Ta njohim gruan jo si viktimë

foto-sibel-halimi

Shoqëria kosovare duke mos shprehur gatishmëri për t`u marrë më seriozisht me nevojat e grave dhe vajzave nuk ka arritur ta tejkalojë fazën e viktimizimit të saj. Duke stagnuar në këtë fazë, emancipimi dhe moderniteti mbeten një projeksion i imagjinuar i shoqërisë.

Sipas Dennis Pattersonit, modernizmi është formë e të menduarit që identitetin e vet e merr nga shpirti i iluminizimit që nënkupton dominimin e shkencës dhe natyrës. Në rastin e gjinisë, gruaja do të duhet ta tejkalojë origjinën e saj biologjike. Pikërisht për këtë, shoqëritë, ku përfshihet edhe shoqëria kosovare vazhdojnë të frymojnë me ideologjinë patriarkale dhe në të njëjtën kohë të mbeten peng i trupave të tyre si determinuese edhe të fatit të tyre. Përpjekja e lëvizjeve feministe shtyu gratë që të mos e shihnin me vetveten dhe trupat e tyre si pronë të dikujt tjetër.

Gratë në Kosovë, qofshin edhe ato feministe nuk arritën të mos bien në ‘kurthin’ e tradicionales, të cilat tashmë i kishin brendësuar dhe të cilat janë shpërfaqur në situata dhe momente të caktuara veprimesh dhe sjelljesh. Pritja që gratë të jenë feministe është iluzore dhe utopike, sepse në relacion me familjen, pikërisht edukata tradicionale është ndërtuar në funksion të indoktriminit më shumë të grave se burrave. Kësisoj edhe gratë që u morën më të drejtat e grave, nuk arritën që të distancohen nga veprimet patriarkale. Kjo mendësi iu dha atyre mundësinë që më shumë të merren me gratë si viktima se sa me gratë, të cilat do të ishin të barabarta me to. Prandaj, Bell Hooks thotë se pa u përballur me seksizimin e tyre të brendshëm, gratë të cilat ngrinin flamurin feminist shpesh e tradhëtuan kauzën nëpërmjet sjelljeve të tyre me gratë e tjera. Pikërisht, për këtë çështje, Hooks mendon se seksizmi që kanë gratë brenda vetes duhet luftuar, nëse nuk arrihet, atëherë çdo përpjekje e grave për emancipim mbetet minore dhe përbën një kërcënim të rrezikshëm.

“Para se gratë të ndryshojnë patriarkinë, na duhet të ndryshojmë veten tonë; ne duhet të ndërgjëgjësohemi!”, shkruan Hooks.

Kësisoj një studim i kryer nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) dhe UNICEF-i tregon se mbi 42 për qind e grave dhe vajzave të pyetura nëse kanë qëndrim pranues ndaj dhunës në familje në rrethana të caktuara, kanë thënë “Po”. Disiplinimi dhe legjitimimi i dhunës në familje vazhdon të shihet si pjesë e organizimit të familjes kosovare. Prandaj, çështjet e dhunës dhe problemet egrave mbeten të mos trajtohen mjaftueshëm për të ndërruar qasjen maskiliste të këtyre grave dhe vajzave për veten e tyre.

Margaret Hasluck në veprën e saj “Kanuni” (Ligji i pashkruar shqiptar) shkruan se në shoqërinë shqiptare, Kanuni i Lekë Dukagjinit vazhdon të jetë i pandashëm nga mënyra e orientimit të vlerave socio-kulturore.

“Ligji i pashkruar theksonte se burri është koka e gruas, kështu ai mund të ndëshkonte për mosbindje dhe për sjellje të keqe”. Ligji i Pashkruar parashikon që çdo familje t`i nënshtrohet një sistemi patriarkal qeverisjeje me një zot shtëpie dhe të tjerët t`i binden atij.

Rrjedhimisht, krijimi i vetëdijes karshi konceptit të “barazisë” është në një fazë zhvillimi që mëton të mbetet përpjekje një dimensionale. Duke mos e trajtuar si gjithëpërfshirës, seksizimi dhe në përgjithësi patriarkaliteti do të bëhen pengesat kryesore të zhvillimit të shoqërisë shqiptare.

Rritja e ndërgjegjësimit për seksizmin brenda vetes tek gratë vuri në pah edhe më tej rëndësinë e të mësuarit mbi patriarkinë si një sistem dominues i brendësuar deri në një nivel të institucionalizuar.

Në këtë kontekst, Gerde Lerner shkruan se me trajtimin e grave si viktima të shtypjes, ato vihen në kornizën konceptuale mashkullore: të shtypura, të viktimizuara me standarde dhe vlera të vëna nga burrat. Sipas Lerner, historia e vërtetë e grave është histori e një funksionimi të vazhdueshëm në botën mashkullore në mënyrën e tyre.

Mënyra në të cilën është konstruktuar gjinia në Kosovë e ka ndihmuar përforcimin e një identiteti të veçantë, një vizion të vetes unike kundrejt shtypësit të fuqishëm, kushdo dhe kudo që ai të jetë. Prandaj, nuk është e rastësishme që në kuadër të shfaqjes temat e trajtuara ishin nga martesat e detyruara e deri tek të drejtat e komunitetit LGBT.

Shfaqja “Copë – copë”, ishte mundësi e paktë për të na ofruar një pasqyrë të problemeve të grave/vajzave, të cilat janë shumë dimensionale dhe më komplekse se sa t`i shohim dhe njohin vetëm si viktima.

Përpjekja për të ndryshuar shoqërinë karshi përcaktimit të gruas si subjekt është lufta ndaj seksizmit, i cili është po ashtu më gjithëpërshirës se sa vet patriarkaliteti, ndonëse seksizmi si sjellje është patriarkale.

Për më shumë klikoni: m.gazetaexpress.com

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest