Formula, ja sa pension do të përfitoni në bazë të rrogës aktuale

pensioniste

Një person që ka punuar gjatë gjithë jetës së tij me pagën minimale 22 mijë lekë, kur të mbushë moshën, pensioni i tij do të jetë 14 670 lekë. Ndërsa për një pagë vetëm 1 mijë lekë më shumë, (23 mijë lekë në muaj), do të merret një pension prej 15 mijë lekë.

Për çdo pagë 1 mijë lekë më të lartë, pensioni shtohet me minimumi 400 lekë dhe bazohet në formulën e re e pensioneve: Sa më shumë kontribute të derdhësh aq më i lartë do të jetë pensioni. Të dhënat që janë publikuar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, përcaktojnë masën e pensionit për pagat 22-80 mijë lekë. Për të llogaritur pensionin janë marrë parasysh 36 vite kontribute, duke qënë se, burrave dhe grave nga viti 2015 u duhen 35 vite e 4 muaj për të përfituar të plotë pensionin.

Për një pagë mesatare 30 mijë lekë, pensioni që do të përfitohet është 17 550 lekë. Për të marrë një pension më të lartë se 20 mijë lekë, duhet që për 36 vite punë të keni patur një pagë jo më të ulët se 37 mijë lekë. Sa më e lartë të jetë paga, aq më i lartë është kontributi duke rritur dhe pensionin. Për një pagë 51 mijë lekë pensioni do të jetë 25 110 lekë. Me skemën e re kontributet e çdo viti, duke shtuar dhe pensionin social, mblidhen për të llogaritur pensionin e plotë, ndryshe nga skema e vjetër ku merreshin parasysh vitet e fundit të punës.

Llogaritja
Llogaritja është bërë duke u bazuar te formula e re e pensioneve P (pension) = PS (pensioni social) + SH (shtesa)

PS është pensioni social, masa e të cilit është 6 mijë e 750 lekë, plus shtesa për çdo vit kontribute që janë derdhur. Shtesa prej 1% llogaritet në bazë të kontributit që paguan çdo individ (duke filuar nga viti 2014, pasi para këtij viti shtesa është nga 1.16 deri në 8.59). Shtesa prej 1% llogaritet duke mbledhur pagat e të gjithë viteve, ku pas 36 viteve kontribute, do të merret një pagë mesatare e të gjitha viteve.

Pra nëse gjatë 2014-s keni punuar me pagë 30 mijë lekë dhe një vit më vonë keni punuar me një pagë 40 mijë lekë, atëherë shtesa 1% do të llogaritet duke mbledhur të dyja pagat, plus pagat e viteve të kaluara. Ekspertët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore thonë se për ata që janë aktualisht në prag të daljes në pension, nuk merret shtesa 1%, por duke u bazuar te koefiçentët sipas viteve që ka miratuar Këshilli i Ministrave.

Drejtuesit e ISSH-s theksojnë se punonjësit  duhet të kërkojnë nga punëdhënësit që tu deklarojnë pagën reale, pasi pensoni do të llogaritet mbi pagën e deklaruar, mbi të cilën janë paguar kontribute. /shqiptarja.com

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest