Komisioneri Kundër Diskriminimit shtyn afatin e uljes së kamatvonesës për familjet e varfra

0,,18139234_303,00

Familjet që trajtohen me ndimë ekonomike nga shteti do të përfitojnë nga një zgjatje e afatit për zbritjen prej 80% të kamatvonesave për energjinë elektrike. Kjo mundësi nuk vjen nga ndonjë vendim i OSHEE apo Këshillit të Ministrave, por nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili vendosi ta konsiderojë si diksriminues afatin e vendosur më parë, 31 Marsin 2015.

Ky vendim, sipas Komisionerit është diskriminues për ata që nuk paguajnë dot Arsyeja është e thjeshtë. Ata që janë në gjendje të mirë ekonomike mundën të përfitonin pasi kishin mjete monetare të mjaftueshme. Ndërsa ata që jetojnë me ndihmë ekonomike nuk kishin asnjë mundësi reale që të përfitonin nga kjo ulje, pasi nuk mund të paguanin borxhin brenda afatit. Ky rast konsiderohet si diskriminim në bazë të gjendjes ekonomike dhe është sjellje e kundraligjshme.

Vendimi I Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi erdhi pas ankesës së një qytetari nga Elbasani,  O.S., asistuar nga Qendra Res Publica. Ky qytetar jeton me 4300 lekë në muaj në formën e ndihmës ekonomike. Borxhi i tij ishte në vlerë 100 herë më të lartë se të ardhurat e tij mujore dhe në këto kushte ai nuk mund të përfitonte njëlloj si qytetarët e tjerë. Me të drejtë, atij i duhet dhënë një afat tjetër, në mënyrë që të përfitojë zbritjen e kamatës.

Sic shprehet Komisioneri, efektet e këtij vendimi shtrihen jo vetëm për qytetarin që u ankua, por për të gjithë kategorinë e tij dhe tashmë, kushdo që trajtohet me ndihmë ekonomike ka të drejtë të kërkojë zgjatjen e afatit për të bërë pagesën, jo deri kur OSHEE e mendon të arsyeshme, por deri kur qytetarët të jenë në gjendje të paguajnë, qoftë edhe sikur kjo situatë të zgjasë vite të tëra.

 

OSHEE tashmë ka 30 ditë kohë që të riparojë shkeljen dhe shpresojmë që vendimi i Komisionerit të respektohet pa bërë përpjeke të kota dhe të tepërta për ta penguar atë. Në fund të fundit, ky vendim ishte një shpullë jo për të lënduar një kompani shtetërore, por për t’i sjellë asaj dhe strukturave eprore mendjen në vend, që të kuptojnë se shteti i të drejtës nuk ndërtohet duke i futur të gjithë qytetarët në një thes përmes barazisë formale, por duke i dhënë atyre mundësi të barabarta, të përshtatshme me gjendjen e gjitësecilit.

/ Qendra Res Publica

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest