Respektim i ulët i të drejtave të komunitetit LGBT

C2A9D0B6-D9FC-4B22-8B66-1057F99A8BB1_w640_r1_s

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës thonë se janë të përkushtuar që të punojnë më shumë në sensibilizimin e të gjithë qytetarëve që të mos gjykojnë dhe të mos shkelin asnjë të drejtë të personave me orientim të ndryshëm seksual.

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar projekt-ligjin kundër diskriminimit, i cili formëson një politikë të re shtetërore duke përfshirë masa disiplinore të fuqishme ndaj atyre që diskriminojnë personat e komunitetit LGBT.

Zëvendësministri i Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Ramadan Ilazi, tha për Radion Evropa e Lirë se vetëm ligjet e mira, nuk do të zgjidhin problemin e disktiminimit të kësaj kategorie të shoqërisë.

“Duhet zbatim i mirëfilltë dhe mbi të gjitha ndërgjegjësim i qytetarëve dhe institucioneve të sundimit të ligjit. Ne, jemi përkushtuar të ndërtojmë një shoqëri të hapur dhe demokratike, mirëpo një shoqëri e hapur kërkon kufij të hapur, sepse kufijtë e hapur do na bëjnë edhe ne si njerëz më të hapur ndaj dallimeve, dhe do të ndihmojnë në zhvillimin njerëzor”, tha Ilazi.

Në raportin e fundit të lëshuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për të drejtat e njeriut, ndër shqetësimet më të mëdha në Kosovë përmendet dhuna dhe diskiriminimi shoqëror kundër pjesëtarëve të pakicave etnike, personave me aftësi të kufizuara dhe pjesëtarëve të komunitetit LGBT.

“Diskriminimi në bazë të orientimit seksual nuk ka vend në një shoqëri dhe shtet modern”, kanë thënë zyrtarë të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Agim Margilaj, koordinator i projektit nga Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore, që mbron të drejtat e komunitetit LGBT, thotë se respektimi i të drejtave të këtij komuniteti është në nivel të ulët.

“Ky komunitet është i kërcënuar nga homofobët e dhunshëm, ngaqë homofobia në Kosovë është në nivel të lartë. Të gjithë ata që besojnë dhe kanë tendencë se me dhunë mund të zgjidhin probleme, ata janë kërcënuesit më të mëdhenj të komunitetit LGBT”, tha Margilaj.

Institucionet e Kosovës kanë krijuar Grupin Këshillëdhënës dhe Koordinues për të drejtat e komunitetit LGBT.

Ky grup, sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, do të ndihmojë në përmirësimin dhe realizimin e të drejtave të këtij komuniteti.

“Besoj është një grup apo mekanizëm qeveritar unik në rajon. Me këtë mekanizëm kemi arritur një lloj suksesi, sepse ky komunitet po përfaqësohet në këtë mekanizëm qeveritar”, tha Margilaj.

“Ata i kanë të drejtat që u garantohen me ligje, por ato nuk zbatohen. Njerëzit duhet të vetëdijesohen më shumë mendoj unë. Ne kemi shokë dhe shoqe që janë të këtij komunititeti (LGBT), por nuk respektohen për vendimet dhe orientimet e tyre seksuale. Ata nga shoqëria konsiderohen si të sëmurë”, tha një studente e Universitet të Prishtinës.

Organizatat që sigurojnë mbrojtje për pjesëtarët e komunitetit LGBT në Kosovë, thonë se institucionet publike duhet të kenë dhe zhvillojnë plane të veprimit për të promovuar respektin dhe integrimin e këtij komuniteti, nisur nga garancitë që janë dhënë për një gjë të këtillë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës./A.A/

/www.evropaelire.org

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest