More Raça, zëri i grave kosovare përmes filmit

more1-659x1013

More Raça ka lindur në Gjakovë. Në vitin 2014 ka diplomuar në Fakultetin e Arteve, përkatësisht në degën regji filmi dhe tani është në përfundim të studimeve postdiplomike master. Që në fillim të karrierës More me punën e saj e ka krijuar imazhin e një femre të suksesshme. Pas përfundimit të studimeve ajo ka realizuar filmin e metrazhit të shkurtër “Amel”, me të cilin ka fituar 13 çmime nga afro 40 festivale ndërkombëtare, ku ka qenë pjesëmarrëse.

“Në disa prej festivaleve kam qenë e pranishme dhe ishte një eksperiencë e mrekullueshme për mua, pasi aty kam takuar kineastë të ndryshëm, fitues të çmimeve të mëdha kinematografike si Golden Globe dhe Oscar. Do ta veçoja çmimin që kam marrë në festivalin “Altcine Action”,  sepse më ka siguruar një koproduksion me kompaninë “Two Thirty Five”, e cila është një ndër kompanitë filmike më të mëdha në Evropë. Përveç këtyre çmimi mban emrin e një regjisoreje të madhe, Alida Dimitrou dhe ky është një privilegj për mua”, shprehet ajo.

Është pikërisht motoja e regjisores së re More Raça që e shtyn atë të realizojë filma me theks të veçantë për të drejtat e gruas.

“Unë duhet të bëj përpjekje të pazakonta të arrij suksese, sepse unë jam një grua. Nëse unë dështoj, askush nuk do të thotë: ajo nuk e ka atë që duhet. Ata do të thonë: gratë nuk kanë atë që duhet”.

Ajo e di se me anë të filmit nuk mund të bëjë ndryshime të mëdha, por e konsideron si mënyrën më të mirë për të vetëdijësuar shoqërinë, duke ngritur zërin kundrejt padrejtësive që i bëhen femrave.

“Unë mendoj që profesioni im është vetëm një zë më shumë i femrës, në kërkimin e të drejtave të saj. Tematikat e filmave të mi gjithmonë kanë për subjekt gruan kosovare me sfidat, problemet dhe peripecitë e saj, por gjithmonë duke dhënë mesazhin se gruaja kosovare ka forcë për t’i zgjidhur këto probleme”, pohon ajo.

E pyetur se në çka do të investonte nëse do t’i kishte 100.000 mijë euro, ajo u përgjigj se do të krijonte një produksion, ku do të realizoheshin dokumentar dhe reportazhe, që për fokus do të kishin gruan kosovare dhe sipas saj të gjitha të punësuarat do të ishin femra.

“Duhet shumë kohë për t’u krijuar kushtet e favorshme për integrimin e gruas në shoqërinë kosovare. Unë them se femrat duhet të kanë guximin të shprehen dhe të punojnë, sepse ato historikisht kanë dëshmuar se janë shtylla kryesore e shoqërisë”, përfundon Raça./A.A.

/www.kosovalive360.com

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest