UNICEF: 77% e fëmijëve në Shqipëri dhunohen në familje

Fotografi ilustrueseFotografi ilustruese

Studimi i UNICEF mbi dhunën ndaj fëmijëve, është fokusuar në katër shtete, Shqipëri, Gjeorgji, Kirigistan dhe Mali i Zi. Në raport thuhet se në vendin tonë dhuna shihet si një fenomen i zakonshëm për të disiplinuar fëmijët. Veç kësaj një numër i madh fëmijësh nuk kërkojnë ndihmë në rastet kur kanë rënë pre e dhunës, qoftë fizike apo edhe psikologjike.

“Në Shqipëri dhuna pranohet si pjesë e traditës dhe kulturës së shoqërisë për të disiplinuar fëmijët për sjellje jo të mirë. Në këtë shtet ekziston ende mendësia dhe perceptimi se në familje babai ka një rol të padiskutueshëm dhe se fëmija duhet t’i bindet plotësisht. Pra këto janë tipare që dominojnë në shoqërisë shqiptare. Gjithashtu shumë fëmijë të abuzuar nuk kërkojnë ndihmë, pasi ata e shikojnë dhunën si një fenomen normal dhe nuk e shohin veten si viktima të saj. Një anëtar i stafit për mbrojtjen e fëmijëve ka deklaruar se prindërit shqiptarë vazhdojnë t’i trajtojnë dhe konsiderojnë fëmijët si pronë të tyre”, thuhet në raportin e UNICEF.

Të qenët viktimë e dhunës apo edhe krimeve të ndryshme mund të ketë pasoja të rënda në jetën e çdo fëmije. Nga të dhënat e UNICEF-it rezulton se mesatarisht 6 në 10 fëmijë në vendet e rajonit përjetojnë një formë dhune në shtëpi, pasi prindërit tentojnë t’i mësojnë fëmijët duke shfaqur një lloj sjelljeje agresive. Në vendin tonë kjo ndodh në 77% të rasteve. Në Gjeorgji 67%, Kirigistan 54% dhe në Mal të zi 63%.

Nga të dhënat rezulton se shqiptarët janë ata që përdorin tone të larta, por edhe dhunë më shumë për të disiplinuar fëmijët e tyre. Studiuesit kanë vërë re se këto forma dhune nuk raportohen, pasi normat shoqërore luajnë një rol të rëndësishëm.

Një tjetër fenomen që theksohet është edhe vetëgjyqësia e shqiptarëve në emër të Kanunit. Kjo ka një ndikim negativ të fëmijës, të cilët e vuajnë më së shumti këtë gjë.

“Parimisht fëmijët janë të përjashtuar nga hakmarrja që bëhet në emër të Kanunit, por kjo nuk zbatohet gjithmonë. Fëmijët bëhen viktima të zbatimit të së drejtës zakonore, në rastet kur familjet e tyre janë në gjak, ndonëse të miturit nuk kanë asnjë lloj faji”, sqarohet në raportin e UNICEF-it.

Mekanizmat e denoncimit apo edhe format e tjera se si procedohet në rastet e dhunës fëmijët i kanë të dëgjuara edhe njohura nga media. Sipas raportit të UNICEF-it, fëmijët janë shprehur se kanë dëgjuar për mekanizmat e drejtësisë nëpërmjet radios, televizionit, por edhe në shkollë. Ndërkohë, pohohet se në vendin tonë, por edhe në Mal të Zi, pothuajse të gjithë fëmijët, por edhe familjarët e tyre janë në dijeni të të drejtave të fëmijëve dhe të drejtave të njeriut. Mirëpo, është e vështirë të thuhet se sa zbatohen dhe respektohen këto të drejta./Gazeta Shqip

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest