“Haveit” me simbolikë artistike dhe shoqërore në Shkodër

auto_Haveit_28.06.20151435576811

Katër artistet dhe aktivistet e grupit “Haveit” para disa ditësh kanë lustruar këpucë gjatë tërë ditës rrugëve të qytetit të Shkodrës, si shenjë shpërfaqjeje artistike e pabarazisë gjinore dhe e shtypjes ndaj gruas.

Sipas vetë organizatoreve, lustrimi i këpucëve në hapësirat publike zakonisht bëhet nga burrat në Kosovë e Shqipëri. Në shtëpi, brenda, kjo ndodh me nënat dhe motrat tona. Ideja që privatja të bëhet publike, të shndërrohet në të tillë, është shtytja e kësaj performance të radhës që “Haveit” e kanë bërë në Shkodër.

“Kemi qëndruar 8 orë në sheshin “Nënë Tereza” edhe kemi lustruar këpucë të kalimtarëve të rastit, d.m.th. të atyre që ishin të interesuar”, tha për “Zërin” Hana Qena nga “Haveit”, duke shtuar se lustrimi i këpucëve në shtëpitë tona zakonisht bëhet prej nënës, gruas ose motrës.

Më tej, Hana Qena na tha: “E te ne, rrugës burrat lustrojnë këpucë me para edhe kemi dashur të dalim prej dhomës familjare në një hapësirë më të madhe publike për të lustruar këpucët e njerëzve, njëherazi për të mos ju marrë para për këtë shërbim, por vetëm për t’iu treguar histori të dhunës në familje dhe që të bashkëbisedojmë me ta për dhunën dhe qytetin e tyre”.

Grupi i katër vajzave “Haveit” është grup që përmes artit bën aktivizëm politik dhe shoqëror duke prekur shumë tema tabu të shoqërisë sonë dhe duke munduar ta sensibilizojë opinionin rreth temave të ndjeshme të shoqërisë, si edhe për shkeljet e ndryshme të të drejtave të njeriut në shoqërinë tonë./A.A./

/zeri.info

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest