Shtyhet miratimi i projektligjit për Arsimin e Lartë

11210226_975157429170257_1340354376_n

Në seancën e sotme parlamentare pritej të miratohej projektligji i shumë përfolur për Arsimin e Lartë, por ashtu siç është bërë e udhës, edhe ky ligj u shty. U shty për të martën miratimi i tij pas debatit mes opozitës dhe shumicës parlamentare.

Shkak për këtë shtyrje është bërë futja në rendin e ditës për votim të projektligjit. Kjo gjë u kundërshtua nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka. Sipas tij, në bazë të rregullores, duke qenë se projektligji ka përfunduar shqyrtimin në Komisionin e Medias dhe Arsimit vetëm një ditë më përpara në orën 1 të mëngjesit, nuk mund të vinte për miratim sot në parlament. Sipas Rregullores së Kuvendit, që një projektligj të votohet në Kuvend, ai duhet të miratohet në komisione të paktën 48 orë para seancës plenare.

Projektligji për “Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë” është depozituar në  parlament që prej datës 10 prill, por nisur nga protestat e herëpashershme të studentëve, pedagogëve dhe shtyrjes nga ana e opozitës, projektligji vazhdon të zvarritet. Që në fillim të nxjerrjes së projektligjit, studentët kanë kundërshtuar rritjen e tarifave, ndarjen e fondeve publike mes universiteteve publike dhe atyre private, burokratizimit të strukturave të universiteteve etj.

Ndërsa sipas Genc Pollo, kryetar i Komisionit të Medias dhe Arsimit, shtyrja ka ndodhur pasi “Kjo periudhë ka koiçiduar me fushatën e zgjedhjeve vendore dhe ska mundur të shqyrtohet në Komisionin e Medias për një kohë të gjatë. Për ndjeshmërinë që ka ky ligj është fizikisht e pamundur për komisionin që të bëhej në një periudhë të tillë të shkurtuar.”

Demokratët kërkojnë që nisma e qeverisë të mos miratohet në këtë legjislaturë, që, sipas kalendarit zyrtar, mbledhjen e fundit do ta zhvillojë në 23 korrik. Opozita kërkon që projektligji i Ministrisë së Arsimit të kalojë si nismë e mbartur në shtator, në mënyrë që pranimi i studentëve të rinj në fakultete të bëhet sipas ligjit aktual në fuqi për “Arsimin e Lartë”.

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest