Histori shqiptare/ I vdes fëmija, pas 16 vitesh ende nuk ia kanë çregjistruar

shkres1

Kanë kaluar 16 vite nga dita kur foshnja 2 muajsh ndërroi jetë në spitalin e Durrësit për shkak të temperaturës së lartë, por prindërit ende nuk kanë mundur të çregjistrojnë fëmijën nga gjendja civile. Ata tregojnë se janë sorollatur muaj pas muaji dhe vit pas viti, nëpër zyrat e gjendjes civile dhe institucioneve kompetente, por pa i dhënë zgjidhje problemit të tyre.

Babai i foshnjës, Zihni Vojka, thotë se ka shkuar deri në dyert e Kryeministrisë, por asnjë zgjidhje nuk është gjetur. Kryefamiljari tregon se në vitin 99′ e ka çuar foshnjën në spital, nga ku pas katër ditësh doli i vdekur.

“Më kujtohet si sot. Foshnja kishte temperaturë të lartë dhe bashkëshortja më tha të dërgonim në spital. Ishte data 11.05.1999, kur e shtruam në spitalin e Durrësit, nga ku pas katër ditësh e nxorëm të vdekur. Nuk fajësoj askënd për vdekjen e foshnjës. Mendoj se ky ishte fati i zi i tij dhe i yni si prindër. Ndoshta kështu e kishte shkruar Zoti. Por ajo çka më shqetëson prej 16 vitesh nga vdekja e tij është sorollatja që po më bëjnë institucionet për ta çregjistruar nga gjendja civile”, tregon Zihni Vojka, babai i foshnjës.

ÇREGJISTRIMI
Zihni Vojka pohon se prej 16 vitesh përpiqet për të çregjistruar foshnjën, por institucionet e përcjellin, duke mos i dhënë asnjë lloj shpjegimi. Ai disponon edhe disa dokumente ku ish­ kryeministri Berisha, dhe Kryeministri aktual, Edi Rama, u dërgojnë shkresë institucioneve në Durrës, që të verifikojnë dhe shqyrtojnë rastin e tij. Por, siç mësohet tashmë është shumë vonë, pasi kjo çështje zgjidhet veç në Gjykatë. Vojka është i papunë bashkë me të shoqen dhe ai thotë se nuk ka mundësi të hapë një proces gjyqësor. Ai fajëson Bashkinë Sukth që nuk ia çregjistruan fëmijën brenda afatit dhe nuk e informuan në vitet në vijim se e vetmja rrugë ishte Gjykata.

 Sipas tij, punonjësit e Bashkisë i kanë përplasur derën dhe ka pak kohë që ai ka mësuar se kjo çështje duhej zgjidhur vetëm me proces gjyqësor. Askush nuk e ka informuar atë për veprimet që duhej të bënte, ndërsa ai vetë nuk posedon njohuri juridike minimale që t’i kishte dhënë udhë vetë problemit të tij. Në këto kushte, 16 vite pasi ndërroi jetë, foshnja ekziston ende në certifikatën familjare.

“Konform ligjit, katër ditë pas vdekjes së foshnjës, kam shkuar në gjendjen civile për të çregjistruar fëmijën. Por nëpunësja e gjendjes civile, K. Xhafaj më kërkoi 20 mijë lekë të rinj, për të nisur procedurat. Unë kundërshtova, pasi procedurat nuk kërkojnë pagesë më vlerë aq të madhe. Ndërsa ajo refuzoi të kryente çregjistrimin, duke më thënë që pa para nuk bëhet asgjë.Nisëm të debatonim ashpër me njëritjetrin. Debatin e dëgjoi kryetari i Bashkisë asokohe, pasi gjendja civile në Sukth dhe Bashkia janë në të njëjtën godinë, i cili urdhëroi rojet të më nxirrnin nga Bashkia. Më thanë që fëmija nuk do të çregjistrohet. Për të kërkuar të drejtat e mia, iu drejtova Policisë. Shkova për të bërë denoncimin, por edhe atje përgjigja ishte e njëjtë. Sot e kësaj dite endem nëpër dyert e institucioneve për të kryer procedurat, si një e drejtë ligjore e secilit prej nesh”, shprehet kryefamiljari, në familjen e të cilit skamja dhe fati i keq është ulur këmbëkryqrej kohësh. /panorama.com.al

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest