Autoriteti Shëndetësor: Pishinat e Tiranës nuk kanë staf mjekësor në rast rreziku

76897758

Një mundësi për t’i shpëtuar temperaturave të larta të verës, janë komplekset e pishinave. Sidomos për qytete jo bregdetare si Tirana, pishinat janë një zgjidhje e shpejtë. Por jo gjithmonë e sigurtë.

Sipas disa kontrolleve të kryera nga Autoriteti Shëndetësor Rajonal, në 43 biznese të pishinave, ka rezultuar se vetëm 1 prej tyre ka personel mjekësor. Në të gjitha pishinat e tjera të kryeqytetit mungon stafi mjekësor, i nevojshëm në rast rreziku. Ky shërbim ofrohet nga personat që merren me sigurinë e tyre.

Këtë problem e konstaton edhe drejtori i Autoritetit Shëndetësor Rajonal, Edmond Stojku:

“Gjatë monitorimit të 43 pishinave në kryeqytet, një konstatim i bërë nga specialistët e ASHR-së ka qenë edhe mungesa e ekipeve mjekësore pranë pishinave. Sipas të dhënave, rezulton se vetëm një prej pishinave e ofron këtë shërbim, kurse në të gjitha pishinat e tjera në Tiranë dhe rrethinat e saj, ka vetëm roja”.

Jo rrallëherë qytetarët kanë rrezikuar jetën në pishina, mirëpo asnjë hap nuk është bërë për të vendosur mjekët.

Të tjera probleme të evidentuara gjatë kontrollit, sipas zotit Stojku, lidhen me mosrespektimin e rregullores së pishinave nga ana e qytetarëve. Sipas rregullores, personat para se futen në pishina duhet të lahen në dushe, sepse mund të bëhen shkak për ndotjen e tyre. Mirëpo, ky rregull nuk zbatohet çka ndikon më pas edhe në cilësinë e ujit të pishinave.

Përsa i përket kushteve higjieno-sanitare, thuhet se ndonëse në kapacitete të vogla, pishinat e monitoruara, i plotësojnë këto kushte.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest