Një plumb për shumë “zogj”

Llacini

Nga Lediona Braho

Problemi matematikor i gjahtarit me zogjtë mbi telat e korentit më rikthen pas, në një klasë të brezit të viteve nëntëdhjetë. Ose, siç më ndodh ta quaj, brezit në teh të briskut. Muri kishte rënë – sigurisht, ne nuk e kishim përjetuar për së afërmi – por jehona e zhurmës së tij na e kishte vrarë veshin. “Debukerizimi” i jetëve të prindërve dhe mësuesve tanë ishte neonat dhe kishte nevojë për mbrojtje. Trauma e ditëve që shkuan dhe ankthi për ato që do të vinin ua trazonin mendjen. Natyrisht, ne, të sapoardhurit në dritë, por edhe vëllezërit e motrat tona, disa vite më të mëdhenj, nuk ishim të vetëdijshëm për këtë gjendje në teh (vetëdija fitohet vonë). Mirëpo, ashtu si kafshët shtëpiake që i parandiejnë disa dukuri natyrore, para se ato të ndodhin, edhe ne kishim ndjesi. Sigurisht, për dukuritë njerëzore! Askush me mend nuk mund të mohojë se, në thellësitë tona më të thella, të strukturave ende të brishta të trurit e njohjes për botën, nuk kishte. Fëmija është një sistem me veti të mira përthithëse, ndaj gjithçka që përthyhet te ai, transformohet dhe gjen vend brenda tij. Pra, ne ishim brezi në teh të briskut, të ngjizur në kapërcyell të vlerave, moralit dhe kuptimeve kontradiktore të ekzistencës. Të tillë u formuam: nëpër udhëkryqe të ngatërruar, tipikë për shoqëritë e reja, në të cilat gëlon beteja e ashpër mes tre kohëve, për ruajtjen e identitetit. Mirëpo, këto janë insajte që njeriun fillojnë ta shkundin të paktën rreth të njëzetave, sidomos kur ka shpenzuar kohë duke u marrë me ndërgjegjen e tij.

Por, më lejoni të qëndroj te udhëkryqet. Vetëdija për to m’u trazua nga ngjarja e një dite më parë, që më risolli histori të dhimbshme jetësh të përfunduara tragjikisht. Një djalë rreth të njëzetave i dha fund jetës, duke u hedhur nga një ndërtesë, pas një mesazhi publik të shpërndarë për miqtë e të njohurit në rrjetet sociale. Të shumtë ishin ata që e lexuan “letrën e tij të lamtumirës”, por askush nuk iu përgjigj thirrjes për ndihmë. Madje, djaloshi i ndjerë e kishte ngritur zërin edhe më parë. Për ta kuptuar këtë, mjafton të vizitosh profilin e tij në “Facebook” (edhe pse shumë vonë për të). Copëza trishtimi, faji, dështimi në marrëdhënien me botën… Të dukshme, të qarta si drita e diellit. Në qofsh i verbër nuk i sheh dot! Ju, miqtë e tij, nuk i patë? Po ju prindër, vëllezër, motra, kushërinj, mësues, shokë shkolle, profesionistë, a ishit aty kur djali, vëllai, nxënësi juaj çirrej (ndoshta edhe pa zë) për ndihmë? Të verbër ishit të gjithë?

Ju kërkoj ndjesë, përulem thellësisht para humbjes tragjike, bashkohem me vuajtjen tuaj të paanë në këtë ditë zie, por jam e zemëruar me ju! Më trishton ikja e tij e turbullt përmes kaosit tokësor drejt harmonisë qiellore, mirëpo, më trishton e më revolton edhe më kjo gjendje e pabusullt e gjykimeve që shpërndahen në kaosin tonë. Nuk marr dot një përgjigje për pyetjet themelore të jetës që bëjmë këtu, Të jetës në teh dhe në udhëkryqin hamletian të të rinjve që janë mëkuar me qumështin e përzier me gjithfarësoj papastërtish. Nuk e gjykoj dot zgjedhjen e Visianit, sepse do të më duhej të dilja kundër vlerave që më udhëheqin. E kuptoj atë zgjedhje, edhe pse nuk pajtohem me të dhe nuk do të pajtohesha pafundësisht. Mirëpo, liria, alfa e motiveve tona dhe aspirata jonë finale i mungoi zgjedhjes së tij. Kjo zgjedhje ishte një vetëgjykim i shkurtuar mbi fajësinë dhe sensin e tij të dështimit. Dikush i refuzoi dashurinë! Ky refuzim e gërryeu pak nga pak dhe në mungesë të një “avokati shpirtëror” ai u vetëndëshkua fatalisht.

Pse dikush nga ju nuk e lexoi sinjalin e tij të kahershëm? Të kishte guximin ta shihte në sy dhe ta pyeste “Bir, shok, vëlla, Visian, për çfarë ke nevojë?” dhe ai do të fliste. Me siguri, do të ngurronte disa herë, por në fund do të  çlirohej nga barra e ndërgjegjes së lënduar (me siguri, e gërvishtur shumë më herët sesa ta lëndonte refuzimi i një vajze). Të qëndronit me të, mos ta linit vetëm, të kuptonit dhimbjen e tij. Nëse do ta bënit me kujdes, nëse do ta linit një ditë punën, ose do t’i shkonit te shtrati para se të flinte dhe ta puthnit në ballë, duke i siguruar për një të nesërme më të mirë, nëse shkolla do ta edukonte me vlera njerëzore dhe jo vetëm me shkencë, nëse një profesionist i mirë dhe i duruar do të punonte për ta ndihmuar, vuajtja e tij do të zbutej. Ai do të forcohej për t’u përballur me dështimin. Zgjedhjet brenda tij do të fuqizoheshin, liria në zemrën e tij do të rritej dhe ai nuk do të dorëzohej.

E di, pse-ja na mundon të gjithëve. Si spektatorët e një teatri, ngremë e shembim hipoteza, pas një shfaqjeje tragjike. Jemi në teh. Ndjesitë dhe vlerat janë kaq ambige tani. Në këtë teh, duhet të jesh një akrobat i mirë që të qëndrosh drejt! Ose të kesh krahë, si zogjtë që i shpëtojnë plumbit të gjahtarit. Ndoshta dje, kur jeta dukej e qetë dhe e maskuar me makijazhin e ngazëllimeve të vogla, faji dhe përgjegjësia për tjetrin ishin në gjumë. Por sot u zgjuan. Jeta u trazua nga ky djalosh i vogël, që e zgjidhi lakun rreth fytit, duke prerë fytin. Që iku në mënyrë të beftë, duke lënë pas një amanet: “Nëse do të më donit, nuk do të kisha ikur”.  Po, nëse do ta donim më shumë, ai nuk do të kishte ikur!

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest