Qindra vetë në paradën e katërt LGBTI i kërkojnë Ramës të mbajë premtimet / FOTO

Tirana Gay Ride 2015 - Foto 1

Qindra aktivistë dhe qytetarë morën pjesë sot në paradën e katërt për të drejtat e komunitetit LGBTI në Shqipëri. Me biçikleta në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe |Zogu I” ata protestuan për dhunën në familje me të cilën pjesëtarë të komunitetit LGBTI ballafaqohen si dhe i kujtuan kryeministrit Edi Rama premtimet e pambajtura.

Grupit të mbështetësve iu bashkua dhe Avokati i Popullit Igli Totozani, komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi Irma Baraku, si dhe ambasadori i SHBA-së z. Donald Lu, ambasadorja e Hollandës zj. Dewi Van de Weerd, etj.

“katër vjet më parë ishim vetëm 12 vetë që sfiduam malin e diskriminimit, ndërsa sot jemi qindra, por edhe mijëra të tjerë që nuk mund të na bashkohen”, tha Kristi Pinderi, aktivist për të drejtat e LGBTI. “Ndërsa të munguarit në këtë ditë”, shtoi ai, “janë kryeministri Edi Rama dhe Lulzim Basha që dinë vetëm të premtojnë, por nuk i mbajnë ato premtime”.

“Ne sot protestojmë për të kërkuar drejtësi jo vetëm për ne, por edhe për komunitetin Rom, edhe për gratë që dhunohen e vriten çdo ditë e politika nuk bën asgjë, protestojmë edhe ëpr eprsonat me aftësi të kufizuar dhe për këdo që përballet me padrejtësi”, tha Xheni Karaj, aktiviste për të drejtat e LGBTI.

Aktivistët të mbështetur nga Ecovolis, i kërkuan policisë të mos bllokonte trafikun. Ata marshuan me biçikleta duke respektuar të gjithë semaforët për të dhënë kështu një mesazh qytetarie. Në kthim, nga parku Rinia deri të sheshi “Nënë Tereza” ata marshuan në këmbë duke mbajtur një flamur 12 metra të gjatë me ngjyrat e komunitetit LGBTI.

Në duar mbanin pankarta ku shkruhej “Eshtë Ok të jesh gej”, “Ride with PRIDE” (Pedaloj me Krenari), “Duam të drejta të barabarta, jo të drejta të veçanta”, “Po, unë mbështes të drejtat gej! Jo, unë nuk jam gej”, “Dashuria nuk njeh gjini”, etj.

Aktivistët ndaluan para kryeministrisë dhe me megafon i kujtuan kryeministrit Rama dy premtime të pambajtura:

“Na premtuat se do të votonit për bashkëjetesat, por ky mbetet akoma një premtim i pambajtur”, tha Karaj. “Na premtuat se do të na ishit në krahë në proçesin e gjatë të emancipimit të shoqërisë, por nuk keni bërë asgjë deri tani”, shtoi ajo.

Një ditë më parë, Aleanca LGBT dhe ProLGBT zhvilluan të parën mbrëmje gala të bamirësisë në hotël Rogner, ku personazhe të njohur të shoqërisë civile, të botës së artit, etj, kontribuan për ngritjen e fondeve që do të shkojnë për STREHA, qëndra e parë rezidenciale për ata pjesëtarë të komunitetit LGBTI që përzihen nga shtëpia apo që detyrohen të vuajnë nga dhuna familjare.

Në ditët në vijim ata do të bëjnë publike të gjitha të ardhurat e grumbulluara si dhe do të shpjegojnë se si do të shpenzohen duke vendosur kështu një standart të ri transparence të shoqërisë civile në Shqipëri.

Foto nga Eriona Çami

This slideshow requires JavaScript.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest