Dy të miturat e zhdukura prej tre ditësh gjenden në një shtëpi të braktisur

maxresdefault

Dy vajzat e mitura të zhdukura prej tre ditësh janë gjetur mbrëmë në darkë në një shtëpi të braktisur në Korçë. Zhdukja e dy adoleshenteve nga qyteti i Korçës kishte alarmuar familjarët, të cilët prej disa ditësh jetonin me ankthin e humbjes së tyre dhe kishin kërkuar ndihmën e policisë, që nuk kishte arritur të binte në gjurmët e të zhdukurve. Kristina Zeqollari, 15 vjeçe, dhe Erigersa Dulellari, 14 vjeçe, ishin larguar nga shtëpitë prej pasdites të së martës dhe askush nuk kishte dijeni për vendndodhjen e tyre. Vajzat mendohet se janë larguar me dëshirë, pasi familjet nuk i kishin lejuar të shoqëroheshin me njëra-tjetrën, por dyshohej se ato kishin rënë pre e ndonjë trafikanti, pasi para zhdukjes u ishin shprehur shoqeve se do të shkonin në Itali.

Gjetja e vajzave

Në orët e vona të mbrëmjes, familjet e dy vajzave kanë njoftuar se kanë mundur të gjejnë dy vajzat e mitura. Policia kishte nisur kërkimet dhe kishte dërguar emrat e të miturave në çdo pikë kufitare, por zyrtarisht nuk rezultonte që ato të ishin larguar nga vendi ynë. Në këto kushte, familjet e dy vajzave kishin intensifikuar kërkimet për to në qytetin e Korçës, duke marrë parasysh edhe ndihmën e qytetarëve, të cilët janë shprehur se i kishin parë në zona të ndryshme. Në orët e vona të mbrëmjes, ato u gjetën në një shtëpi të braktisur. Pas gjetjes, policia ka marrë në pyetje vajzat e mitura, të cilat kanë deklaruar se janë larguar me dëshirë, por po hetohet edhe nëse ato ishin shoqëruar këto ditë me persona të tjerë.

 

Historia e vajzave

Vajzat, të cilat banonin në lagjen 10 të qytetit, frekuentonin shkollën 9-vjeçare “Pandeli Cale”, njëra klasën e tetë dhe tjetra klasën e nëntë. Sipas informacioneve, pasi kanë mbaruar mësimin më 12 maj, vajzat e identifikuara si Kristina Zeqollari, 15 vjeçe, dhe Erigersa Dulellari, 14 vjeçe, kanë shkuar në shtëpi normalisht dhe në orarin e caktuar kanë dalë nga banesat për të shkuar në stërvitje, pasi të dyja ushtronin volejboll, por nga ai moment nuk janë kthyer më në banesë. Pasi i kanë pritur për orë të tëra, prindërit kanë nisur t’i kërkojnë në të gjithë të afërmit e tyre, por askush nuk ka pasur dijeni apo kontakt me to. Vajzat, shoqe shkolle, shpesh shoqëroheshin me njëra-tjetrën, edhe pse nuk frekuentonin të njëjtën klasë. Sipas familjeve, prej dy muajsh ato kishin nisur të qëndronin shumë së bashku dhe kjo ishte reflektuar edhe në rënien e tyre në mësime. Pas kësaj situate, prindërit ishin përpjekur të mos i lejonin të qëndronin së bashku dhe prej dhjetë ditësh, vajzave u ishte ndaluar komunikimi mes tyre, por duket se kanë gjetur mundësinë për të organizuar arratisjen e tyre. Një ditë para largimit, ato u kanë rrëfyer shoqeve se nuk do të vinin më në shkollë, pasi do të iknin në Itali. Ato u kanë treguar se itinerari i tyre do të kalonte nga qyteti i Durrësit dhe më tej do të iknin në shtetin fqinj, por nuk u kanë pohuar nëse do të shoqëroheshin nga persona të tjerë. Mungesa e tyre, fillimisht ka ngjallur shqetësimin e prindërve, të cilët me kalimin e orëve kanë kërkuar ndihmën e policisë.

Motra e Erigersës

“Gersa nuk është larguar asnjëherë nga shtëpia, jemi të shqetësuar vërtet. Ajo nuk kishte as telefon dhe nuk e di se ku mund të ketë shkuar. Kur pamë që po vonohej, nisëm të pyesim dhe mësuam se edhe një vajzë me të cilën ajo shoqërohej nuk kishte shkuar në shtëpi. Pyetëm të gjithë familjarët, të afërmit dhe shoqet, por askush nuk e dinte se ku mund të kenë shkuar. Dikush na tha se i kishte parë të largohen me shpejtësi me një makinë ‘Golf 3′, me ngjyrë blu, pranë stadiumit, por vetëm kaq dimë. Ditën që u larguan, ajo u kthye normalisht nga shkolla, qëndroi pak dhe na tha se do të shkonte në stërvitje”, u shpreh Andiola, motra e Erigersa Dulellarit.

Nëna e Kristinës

Nga ana tjetër, për Kristina Zeqollarin ky largim nga shtëpia nuk është i pari. Thuajse dy vite më parë e mitura së bashku me dy shoqe të tjera u largua nga shtëpia dhe u gjet në një hotel në kryeqytet. “Po e përjetoj për herë të dytë këtë traumë. E kam rritur Kristinën me shumë vështirësi, por nuk e kuptoj çfarë po ndodh me të. Dikush po e mashtron, po e gënjen dhe i trembem fatit të saj. Herën e parë që u largua, pavarësisht përpjekjeve të mia, nuk munda të mësoj asgjë për largimin e saj, nuk besoj se e ndërmori e vetme diçka të tillë. Kam frikë se pas saj fshihet dikush tjetër, është në moshë të vogël, ndërkohë që njerëzit janë të djallëzuar”, tha nëna e saj, Albana Zeqollari.

 

/GazataShqip

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest