Punëtorët e vegjël sezonalë të bregdetit

Femijet-qe-shesin-ne-plazh-1

Me nisjen e sezonit turistik fillojnë punën e tyre edhe punonjësit e vegjël të plazheve. Fëmijë të moshave të ndryshme që vijnë vërdallë plazheve me shpresën se dikush do t’u blejë diçka.

I nxehti për ta nuk është ndonjë problem i madh, pasi tashmë janë mësuar. Një pjesë e mirë e tyre nuk e kanë për herë të parë këtë, madje janë bërë shitës profesionistë. Një pjesë me çanta, të tjerë me qese me fruta, fëmijë të tjerë që kanë zgjedhur të shesin letra bixhozi. Me pak fjalë, ata janë pjesë e pandarë e plazhit çdo vit.

Janë të shumtë që enden në piskun e vapës duke thirrur: “Hajde krem, vaj plazhi, patatina, biskota”. Shpeshherë thirrjet e tyre shqetësojnë pushuesit, por për këta punonjës të vegjël, ky nuk përbën ndonjë problem. Disa prej fëmijëve shprehen se janë detyruar nga prindërit që të dalin për të shitur, ndërsa një pjesë tjetër pohojnë se u duhen para. Një paradoks që të shoqëron gjatë gjithë kohës së qëndrimit në plazh është ai i dy botëve të ndryshme të fëmijëve.

Nga njëra anë sheh një fëmijë 10-vjeçar tekanjoz që mërzitet, pasi nuk iu plotësua një kapriçio dhe në anën tjetër një bashFemijet-qe-shesin-ne-plazh-4këmoshatar, i cili punon për të plotësuar ëndrrat e tij. Vuajtja dhe trishtimi vihen re thellë në sytë e tij dhe nuk i shfaq me të qara, si “shoku”, por vazhdon rrugëtimin e tij me qëllim që e nesërmja të jetë më e mirë.

“Kam një javë që kam filluar të shes në plazh. Deri në shtator këtë punë kam. Çdo vit me këtë merrem. Lodhem të them të drejtën, sepse është shumë vapë. Na djegin këmbët në rërë, dielli na bie në kokë, por më duhet të punoj”, tregon një 10-vjeçar.

 

Si ai ka edhe plot të tjerë, ku çdo 5 minuta dikush tjetër afrohet pranë çadrave, duke u lutur në një farë mënyre që t’i blejmë diçka.

Pavarësisht kushteve në të cilat u duhet të punojnë, në disa raste ata shprehen të kënaqur. “Do mbledh lekë për vetë për shkollë”, shpjegon një tjetër fëmijë, i pyetur në lidhje me arsyet që e kanë detyruar që të dalë për të shitur. Sigurisht që faktorët ekonomikë janë shtysa kryesore që i nxit për të punuar këta të mitur, por nuk duhet mohuar edhe fakti se puna është një element i rëndësishëm që i largon ata nga rruga e krimit.

Pavarësisht kësaj, Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë parashikon punësim të fëmijëve duke nisur që prej moshës 16 vjeç, por në punë të lehta. Veç kësaj shtohet se mund të punojnë edhe fëmijë të moshës 14-vjeçare, por sigurisht në kushte specifike dhe ku nuk rrezikohet shëndeti dhe siguria e tyre. “Ndalohet marrja në punë e të miturve nën moshën 16 vjeç. Bëjnë përjashtim të miturit kur nga mosha 14-16 vjeç punësohen gjatë pushimeve verore shkollore vetëm në punë të lehta që nuk dëmtojnë shëndetin dhe formimin e tyre. Të miturit nga mosha 14-16 vjeç mund të jenë subjekt i këshillimit dhe formimit profesional të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Ndalohet të punojnë në punët e natës punëmarrësit nën moshën 18 vjeç”, përcaktohet në Kodin e Punës. Për këta fëmijë vera është përpara, çka do të thotë se kanë shumë deri në mbylljen e sezonit.

Femijet-qe-shesin-ne-plazh-2

/Gazeta Shqip

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest