Përveç temperaturave të larta, Ballkani pushtohet edhe nga zjarret

Bush fire outside Marseille

Temperaturat e larta kanë sjellë mesa duket edhe zjarre të mëdha në rajonin e Ballkanit. Zjarret kanë përfshirë që nga dita e djeshme Greqinë Jugore, bregdetin kroat dhe pjesë të Bosnje-Hercegovinës. Në shumë zjarre janë përfshirë pjesët jugore të Greqisë, përfshirë ishujt grek Zakinthos dhe Skiros si dhe në afërsi të Distomos, në gadishullin e Peleponezit.

Policia greke shtoi se në rajonin afër Athinës, që të premten u përfshi nga një zjarr i madh, është gjetur trupi i djegur i një polici, i cili është viktima e parë e flakëve të zjarrit në këtë verë.

Media kroate tha se dy zjarre të mëdhenj prej mbrëmë kanë përfshirë Krizhnjakun afër qytetit bregdetar Trogir dhe afër vendit Prugovi, në veri të Splitit. Zjarret në këtë zonë deri tani kanë shkatërruar rreth 370 hektarë sipërfaqe me bar dhe pyje. Kryetari i Shoqatës së Zjarrfikësve Vullnetarë të Splitit, deklaroi se zjarri afër Prugovit, disa herë ka lëvizur në drejtim të shtëpive përreth, por zjarrfikësit e kanë penguar përhapjen e tij.

Sipas agjencisë boshnjake të lajmeve, FENA, në qytetet Mostar, Çaplin, Stolac dhe Konjic janë regjistruar disa zjarre, të cilat kanë përfshirë sipërfaqe me bar dhe pyje.

Ndërkohë në vendin tonë ende nuk janë regjistruar vatri zjarri, por temperaturat sipas metereologëve do të vazhdojnë të jenë të larta edhe këtë javë.

/Burimi: Agjencia Telegrafike Shqiptare

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest