Përdhunim, grabitje e shantazh: Këto janë rreziqet me të cilat meshkujt gej duhet të përballen për seks

PremierPadminiTaxis_gobeirne

Dje u takova ballë për ballë për herë të parë me një mik të facebook-ut, Rohan, i cili jeton në qytetin tim. Meqënëse të dy jemi gej biseduam rreth të gjitha çështjeve të LGBTI-ve në Indi.

Tema pastaj u kthye rreth seksit dhe takimeve me njerëz të panjohur. Dhe shumë shpejt filluam të flasim në lidhje me ngacmimin dhe dobësitë e gejve.

Rohan më tha se ai kishte një përvojë shumë të hidhur dhe tha se gejtë në Indi janë me të vërtetë të pasigurtë dhe të pambrojtur.

Ai la një takim me një djalë të cilin e kishte njohur përmes një rrjeti social. Ata vendosën të takohen në një vend publik që ishte shumë i qetë dhe i zbrazët gjatë mbrëmjeve.

Ai tha se në fillim nuk i pëlqeu ideja e seksit në vend publik, por djali dukej i lezetshëm dhe tërheqës, kështu që pranoi.

Ai nuk i kishte kuptuar synimet e vërteta të atij djali.

Në fillim, gjithçka dukej mirë. Ata filluan të puthen dhe të ndienin trupat e njëri-tjetrit. Pastaj djali butësisht mori telefonin e Rohan-it nga xhepi i tij dhe papritmas tha “më duket se po vjen dikush”.

Rohan u përgjigj se ai nuk po shihte apo dëgjonte askënd, por djali këmbënguli “Le të shkojmë në drejtime të ndryshme, përndryshe do të na kapin” dhe u largua me vrap.

“Kur dola nga ai vend dhe kuptova se nuk e kisha më telefonin në xhep, më zuri paniku. Mendova, çfarë do të them në shtëpi?

“Nuk mund të shkoja në polici edhe pse e dija ID e tij të rreme. Në çdo rast, unë e dija se ai duhet të më kishte bllokuar deri në atë moment.

“Qëndrova aty për një kohë të gjatë pa frymë, duke mos ditur se çfarë të bëja. Për mua nuk ishte vetëm një humbje financiare, por edhe një humbje besimi.

“Unë e vuajta këtë vetëm sepse isha gej. Nëse kjo do ti ndodhte një djali apo një vajze, ata lehtësisht mund të shkonin në polici për t’u ankuar në lidhje me krimin, por unë jam një kriminel në sytë e ligjit indian.”

Rohan derdhi disa pika lotë kur tregonte këtë histori – dhe kjo nuk më habiti. Më kujtoi shumë gjëra të ngjashme që kishin ndodhur në jetën e miqve të mi gej.

Një nga incidentet më të rënda i ka ndodhur një mikut tim, kur ai ishte në kolegj.

Në qytetin tonë ishte një zonë e cila njihej si një vend ku meshkujt gej shkonin të takoheshin – kjo ishte në ditët para se ne të gjithë të kishim qasje në rrjetet sociale.

Ndonjëherë ai dilte shëtitje në këtë zonë dhe një pasdite vere ai shkoi atje për të gjetur dikë për seks – ishte pothuajse gjithmonë e lehtë për të gjetur dikë atje.

Papritmas dy djem ju afruan dhe bërtitën “ndalo ti gej”.

Ai u tmerrua dhe më vonë më tha: “Unë u përpoqa të largohesha, por ata më kapën dhe më mbajtën nga duart.

“‘Pse je këtu?” pyeti njëri prej tyre

“Unë i thashë se isha duke shëtitur.

“Jo, ti do të bësh seks,” thanë ata. ”

Miku im këmbënguli se ai “nuk ishte ashtu”, por ata e kërcënuan se do ti tregonin familjes dhe shokëve të tij se ai është gej.

Ai ishte aq i frikësuar saqë nuk mund të vendoste se çfarë të bënte. Ata e shfrytëzuan hezitim e tij për të kërkuar në xhepat e tij dhe për ti marrë paratë. Pastaj ata e mbajtën dhe e përdhunuan.

Kur ai doli nga ai vend, ai ishte i shokuar.

Ai më tha: “E mallkova veten që isha gej. E dija që nuk mund të bëja asgjë pasi jam i dobët, dhe dobësia ime është për shkak të faktit që jam gej dhe unë nuk dua të dal hapur për të ruajtur nderin e familjes sime dhe për shkak se nuk dua të lëndoja prindërit e mi.

“Atë ditë për herë të parë e urreva veten dhe faktin që jam gej në vend që të urreja ata kriminelë që më përdhunuan dhe më grabitën.

“Kur më lëshuan më thanë duke qeshur me të madhe,” eja sërish me portofolin plot”.

“Ky ishte momenti më poshtërues i jetës sime.”

Shembulli i tretë që do të doja të ndaja me ju është nga jeta ime, kur unë isha adoleshent dhe u sulmova seksualisht nga miku i vëllait tim të madh.

Ai më përdori shumë herë, dhe unë heshta për shkak të frikës. Pyesja veten: “Çfarë do të ndodhë nëse njerëzit do ta marrin vesh që jam gej, do të humbisja respektin e shoqërisë.”

Ai e kishte kuptuar këtë frikë dhe se do të qëndroja i heshtur dhe kjo i dha kurajë që të më përdorte në këtë mënyrë për një kohë të gjatë.

Edhe sot, kur gejtë në Indi kanë mediat sociale si një platformë për zërat e tyre, këto gjëra ende ndodhin.

Këto tre shembuj nuk janë të vetmet incidente që di. Në fakt, unë besoj se çdo Indian gej është përballur të pakten një herë me diçka të ngjashme në jetën e tij.

Ngacmimi seksual, vjedhja, shantazhi dhe më shumë se kaq janë të zakonshme për LGBTI-të e Indisë. Dhe në fund të fundit, për çfarë po na dënojnë? Vetëm se po kërkojmë dashuri ose seks, të cilat janë dëshirat universale njerëzore.

Kjo do të vazhdojë deri sa të ndryshojë ligji dhe shoqëria të ndryshojë pikëpamjen e saj. Kjo ditë nuk do të ndodhë së shpejti. Ndërkohë të gjithë ne, si njerëz LGBTI, duhet të jemi mjaft të fortë për të mbrojtur veten sa më mirë që mundemi. Në këtë luftë kundër vjedhjes, përdhunimit dhe abuzimit, fatkeqësisht ne jemi të parët dhe të vetmit që duhet të kujdesemi për mbrojtjen tonë.

Marrë nga: www.gaystarnews.com

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest