VIDEO TEASER – Tirana Gay (P)Ride

BLUZAT

Aleanca Kundër Diskriminimit dhe ProLGBT, dy organizatat kryesore për të drejtat e komunitetit LGBTI në Shqipëri kanë kënaqësinë t’ju ftojnë në edicionin e katërt të Pedalimit Kundër Homofobisë dhe Transfobisë  (Tirana Gay Ride 2015).

Ky është viti i katërt që aktivistë për të drejtat e LGBTI, aleatë dhe mbështetës të kësaj kauze zhvillojnë në qendër të Tiranës.

E konsideruar nga “The Economist” si një “zgjidhje kreative” ky manifestim është një mundësi për të ngritur çështje dhe për të protestuar në mënyrë paqësore për të drejtat e LGBTI.

 

 

Këtë vit ne marshojmë për këto arsye:

–          Për të gjithë ata të rinj të komunitetit LGBTI që përzihen nga shtëpia ose që dhunohen në mënyrë sistematike

–          Për të gjithë pjesëtarët e komunitetit që janë të detyruar të jetojnë një jetë të dyfishtë nën presionin e tmerrshëm të familjes, apo shoqërisë

–          Për të protestuar ndaj premtimeve të pambajtura të qeverisë aktuale. Na u premtua në 2013 se shtetin do e kishim në krahë për të edukuar dhe ndërgjegjësuar shoqërinë por kjo gjë ka mbetur vetëm mbi supet tona deri tani. Na u premtua gjithashtu se Shqipëria do të ndiqte rekomandimet e Këshillit të Europës për të njohur ligjërisht bashkëjetesat mes së njëjtës gjini, por kanë kaluar të paktën dy vjet dhe ky mbetet një premtim i pambajtur

–          Do të marshojmë gjithashtu për t’i thënë ndal dhunës dhe padrejtësive në familje, shkollë, në punësim dhe në çdo ambient tjetër

 

Si do të zhvillohet “Tirana Gay Ride 2015”?

Do të takohemi në orën 15.00 të datës 17 Maj në sheshin “Nënë Tereza”. Për të gjithë pjesëmarërsit Ecovolis do të sigurojë nga një biçikletë. Pedalimi do të vijojë përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, do të kalojmë në sheshin Skënderbej dhe ndryshe nga vitet e kaluara do të vijojmë përgjatë bulevardit “Zogu I”. Tek stacioni i Trenit do të kthehemi dhe në kthim, nga Parku Rinia deri në sheshin Nënë Tereza do të ecim në këmbë.

Më tej, në sheshin Nënë Tereza do të kemi muzikë nga D.J. si dhe pije të ndryshme.

PËR ATA QË NUK KANË MUNDËSI TË NGRENË ZËRIN KUNDËR DHUNËS

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest