që u duhet të japin nën dorë thjesht për të zënë një shtrat apo deri për të pastruar dhomën, detyrohen nga mjekët të shkojnë në klinika private.

Janë me dhjetëra rastet e këtij tipi të raportuara në media me zë dhe figurë. Duke përfituar nga e drejta ligjore për dypunësim, mjekë e shefa pavjonesh zotërojnë ose kanë lidhje interesi me klinikat dhe laboratoret private që gjenden fare pranë.

Nëse mjekët do të respektonin oraret, etikën dhe normat profesionale dy apo tre-punësimi i tyre është totalisht brenda rregullave dhe ligjit. Por ka një kontrast të madh mes mjekut të klinkës private dhe mjekut të spitalit Nënë Tereza, që shpesh qëllojnë të jenë i njëjti person.

Në QSUT sheh rradhë të gjata njerëzish të sëmurë që presin për orë të tëra pas dyerve momentin kur doktori do të “shfaqet” në krye të detyrës së tij. Por nuk është çudi që doktorin ta gjesh 300 metra më poshtë, tek klinika private duke i pritur klientët me buzëqeshje dhe duke u shërbyer me mirësjellje.

Më shumë se 40 klinika dhe laboratorë privatë vetëm në 2 rrugët që rrethojnë QSUT
Më shumë se 40 klinika dhe laboratorë privatë vetëm në 2 rrugët që rrethojnë QSUT

Nga vëshgimi i bërë nga Historia Ime, rezulton se ka një numër të madh mjekësh të dypunësuar, që e ndajnë kohën e tyre mes klinikave private dhe QSUT. Shumë prej klinikave dhe laboratorëve privatë rreth QSUT –së  e fshehin informacionin për stafin e tyre. Në vetëm pesë nga ato që e bëjnë publik në faqet e tyre të internetit, mësojmë se punojnë  të paktën 13 mjekë që njëkohësisht janë pjesë e stafit të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza. Më poshtë po përmendim disa prej tyre:

Në “ Blue Medical Center” punon Dr.Naltin Shuka, Dr.Vilma Paparisto dhe Prof.Ass.Sokol Myftiu, njëkohësisht pjesë e shërbimit të kardiologjisë në QSUT.

Në laboratorin “Louis Pasteur” punon D.Sh.M.Artur Xhumari, që njëkohësisht bën pjesë në shërbimin e Neurokirurgjisë në QSUT, Dr.Alert Xhaja pjesë e shërbimit të Dermatologjisë në QSUT dhe D.Sh.M.Mehmet Hoxha  njëkohësisht i punësuar pranë shërbimit të Alergologjisë në QSUT.

Dr. Amarildo Belshi, i cili punon pranë shërbimi i okulistikes në QSUT, është pronar i klinikës private “Lomed” pranë spitalit Nënë Tereza.

Klinika mjekësore “IKEDA”, një godinë tre-katëshe pranë QSUT, ka punësuar 5 mjekë të këtij spitali. Mjekët, Dr.Afrim Pirraci i shërbimit të Imazherisë në QSUT, Dr.Bilbil Hoxha nga shërbimi i Urologjisë në QSUT, Dr.Enton Bollano nga shërbimi i Kirurgjisë Digjestive në QSUT dhe D.Sh.M.Gezim Xhepa nga shërbimi i Djegies – Plastika në QSUT janë njëkohësisht pjesë e stafit të klinikës private “IKEDA”.

Në laboratorin privat “Intermedica” punojnë Dr.Anila Beqja (Lika) dhe D.Sh.M.Palmira Daja nga shërbimi i Laboratorit Klinik- Biokimik në QSUT.

Sipas vëzhgimeve, vetëm në klinikën La Vita që është e specializuar në fushën e diagnostikimeve endoskopike dhe kolonoskopike stafi I punësuar punon vetëm aty dhe jo edhe në shtet.

Më shumë se 50 farmaci vetëm në tre rrugët që rrethojnë QSUT
Më shumë se 50 farmaci vetëm në 2 rrugët që rrethojnë QSUT

Sistemi shëndetësor mund të quhet pa frikë sektori më problematiik i shërbimeve publike, ndërkohë që sektori privat i shëndetësisë po zhvillohet me një ritëm të habitshëm.

Kjo lënie pas dore e spitalit publik absolutisht që i shërben privatëve. Siç e pamë më sipër, shpesh janë të njëjtët persona që punojnë si në sektorin publik dhe në atë privat, kjo gjë të shton bindjen se po lihen qellimisht mënjanë interesat e qytetarëve për ti shërbyer interesave personale të biznesit.

Infografikë ilustruese e klinikave, spitaleve dhe farmacive rreth QSUT.
Infografikë ilustruese e klinikave, spitaleve dhe farmacive rreth QSUT.
Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest